Rezultatet e dobëta të testit ndërkombëtar PISA 2022, që e radhitën Shqipërinë të 14-ën nga fundi, për aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në matematikë, shkencë dhe lexim, u vlerësuan skandaloze nga opozita dhe morën përgjigje nga vetë ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro gjatë prezantimit të pr/buxhetit të vitit 2026 për arsimin.
“Është dramatike situata, duke parë se kemi rrëshqitje, nga ajo renditje që Shqipëria ka pasur vite më parë. E sigurisht që problemi është shumë kompleks, ka lidhje me një sërë çështjesh', tha deputeti i PD Eno Bozdo.
“Pisa e vitit 2022 nuk ishin rezultatet që do të dëshironim kishin. Por duke qenë se është një testim që është bërë për periudhën pararendëse. Periudha që ka të bëjë dhe me pandeminë 2020, 2021, por të shikosh, kemi rënie në të gjithë rajonin dhe nuk po shkoj tutje, por po rri te Kroacia dhe te Serbia”, tha ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.
Lidhur me kritikat e opozitës, se degët e mësuesisë po shkojnë gjithnjë e më shumë larg interesit të maturantëve, ministrja tha se janë ndërmarrë disa nisma për ta ndryshuar këtë trend.
'Ka një mekanizëm nxitje dhe bursa të plota për studentët të cilët shkojnë dhe zgjedhin degët prioritare, siç ishin ato që përmendët ju dhe që kryesisht i gjejmë në fakultetin e shkencave të natyrës, jo vetëm në Universitetin e Tiranës, por dhe në universitete të tjera ku ka degë mësuese në të tilla fusha. Dhe ë ata ata marrin rrogën, përveç se nuk paguajnë tarifë, pra e paguan shteti tarifën e studimit, ata do të është parashikuar dhe në buxhetin e vitit 2026 që në degët, pra të quajtura prioritare do të kemi pagë minimale, e cila për vitin 2026 shkon në vlerën 500.000 lekë të vjetra në muaj', tha Kumbaro.
Në komisionin parlamentar të Ekonomisë, ministrja u përgjigj edhe për emërimimin e drejtueses të Arsimit Parauniversitar në një garë me vetëm një kandidat, Arta Dollanin, pasi u lirua nga kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
“Rasti në fjalë është si të gjitha rastet kur hapen vakancat në postet menaxheriale në institucionet drejtuese në Ministritë e Arsimit, në të gjitha ministritë apo agjencitë, ku çdokush ka të drejtë të kandidojë, nëse përmbush kriteret e parashikuara për këtë gjë. Nuk jemi duke folur për mësues, të cilët kanë të tjera mënyra se si të rekrutohen, sepse është e paraqitura nga portali, nga licencat përkatëse. Janë respektuar të gjitha, janë respektuar të gjitha kriteret, të gjitha etapat e parashikuara nga ligjt për rekrutimin në administratën publike të një personi që ka gjithë të drejtën e botës të aplikojë në pozicione të caktuara', tha Kumbaro.
Një tjetër zë opozitar, i partisë Mundësia, kërkoi reagim nga ministrja Kumbaro, për hijet e konfliktit të interesit me zëvendësen e saj Orjana Osmani, e cila rezulton njëkohësisht edhe autore e një teksti letërsie për klasën e 11-të.
Për këtë vit, buxheti i planifikuar për arsimin arrin në 64 miliardë e 865 milionë lekë.
Komente










