Ceremonia e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, një ngjarje që duhet të promovjë arritjet letrare të një viti në vend, këtë herë nuk u mbyll vetëm me emrat e tre fituesve, por la pas edhe pikëpyetje e debate.
Ndryshe nga një vit më parë, ku u ndanë çmime për gjashtë kategori, këtë herë u dhanë vetëm tre çmime, me të cilat u vlerësua romani “Epope intime” nga Enit Karafili, çmimi i përkthimit për përkthimin e veprës “Retorika” të Aristotelit nga Romeo Çollaku dhe çmimi për veprën më të mirë studimore për “Krijimi letrar në proces” nga Anila Mullahi (Elezi).
“Kjo strukturë realisht e përjashton poezinë, letërsinë për fëmijë dhe prozën e shkurtër si kategori të veçanta.”, thotë për “Report TV” studiuesi Behar Gjoka.
Por Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, argumenton se ndarja e vetëm tre çmimeve u bë pas një analize profesionale dhe nuk synonte përjashtimin e asnjë zhanri letrar.
“Çmimet kombëtare të letërsisë kanë pësuar ndër vite ndryshime strukturore, në varësi të prurjeve dhe vlerësimeve të jurive. Ndryshimet e këtij viti erdhën pas propozimeve të jurive të mëparshme.”, thotë drejtuesja e QKLL-së, Alda Bardhyli.
Bardhyli sqaron se çmimi i madh i letërsisë përfshin të gjitha gjinitë kryesore, mes të cilave edhe poezinë.
“Poezia nuk është përjashtuar, sepse çmimi i madh përfshin librin më të mirë të botuar gjatë vitit, qoftë në poezi, tregim apo roman.”, vëren ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej studiuesit Gjoka lidhet me rëndësinë e letërsisë për fëmijë dhe poezisë në formimin gjuhësor dhe kulturor të brezave të rinj.
“Letërsia për fëmijë është hallka lidhëse e brezit të ri me gjuhën dhe letërsinë shqipe. Nëse nuk e mbështesim, rrezikojmë vazhdimësinë kulturore.”, thekson Behar Gjoka.
Sa i përket letërsisë për fëmijë, Bardhyli thekson se kjo fushë mbetet një fokus i vazhdueshëm i institucionit.
“Ne çdo vit mbështesim autorë të letërsisë për fëmijë dhe kjo mbetet një prioritet për Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.”
Por Gjoka thekson se ndryshimi i rregullave duhet të ishte bërë publik përpara nisjes së procesit të konkurrimit dhe jo gjatë tij.
Komente










ku eshte katandisur letersia dallohet edhe nga foto shoqeruese, mjafton te shikoni me vemendje te parin, te treten dhe te gjashten . me kujton nje kohe te caktuar por ne nje vend te humbur e te pacaktuar :)
Përgjigju