Debate për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK, ekspertët flasin për 'DW': S’ka logjikë të mbahen në paraburgim 5 vite

Debate për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK, ekspertët flasin për 'DW': S’ka logjikë të mbahen në paraburgim 5 vite

Ditët e fundit disa zyrtarë të partive politike opozitare akuzuan institucionet e Kosovës se nuk po japin garanci për lirim me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbrojtja e të akuzuarve të krerëve të ish-UÇK-së, kishte kërkuar më herët lirim me kusht për të akuzuarit, por kjo kërkesë ishte hedhur poshtë nga Dhoma e Gjyqtarëve të Apelit.

Njëri nga gjyqtarët e Gjykatës Speciale, Kai Ambos, përmendi në një opinion personal, i cili nuk ka të bëjë me vendimin për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, mundësinë që në të ardhmen "shtete të treta” mund të dalin si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar për lirim me kusht.

Reagime nga qeveria dhe presidenca

Por sipas zëdhënësit të qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, "Kosova nuk është "shtet i tretë”, sepse Gjykata Speciale ligjërisht është e Kosovës”. "Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë e as nga kryeministri i shtetit amë nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon sipas juridiksionit Gjykata Speciale. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese, ashtu siç po raportohet. Krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat, njëra vendore e tjetra ndërkombëtare, ashtu edhe në raport me personat apo institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë.

Edhe zyrtarë të presidencës së Kosovës thonë se Kosova në raport me Gjykatën Speciale është vend amë dhe nuk mund të japë garanci të tilla. "Çështja e garancisë është përmendur në mendimin e njërit prej gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos, i referohet qartë një shteti të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës. Kjo gjykatë është themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës si dhe vepron në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina.

Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se me gjithë debatin  e ngritur rreth garancisë për ish-krerët e UÇK-së që të lirohen me kusht, deri tani Kosova nuk ka marrë kërkesa për garanci për të akuzuarit e Speciales.

Ekspertët: Kosova mund të konsiderohet si vend i tretë

Njohës të çështjeve juridike thonë se në raport me Gjykatën Speciale Kosova mund të konsiderohet në këtë rast si vend i tretë. Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për drejtësi i tha DW-së, se shtetet sponsorizuese të Gjykatës Speciale nuk mund të dalin garant për të akuzuarit, sepse në perceptimin publik, kjo mund të cilësohet ndërhyrje në drejtësi.   

"Vend i tretë për të dhënë garanci lidhur me të akuzuarit në Hagë, është edhe Kosova, ose thënë ndryshe është vendi i parë në raport me shtetet tjera. Shtetet e fuqishme që kanë qenë sponsorizuese dhe promovuese të Gjykatës Speciale nuk dalin garant, sepse mund të konsiderohet si paragjykim dhe një lloj ndërhyrjeje në procesin gjyqësor, për shkak se kjo gjykatë financohet kryekëput nga këto shtete, prokurorët dhe gjykatësit vijnë nga këto shtete. Shtetet demokratike i kushtojnë rëndësi jo vetëm pavarësisë në ligj dhe procedurë, por edhe në dukje, dhe perceptimit në publik, thotë Ehat Miftaraj. Sipas tij, të akuzuarit në Hagë kanë qenë jashtëzakonisht bashkëpunues, dhe në bazë të praktikës, ligjit mbi dhomat e specializuara dhe rregullave të brendshme nuk do të duhej të mbahen më shumë së një vit në paraburgim.

"Në skenarin më të keq, me ose pa garanci nga Kosova ose një shtet i tretë, në momentin që gjykimi kalon në shqyrtim gjyqësor, të akuzuarit mund të mbrohen në liri. Përjashtimisht, kjo masë mund të ndryshojë, nëse nuk i respektojnë masat dhe kufizimet që mund t'u përcaktojë gjykata. Nuk ka logjikë që një proces gjyqësor i drejtë, që promovon të drejtat dhe liritë e të pandehurve, t'i mbajë në paraburgim të akuzuarit pesë vite, aq sa pritet të zgjas procesi gjyqësor në shkallë të parë”, thotë Ehat Miftaraj.

Krocia hedh poshtë lajmet për ofrim garancish

Mediet në Prishtinë si dhe në Serbi, njoftuan duke ju referuar ish-kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hysen Berisha, se "Kroacia ka ofruar garanci për lirimin me kusht nga Gjykata Speciale të krerëve të UÇK-së”. Por, kjo u hodh poshtë nga presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

"Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë, sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, tha Milanoviq gjatë një vizite në qytetin kroat, Sisak.

Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi në tetor të vitit të shkuar aktakuzën ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, të cilët tashmë po gjykohen në Hagë të akuzuar krime lufte.

Ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Sipas prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara, këto vepra janë kryer ndërmjet marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999./DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ish ministri dhe ish kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa në SPAK (VIDEO)

Ish ministri dhe ish kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa në SPAK (VIDEO)