“Unë nuk kam ndërhyrë asnjëherë në jetën time tek asnjë gjykatës, jo më për të të hequr mandatin Koçon. Por, ç’ju them më. E gjithë përgjegjësia bie mbi mua. Ndaj unë propozoj që ai nuk mund të jetë më as anëtar i Asamblesë Kombëtare. Mund të jetë anëtar i thjeshtë PS-së. Unë jam i fundit që duhet të flas për këtë çështje. Nuk dua të ndalem në këtë histori, por dua të sqaroj se agravimi i çështjes arriti deri aty sa nuk mund të tolerohej më, edhe sikur unë të doja”- mësohet të ketë thënë Rama para anëtarëve të Asamblesë.
Po ashtu, fjalën e ka marrë edhe Fatmir Xhafaj. Deputeti ka lënë të kuptohet në fjalën e tij se faji që Kokëdhima arriti në këtë pikë, është i tolerancës dhe pushtetit të gjerë që ju dha nga kupola e partisë.
“Ne nuk duhet të ndalemi më gjatë në çështjen nëse iku apo u dorëhoq Kokëdhima. Ne duhet të dalim nga kjo Asamble me disa konkluzione: pse u arrit në këtë pikë? Këtë nuk mund ta bënte kushdo. Dhe askush nuk mund të arrijë deri këtu, kot. Arsye të tjera kontekstuale ja mundësuan këtë pavarësi dhe keqpërdorim të saj. Këtu duhet të përqendrohemi ne”- ka thënë Xhafaj.
Ndërkohë, pas kësaj, Ruçi ka ftuar kryetarin e PS-së së Vlorës, Anduel Tahiraj të sqarojë çështjen.
“Lëvizjet paralele na kanë dëmtuar. Njerëzit e strukturave ishin në vështirësi se ku të vinin. Në cilat mbledhje të merrnin pjesë e në cilat jo. Emërimet e bëra nga koordinatori që kishin nuk respektonin asnjë kriter të ligjshmërisë dhe meritokracisë. Njerëzit me kontribute gjatë viteve të opozitës nuk u respektuan, ndërkohë drejtorë të rëndësishëm u vendosën pa lidhje me PS-në, mbase edhe me histori në parti kundërshtare. Urdhrat e tij për shkarkime të pa arsyeshme e kanë vënë shumë herë në vështirësi dhe kanë krijuar pakënaqësi”- ka thënë Anduel Tahiraj, kryetar i PS-së në Vlorë.
Në diskutim është përfshirë edhe deputeti Erjon Braçe: “Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, ai ka vepruar në kundërshtim me statutin. Të gjitha lëvizjet e tij në bazën e partisë kanë qenë në kundërshtim me statutin. Ka munguar në të gjitha mbledhjet e kryesisë”.
Gramoz Ruçi ka kujtuar se Kokëdhima e ka shkelur statutin edhe me zgjedhjen e tij si anëtar asambleje. “Shoku Koço edhe në Asamble u bë anëtar përmes një kërkese jashtëstautore. Ai si deputet mund të ishte automatikisht anëtar, por hyri me listën e kandidatëve të Vlorës, gjë që nuk e përcakton statuti i partisë. Dhe kjo dihet përse u bë, sepse dihej që Gjykata Kushtetuese do t’i hiqte mandatin e deputetit”,-ka thënë Ruçi.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com