Debatet/ Gjana, Alibeaj e Salianji
kundër ish ministrave: Të konsumua

Debatet/ Gjana, Alibeaj e Salianji<br />kundër ish ministrave: Të konsumua
Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike është shoqëruar me debate lidhur me delegimin e kryetarëve të grupeve të punës në 12 qarqet e vendit.
 
Basha propozoi dhe Kryesia votoi që drejtues të qarqeve për përgatitjen e zgjedhjeve do të jenë ish ministrat e kabinetit “Berisha”, si Ridvan Bode, Genc Pollo, Genc Ruli, Flamur Noka apo dhe Arben Imami.
 
Por ky propozim nuk është pritur mirë nga disa prej anëtarëve të kryesisë.
 
Burime të Shqiptarja.com pranë PD tha se Enkelejd Alibeaj, Jemin Gjana dhe Evin Salianji i kanë cilësuar propozimet e Bashës si figura të konsumuara dhe se duhet tu hapet rruga figurave të reja dhe me reputacion pozitiv në Partinë Demokratike.
 
I prerë në qëndrimin e tij, të cilin e ka dëshmuar edhe duke votuar kundër shumicës së kryesisë, ka qenë Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji. Ai ka shprehur jo pak rezerva për emrat e propozuar nga Basha, duke iu referuar rekordeve të tyre elektorale në dy zgjedhjet e fundit, ku PD ka pësuar humbje të thellë.  
 
Salianji i është drejtuar Bashës me fjalët se shqiptarët presin të përfaqësohen nga ekipi i ri Basha dhe jo nga imazhi i humbjes së zgjedhjeve 2013-2015.
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi ish ministrave të cilët kanë kërkuar që të mos identifikohen si shkaktarët e vetëm të humbjes, por të ndahen përgjegjësitë para dhe pas procesit zgjedhor.
 
Vetë kryetari demokrat, Lulzim Basha, është shprehur se në procesin e organizimit zgjedhor të Partisë Demokratike ka zgjedhur si kriter përvojën. “Zotërinj, anëtarë të kryesisë, unë kam zgjedhur si kriter përvojën. Çështja organizative nga imazhi elektoral janë dy gjera të ndryshme. Ne jemi parti që në ditët më të këqija marrim mbi 500 mijë vota. Ndaj kërkoj fokusim të plotë në objektivat tona për rikthyer parti e parë në vend”, mësohet të jetë shprehur Basha.  
 
Pavarësisht debatit dhe kundërshtive të shprehura nga disa prej anëtarëve të kryesisë, Basha nuk është tërhequr dhe ka hedhur në votim emrat e propozuar prej tij. Kundër ka votuar vetëm Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji.
 
Ndërkaq, sipas vendimit të sotëm të kryesisë në drejtimin elektoral të Partisë Demokratike në Tiranë do të jetë Edi Paloka, në Shkodër  Arben Ristani, në Durrës Arben Imami, në Kukës Sherefedin Shehu, në Lezhë Jemin Gjana, në Gjirokastër Tritan Shehu, në Fier Genc Pollo, në Elbasan Edmond Spaho, në Korçë Genc Ruli, në Vlorë Flamur Noka, në Dibër Gent Strazimiri dhe në Berat Ridvan Bode.
 
Ka qenë pikërisht ky momenti i cili ka sjellë reaksion në selinë blu, pasi vendimi i Bashës është cilësuar si hap drejt rehabilitimit të ish ministrave të Berishës, të cilët janë identifikuar edhe si shkaktarët e dy humbjeve radhazi të demokratëve.
 
Debatet sot në kryesinë e PD
 
Lulzim Basha: Sqaroj se, emrat e propozuar për organizimin zgjedhor, nuk do të jenë kryesuesit e listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare. 

Ervin Salianji: Zoti kryetar, emrat që ju propozuat për t’i deleguar në rrethe janë figura të konsumuara. Mendoj se ka ardhur momenti që të dalë në pah ekipi “Basha”... Duhet ekipi Basha...dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme me një fytyrë të re.
 
Arben Imami: Nuk kemi vetëm ne përgjegjësi për humbjen.
 
Flamur Noka: Ne nuk mund të quhemi të konsumuar.
 
Ervin Salianji: Shqiptarët presin ekipin Basha, zotëri...Ka ardhur momenti që të shkojmë përpara shqiptarëve me një imazh tjetër.
 
Enkelejd Alibeaj: Jam plotësisht dakord me Salianjin. Duhet të kemi një kriter për performacën e tyre.
 
Jemin Gjana: Jam plotësisht dakord me z.Salianji. Duhet të jemi më të kujdesshëm në këtë pikë, pasi siç e dimë ka jo pak probleme mes deputetëve, kryetarëve të degëve dhe drejtuesve të Grupeve të Punës.
 
Lulzim Basha: Zotërinj, anëtarë të kryesisë, në këtë proces unë kam zgjedhur si kriter përvojën. Çështja organizative nga imazhi elektoral janë dy gjera të ndryshme. Ne jemi parti që në ditët më të këqija marrim mbi 500 mijë vota. Ndaj kërkoj fokusim të plotë në objektivat tona për rikthyer parti e parë në vend. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, hidhet shorti, vendimin do e ekzekutojë prokurorja Elona Alvora

Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, hidhet shorti, vendimin do e ekzekutojë prokurorja Elona Alvora