Çmimi Pashko Gjeçi, nga Instituti Italian i Kulturës, synon të njohë punën e përkthyesve dhe të promovojë përhapjen e letërsisë italiane të pabotuar në shqip, ndërkohë që pjesëmarrës në garë ishin shumë projekte të nivelit të lartë.
Në edicionin e tij të parë, ai shkoi për përkthimin nga Alfred Bushi të “Quaderni del carcere” (29-35) (Fletoret e burgut) me autor Antonio Gramsci-n, si dhe për Diana Kastratin për përkthimin e “Le ambizioni sbagliate” nga Alberto Moravia (Ambicje të gabuara).
Përzgjedhja u bë nga një komision ku merrnin pjesë Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës, Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Piro Misha, drejtues i Bibliotekës Kombëtare.
“U përpoqëm të zgjidhnim vepra që kishin në të njëjtën kohë një përkthim cilësor dhe që kanë rëndësi në historinë e letërsisë italiane, janë relevante në kulturën italiane dhe që gjithashtu kanë ndikim brenda kulturës shqiptare.”, tha Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës.
Ruggera bëri me dije se të gjitha përkthimet ishin të nivelit të lartë, por disa prej tyre u përjashtuan nga gara për shkak se veprat ishin sjellë edhe më parë në shqip.
“Është vepër e rëndësishme kjo e Antonio Gramshit. Njëkohësisht edhe Moravia, emër i njohur që përfaqëson letërsinë italiane. Dëshiroj që radhën tjetër të ketë edhe më shumë vëmendje në letërësinë e re italiane të dekadave të fundit që është mjaft e pasur, mjaft interesante dhe që ka një rezonancë mjaft më të madhe te te lexuesit të rinj.”, tha Piro Misha, drejtues i Bibliotekës Kombëtare.
“Më vjen mirë që arritëm që ta konkretizojmë konkursin e parë të çmimit Pashko Gjeçi, një konkurs i cili mban emrin e një figure që ka dhënë një kontribut të madh përsa i përket prurjes në gjuhën shqipe nga kultura dhe letërsia e madhe italiane. Më vjen mirë që do kemi mundësi që të kemi dy vepra të rëndësishme të kulturës italiane, të dy autorë vërtetë të rëndësishëm siç është Antonio Gramshi apo Alberto Moravia, të dy autorë që kanë ardhur edhe më herët në gjuhën shqipe, por këto janë vepra të rëndësishme të krimtarisë së tyre.”, tha Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrës Kombëtare për Librin dhe Leximin.
Alfred Bushi, një nga fituesit e çmimit u shpreh se Gramshi është një figurë të cilën ai e njeh prej kohësh dhe dëshira për ta botuar ka qenë e vjetër. Sipas tij kjo vepër ka ende shumë ndikim në jetën politike dhe kulturore të ditëve të sotme.
“’Fletoret e burgut’ mbeten një kryevepër e literaturës në përgjithësi, sepse është shumë dimensionale. Flet si për kulturën, flet për politikën, për artin, për intelektualët. Është një vepër komplekse shumë e gjerë dhe kjo përzgjedhje që kemi bërë ka qenë për të dhënë një panoramë sa më të saktë të ideve kryesore të Gramshit.”, - tha përkthyesi Bushi.
Krahas përkthimit të veprave nga letërsia italiane në shqip, Instituti Italian i Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit janë angazhuar edhe në përkthimin e veprave nga letërsia shqiptare në italisht. QKLL mbështet çdo vit përkthimin e gjashtë veprave të letërsisë shqipe në gjuhë të tjera, ndërkohë që së fundi me përkrahjen e Insitutit Italian të Kulturës është përkthyer në italisht vepra e Dritëro Agollit, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Ndarja e Çmimit Pashko Gjeçi u bë në kuadër të edicionit XXV të Javës së Gjuhës Italiane në Botë.
Komente











