Debate në Kuvend për drejtorin e Policisë së Shkodrës/ Bardhi lexon kodet e SKY ECC: E emëroi krimi! Ministri: Bisedat janë të 2021, u emërua në 2023! Reagon Sulaj: E padis

Debate në Kuvend për drejtorin e Policisë së Shkodrës/ Bardhi lexon kodet e SKY ECC: E emëroi krimi! Ministri: Bisedat janë të 2021, u emërua në 2023! Reagon Sulaj: E padis

Edmond Sulaj, drejtori i policisë së Shkodrës

Kuvendi u përfshi në debate në lidhje me emërimin e drejtorit të policisë së qarkut të Shkodrës Edmond Sulaj me një karrierë profesionale 27 vjeçare. Kreu i grupit parlamentar të PD-së gjatë replikave me kryeministrin Edi Rama në interpelancën për skandalin e mbetjeve toskike të Kurum lexoi një komunikim në SKY ECC, për të cilat Bardhi thotë se janë provë se drejtori i policisë së Shkodrës është emëruar nga bandat.               

Gazment Bardhi:  “Unë po të pyes (i drejtohet Ramës) si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky ECC, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën.

Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi (Edmond Sulaj, kryepolici aktual i Shkodrës) më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm. Dhe vjen ti këtu dhe akuzon opozitën, se të thotë që je i lidhur me krimin e organizuar? Patjetër që do japësh llogari”

Por këto akuza u hodhën poshtë nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i cili theksoi integritetin professional të drejtorit të policisë së Shkodrës. Gjithashtu sqaroi se bëhet fjalë për biseda të cilat i përkasin vitit 2021 ndërkohë emërimi i drejtorit është bërë në tetor 2023. 

“Në lidhje me komunikimin me encrochat ju bëj me dije se zotëria Mondi është me gradën e parë në Policinë e Shtetit. Aktualisht mban postin e drejtorit të Policisë së qarkut Shkodër. Në vijimsi të karrierës time profesionale, 2009 - 2011  kam pasur nderin të punoj me drejtuesin e parë Edmond Sulaj. Është një nga oficerët në karrierë i cili ka treguar aftësi e integritet për gjatë gjithë karrierës së tij. Ka 27 vite pune. Edhe zoti Braçe ju bëri me dije si e gjykon ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësinë që mban në këtë detyrë. Ndërkohë që në encrochat i parashtrohet një bisedë që i përket vitit 2021 ndërsa Edmond Sulaj ka marrë detyrën e drejtorit të policisë së qarkut në 2023. Pra kjo gënjeshtër bie" 

Në replikë Gazment Bardhi akuzoi ministrin si zëdhënës të biznesmenit Pëllumb Gjoka i arrestuar në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’

"Nuk përmenda raportin e EUROPOl. Nuk e di ca hyn ketu. Ju referova dokumentave zyrtare qe ndodhen ne dosjet e SPAK. Dhe po ta perseris siç ti e din shume mire, ne policine e Shkodrës dy individë të ngrenë dhe te ulin. Bajrat për të cilët do të flas një ditë tjetër, me dokumente se une nuk flas pa dokumenta dhe Pellumb Gjoka. Te fola per emerimin e Pellumb Gjokës. Si zëdhënës i tij në këtë seancë, ke ndonje pergjigje?! Ke pergjigje se Pëllumb Gjoka emëronte dhe shkarkonte drejtuesit në  polici. Ke pergjigje, se "vellai" o tij po i behej Ministër i Brendshëm. Ke pergjigje per kete?! Mos me trego mua raportin e EUROPOL, se e di me mire se ty"

Braçe krah drejtorit Sulaj

Edhe deputeti Erjon Braçe i doli në mbrojtje drejorit Sulaj i cili në Shkodër merr kërcënime nga mëngjesi në mbrëmje për veten, familjen e tij dhe policët atje, dhe se akuzat janë të qëllimshme

Erjon Braçe: Një deputet i kuvendit të Republikës së Shqipërisë u çua këtu, lexoi ca kode dhe e bën këtë vazhdimisht e vazhdimisht në emër të Prokurorisë, ngriti gishtin dhe ulëriti në këtë sallë. Mondi! Mondi i përfshirë në krim të organizuar dhe kush është Mondi tha? Drejtori i policisë së Shkodrës.

Nëse nuk do ta bënte këtë gjë një njeri që është në hierarkinë e lartë të politikës së këtij vendi natyrisht që punë e madhe, ka plot shpifës ordinerë politikë që e bëjnë këtë gjë në mënyrë persistente, që shpifin, fyejnë, masakrojnë njerëz nga shërbimi publik në mes të sallës së kuvendit.

Por kur e bën një njeri i tillë patjetër që duhet një përgjigje. Në rast se duhet të ishte menduar pak më shumë dhe nëse ato që i japin do i kish lexuar do i kish kontrolluar.

Prej vitit 2021 thuajse ka humbur së ekzistuari apo së përdoruri. Mondi, drejtori i policisë së Shkodrës është emëruar në detyrë në tetor 2023. Mondi ai që njoh unë është një nga djemtë më të mirë dhe më të ndershëm që ka policia e shtetit dhe që nuk kapardiset në hotelet e luksit po ha bashkë me policët në mensën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë atje. Mondi është një nga zyrtarët e policisë së shtetit që ka vënë para përgjegjësisë çdokënd të përfshirë në ngjarjen e Peshkëpisë pas vitesh harrese, prishje provash, shkatërrimi i gjithë atuj hetimi, Mondi ai Mondi që natyrisht ka qenë pas hetimit së atij ekstremistit grek me Dropull me automatik grek dhe pas shumë ngjarjeve hetimi me sukses dhe ka vënë para përgjegjësisë kriminelë. Mondi është ai që në Shkodër merr kërcënime nga mëngjesi në mbrëmje për veten, familjen e tij dhe policët atje. Të gjitha këto që u artikuluan këtu nuk janë pa qëllim. Kanë qëllim të mirëfilltë dhe të qartë ndaj atij shërbyesi të shtetit. Dy probleme ka parlamenti sot, politikanë që vijnë këtu e flasin në emër të prokurorit, në fakt duhet të flasin në emër të gjyqtarit, sepse kushtetuta kështu thotë, prezumohesh i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë. Pra flasin në emër të prokurorit, sepse marrin nga prokurori të dhëna dhe i keqpërdorin në kurriz të shërbyesve të shtetit.

Ndërkohë përmes një reagimi drejtori I policisë së Shkodrës i quajti shpifje deklaratat e Bardhit dhe paralajmëroi se do e padisë për kallëzim të rremë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:01
Bardhi e sulmoi, Braçe i del në krah drejtorit të policisë në Shkodër: Ha në mensë me FNSH e s'kapardiset në hotele luksoze! Hetoi ekstremistin grek Kacifas

 

Deputeti Erjon Braçe i doli në mbrojtje drejtorit të policisë së Shkodrës Edmond Sulaj, i cili në Shkodër merr kërcënime nga mëngjesi në mbrëmje për veten, familjen e tij dhe policët atje, dhe se akuzat janë të qëllimshme.

Pas sulmeve të Bardhit në parlament, se Sulaj u emërua në krye të policisë në Shkodër pas urdhrit të krimit, Braçe thotë se Sulaj ka vënë para përgjegjësisë penale ata që bënë masakrën e Peshkëpisë, ku dyshohet si i përfshirë edhe Fredi Beleri.

Si dhe është përfshirë në hetimin me sukses të shumë ngjarjeve kriminale, edhe atë të ekstremistit grek në Dropull me automatik, Konstandin Kacifas.

'Mondi ai që njoh unë është një nga djemtë më të mirë dhe më të ndershëm që ka policia e shtetit dhe që nuk kapardiset në hotelet e luksit po ha bashkë me policët në mensën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë atje. Mondi është një nga zyrtarët e policisë së shtetit që ka vënë para përgjegjësisë çdokënd të përfshirë në ngjarjen e Peshkëpisë pas vitesh harrese, prishje provash, shkatërrimi i gjithë atij hetimi, Mondi ai Mondi që natyrisht ka qenë pas hetimit së atij ekstremistit grek me Dropull me automatik grek dhe pas shumë ngjarjeve hetimi me sukses dhe ka vënë para përgjegjësisë kriminelë.

Mondi është ai që në Shkodër merr kërcënime nga mëngjesi në mbrëmje për veten, familjen e tij dhe policët atje. Të gjitha këto që u artikuluan këtu nuk janë pa qëllim.'

Ora 15:16
Bardhi e akuzoi se u emërua nga krimi, reagon drejtori i policisë së Shkodrës: Shpifje, do bëj kallëzim! Bisedat të 2021, jam emëruar 3 vite më vonë

1726146296_edmondsulaj.jpg

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka reaguar pas akuzave që Gazment Bardhi ngriti në Kuvend, duke thënë se është emëruar në atë pozicion nga eksponentë kriminalë. Sula thotë se kjo është një shpifje që synon të cenojë figurën e tij. Sulaj po ashtu thotë se është emëruar në këtë detyrë 3 vite pas periudhës së cilës i referohet Bardhi.

“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësues i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.

Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite  më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.

Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal. 

Faleminderit!

Ora 13:38
DYSHIMI/ Gazmend Bardhi gënjeu publikisht në Kuvend për bisedat SKY ECC! Lexon pjesë sikur janë të vitit 2023, por EUROPOL thotë se operacioni u bë më 2021

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ngriti akuza të forta ditën e sotme në seancën parlamentare, duke artikuluar disa biseda sekrete dhe të koduara nga platforma SKY ECC, të kapura nga partnerët ligjzbatues europianë.

Mes tyre edhe biseda se si emëroheshin drejtorët e policive, përfshi atë të Shkodrës, ku përmendi edhe emrin e ministrit aktual të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Bardhi në deklaratën e tij pretendoi dhe ngriti akuza sot në Kuvend, referuar komunikimit, që nëse është i vërtetë, ka ndodhur para Marsit të vitit 2021, por që dyshohet se qëllimisht e ka sjellë në vitin 2023, duke përfshirë personazhet në fjalë që t’i lidhte në kohën e emërimit (ku në fakt e përbashkët është vetëm data 12 Mars).

Kryepolici i Shkodrës Edmond Sulaj, që Bardhi ia përmendi emrin në Parlament, është emëruar dhe prezantuar më 12 Tetor 2023. Kurse EUROPOL thotë se çështja e SKY ECC për rrjetin e goditur dhe bisedat e kapura i përket operacionit të vitit 2021 (për koicidencë po 12 Mars), pra dy vite para se çfarë pretendon deputeti demokrat.

Bardhi tha se bisedat e përgjuara ku përmendet edhe kryepolici i Shkodrës, i përkasin vitit 2023, gjë që përgënjeshtrohet nga komunikata e asaj kohe e vetë EUROPOL-it.

Sipas Bardhit drejtori i policisë së Shkodrës është emëruar nga bandat.

“Unë po të pyes (i drejtohet Ramës) si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar.

Kodi pin i Sky ECC, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti?

Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën.

Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi (Edmond Sulaj, kryepolici aktual i Shkodrës) më duhet një dimër aty vëlla.

Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm. Dhe vjen ti këtu dhe akuzon opozitën, se të thotë që je i lidhur me krimin e organizuar? Patjetër që do japësh llogari”, tha Bardhi.

Por në fakt Sulaj u emërua në Tetor 2023, kurse bisedat e SKY ECC janë të vitit 2021.

Edmond Sulaj, ditën e prezantimit më 12 Mars 2023, si kryepolic në Shkodër

Ja sqarimi i Europol në faqen zyrtare më 12 Mars 2021, që hedh poshtë pretendimin e deputetit Gazmend Bardhi:

“Autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në Belgjikë, Francë dhe Holandë në bashkëpunim të ngushtë kanë mundësuar ndërhyrje të mëdha për të bllokuar përdorimin e mëtejshëm të komunikimeve të koduara nga grupet e krimit të organizuar në shkallë të gjerë (OCG), me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Monitorimi i vazhdueshëm i përdorimit kriminal të mjetit të shërbimit të komunikimit Sky ECC nga hetuesit në tre vendet e përfshira, ka ofruar njohuri të paçmueshme në qindra miliona mesazhe të shkëmbyera midis kriminelëve.

Kjo ka rezultuar në mbledhjen e informacionit thelbësor për mbi njëqind operacione kriminale të planifikuara në shkallë të gjerë, duke parandaluar situata të mundshme kërcënuese për jetën dhe viktima të mundshme.

Gjatë një dite aksioni më 9 mars 2021, u kryen një numër i madh arrestimesh, si dhe kontrolle të shumta shtëpish dhe sekuestrime në Belgjikë dhe Holandë. Operacioni është një pjesë thelbësore e përpjekjeve të vazhdueshme të gjyqësorit dhe zbatimit të ligjit në BE dhe vendet e treta për të penguar përdorimin e paligjshëm të komunikimeve të koduara, siç u shfaq tashmë vitin e kaluar pas dekriptimit të suksesshëm të platformës së komunikimit EncroChat.

Që nga mesi i shkurtit, autoritetet kanë qenë në gjendje të monitorojnë rrjedhën e informacionit të rreth 70 000 përdoruesve të Sky ECC. Shumë përdorues të EncroChat ndryshuan në platformën e njohur Sky ECC, pasi EncroChat u zbulua në 2020.

Duke zhbllokuar me sukses enkriptimin e Sky ECC, informacioni i marrë do të sigurojë njohuri mbi aktivitetet kriminale në shtete të ndryshme anëtare të BE-së dhe më gjerë dhe do të ndihmojë në zgjerimin e hetimeve dhe zgjidhjen e krimit të organizuar serioz dhe ndërkufitar për muajt, ndoshta edhe vitet e ardhshme.

Forcat e zbatimit të ligjit në të tre vendet kanë qenë në një qëndrim të vazhdueshëm gjatë muajit të fundit për të qenë në gjendje të japin reagime të shpejta ndaj aktiviteteve të mundshme kriminale të rrezikshme kur kërkohet. Informacioni i marrë rishtazi tani do të analizohet më tej.

Hetimet për mjetin filluan në Belgjikë, pasi telefonat celularë të sekuestruar gjatë kontrolleve treguan përdorimin e Sky ECC nga të dyshuarit. Në mbarë botën, afërsisht 170 000 individë përdorin rrjetin, i cili ka infrastrukturën dhe aplikacionet e veta dhe operohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, duke përdorur serverë kompjuterikë me bazë në Evropë.

Në shkallë globale, rreth tre milionë mesazhe po shkëmbehen çdo ditë përmes Sky ECC. Mbi 20 për qind e përdoruesve janë të vendosur në Belgjikë dhe Holandë.

Europol ka dhe do të vazhdojë t’u ofrojë autoriteteve të Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera të prekura mbështetje taktike, teknike dhe financiare dhe do të merret me këtë fluks të rëndësishëm informacioni mbi aktivitetet kriminale për të parandaluar kërcënimet për jetën dhe krimet e mëdha.

Eurojust ka ofruar këshilla dhe mbështetje në lidhje me bashkëpunimin gjyqësor ndërkufitar dhe ka organizuar 12 takime koordinuese për të mundësuar këtë bashkëpunim.

Agjencia do të vazhdojë të ofrojë këtë mbështetje dhe është e gatshme për këshilla të mëtejshme dhe mbështetje financiare operacionale ndërkufitare për të gjitha Shtetet Anëtare dhe vendet e përfshira, për të siguruar një bashkëpunim adekuat gjyqësor ndërkufitar".

Autoritetet e mëposhtme morën pjesë në operacion:

-Belgjikë: Zyra e Prokurorit Federal, Zyra e Prokurorit Publik Antëerpen, Zyra e Gjykatësit Hetues Mechelen, Policia Gjyqësore Federale, Policia Federale dhe Njësia e DSU
-Francë: Juridiksioni Kombëtar kundër Krimit të Organizuar (JUNALCO), Drejtoria Qendrore e Policisë Gjyqësore (DCPJ)
-Holandë: Shërbimi Kombëtar i Prokurorisë Publike, Zyra e Prokurorit Publik në Amsterdam, Policia Kombëtare
S.G/G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Polic #: 12/09/2024 16:23

    E kanë marrë vesh se Edmond Sulaj do të bëhet drejtor i përgjithshëm dhe nuk u pëlqen! E sulmojnë sepse është i drejtë dhe i papërlyer me asnjë!

    Përgjigju
  • tex: 12/09/2024 16:04

    nuk kuptova emri i kryepolit rezulton i vertet ne bisedat e 2021 apo eshte genjeshter???se tjeter gje manipulimi i dates per politik,po krejtesisht tjeeter gje kur emerimi i kryepolicit te jete bere ne tavolinat e krimit dhe ky emerim te ket ndodhur...ndofta do te ishte me mire qe ju gazetaret te sqaronit fillimisht nese personi qe flitet ne sky eshte kryepolici ne fjale ose jo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    SPAK merr të pandehur Berishën për korrupsion pasiv, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Braçe i drejtohet Bardhit: Po hapa bllokun për ata që janë zëdhënësa të krimit, dyqani i të mbathurave nuk do të vlejë për pampers

Braçe i drejtohet Bardhit: Po hapa bllokun për ata që janë zëdhënësa të krimit, dyqani i të mbathurave nuk do të vlejë për pampers