Debatet/ Ruçi mesazh PD-LSI,
u kujton fatin e ‘Vetëvendosjes’

Debatet/ Ruçi mesazh PD-LSI,<br />u kujton fatin e ‘Vetëvendosjes’<br>
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dhënë një mesazh të fortë deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të përfshirë në akte dhune gjatë seancave plenare, teksa u ka kujtuar fatin e katër deputetëve të ‘Vetëvendosjes’, të arrestuar dhe dënuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. 

Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, në datën 11 janar, Ruçi ka pohuar se në Kosovë deputetët janë dënuar për akte prishjen e seancave plenare. Ruçi ka shtuar se se Garda e Republikës, gjatë seancës së zgjedhjet së Arta Markut kryeprokurore të përkohshme, nuk e ka penguar Sali Berishën të flasë as me urdhrin e tij dhe as me të Edi Ramës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës, kryetari i grupit parlamentar, Edmond Spaho dhe deputetët Edi Paloka dhe Fatmir Mediu, kanë kërkuar disiplinimin e Gardës së Republikës që të mos ndërhyjë në zhvillimet gjatë seancave plenare.

Deputeti Edi Paloka është akuzuar edhe për Policinë e Shtetit, e cila sipas tij është përpjekur që të ndalojë deputetët e opozitës jashtë sallës së Kuvendit. Nga ana tjetër, deputeti Genc Pollo ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ndalimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga ana e gardës, për të mbajtur fjalën, të cilën ia kishte dhënë kryetari i Kuvendit. Gjatë diskutimeve, opozita ka kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ndërsa ky i fundit i ka ftuar që të bëjnë një mocion mosbesimi.

Diskutimet në Konferencën e Kryetarëve

Edmond Spaho: Z. kryetar, sikur e dini në datën 18 dhjetor gjatë seancës së fundit të Kuvendit është kryer një shkelje e rëndë e Kushtetutës, një puç kushtetues mund ta konsideroja, me urdhër të Edi Ramës, por edhe me dijeninë, miratimin dhe zbatimin nga ana juaj.

Kuvendi i Shqipërisë me votat e mazhorancës në kundërshtim të plotë me përcaktimet kushtetuese, të cilat kërkojnë që Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet me 3 të 5 e votave, i propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe pasi të ketë kaluar procesin e Vetingut, në fakt u zgjodh ne 69 vota, me propozimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe pa kaluar procesin e Vetingut.

Qëllimi i shkeljes flagrante të Kushtetutës sipas mendimit të opozitës, sigurohet mbrojtja politike Edi Ramës si edhe një mbrojtje antiligjore, por jo vetëm atij por edhe ministrave dhe enturazhit që e rrethon, të cilët pas marrjes së mandatit të dytë nëpërmjet blerjes së votave gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit e kanë kthyer qeverisjen e vendit në qeverisjen të grupeve kriminale dhe të klaneve të drogës, për me keq po rrënojnë ekonominë nëpërmjet abuzimit me fondet publike, vjedhjes pa fre dhe korrupsionit.

Në këto kushte, ku është shkelur Kushtetuta, kur qeveria është bërë streha dhe zëdhënësja e grupeve kriminale dhe e klaneve të drogës, kur reforma në drejtësi ka rënë tërësisht dhe institucionet janë delegjitimuar, si dhe për rolin që ju luajtët në datën 18 dhjetor si hapi i parë i kthimit të Parlamentit në normalitet, ne do të kërkonim dorëheqjen tuaj nga funksioni i Kryetarit të Kuvendit.

-Taulant Balla: Pavarësisht përpjekjes time për të mos hyrë në replikë, do të doja thjesht të thosha që nëse një veprim apo një vendim i Kuvendit është i ligjshëm apo i pa ligjshëm kjo nuk caktohet për mes fjalëve dhe fjalosjeve të një Kryetari Grupi apo të një përfaqësuesi të një partie politike. Kushtetuta ka përcaktuar qartë rastet dhe mënyrat se si adresohet rasti i supozuar i një shkeljeje kushtetuese.

Kemi dëgjuar në vitin e kaluar që do të kishte kërkesë në Gjykatë Kushtetuese apo nisma të tjera. Çdo grup parlamentar, 28 deputetë janë legjitimuar pranë Gjykatës Kushtetuese për të bërë hapat kushtetues për çdo vendim që ata mendojnë që është antikushtetues.

-Fatmir Mediu: Z. Ruçi, të nderuar kolegë, duke u pajtuar me atë çka parashtroi z. Spaho në vlerësimin e tij, por edhe në të gjithë analizën që bëri për veprimin e Kuvendit në datën 18 dhjetor 2017, si një veprim tërësisht antikushtetues, me qëllime të qarta politike, unë dua të shtoj edhe një çështje tjetër që lidhet po me zhvillimin e seancës. Zoti kryetar, Kuvendi është i deputetëve, nuk është as i Qeverisë dhe as i Gardës së Republikës. Sjellja e Gardës së Republikës në Kuvendin e Shqipërisë është tërësisht e papranueshme, aq më tepër kur bie ndesh me vendimet tuaja apo me të drejtën tuaj.

Në qoftë se ne kemi arritur në një Kuvend ku Garda e Republikës ndërhyn jashtë autoritetit tuaj dhe jashtë procedurës që caktoni ju, ky është një moment jashtëzakonisht shqetësues, ku duket qartësisht që ajo çka ndodh në Kuvend nuk vendoset më as nga ju dhe as nga Kuvendi, por nga struktura të tjera nga më e pakta tek ekzekutivi. Ne duhet në mënyrë urgjente të shqyrtojmë jo vetëm atë që ka ndodhur, por të gjitha raportet e sjelljeve të trupave jashtë parlamentare, gjatë procesit në Kuvendin e Shqipërisë.

Është e paprecedent dhe shumë problematike dhe mund të krijojë gjithë kohës tensione të papranueshme në sallë dhe madje shpesh tensionet provokojnë sjellje të tjera. Ata kanë një detyrë të përcaktuar me ligj “Për mbrojtjen e autoriteteve”, por nuk kanë asnjë detyrë për të ndaluar deputetët për të folur jashtë apo brenda radhës që përcaktoni ju, mënyrën e veprimit e përcaktoni ju si Kryetar i Kuvendit, prandaj do desha jo vetëm të analizohet ajo që ka ndodhur, e cila është skandaloze, e papranueshme, por njëkohësisht të shikojmë njerëz të përgjegjshëm në Kuvendin e Shqipërisë se kush është roli i deputetëve dhe kush është roli tuaj atje.

-Edi Paloka: Ajo që ndodhi në seancën e fundit është shumë më tepër se kaq që po ju themi ne, është një akt i hapur që për mua shënon një hap më tej në drejtim të diktaturës. Këto fakte që u përmendën këtu nga kolegët e mi, shkelja e Kushtetutës ka ndodhur dhe herë tjetër në parlamentin tuaj është e vërtetë, ka ndodhur dhe që ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese dhe ky parlament nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, meqë po na kërkohet të shkojmë dhe të ankohemi në Gjykatë Kushtetuese, por ajo që ndodhi këtë herë është më e rënda nga çdo rast tjetër, sepse po përdoret parlamenti për të mbrojtur krimin.

Ju që bërtisnit deri dje Vetingu, Vetingu sa i bëtë qytetarët shqiptarë tu dilte Vetingu në ëndërr, sot keni vendosur një prokuror që, jo vetëm nuk ka bërë Vetingun, por është vënë aty me të vetmin qëllim që të mbrojë të korruptuarit dhe të inkriminuarit që janë radhët e qeverisë tuaj dhe në parlamentin tuaj. Prandaj nuk mund të merret kaq lehtë kjo çështje.

Ajo që tha z. Mediu për Gardën, unë e di që nuk e keni dhënë ju urdhrin, por kjo është edhe më e rëndë akoma, që një Kryeministër frikacak për shkak të paranojës së tij detyrohet të përdorë dhe Gardën për t’iu hequr të drejtën e fjalës deputetëve dhe ndërkohë jashtë policia, ajo polici që drejtohet nga njerëz që sot janë në të gjithë dosjet e shërbimeve të sigurisë të partnerëve tanë, si e lidhur me krimin, si bashkëpunëtore e krimit, përpiqet të ndalojë deputetët e opozitës, pikërisht në momentin kur do votohej në sallë dhe kur kryetari i grupit tuaj vidhte kartat e deputetëve të opozitës, përpiqet të ndalojë dhe deputetët që të hynë në sallë dhe çfarë ndodh mbas kësaj? Po ajo polici kërkon procedimin e deputetëve, çon nëpër biruca policie qytetarët që kishin dalë të mbronin Kushtetutën, prandaj kërkesa që bëri kolegu im për dorëheqjen tuaj nuk është naivitet nga ana jonë.

-Genc Pollo: Z. Kryetar, Ju e keni thënë vetë, që garda gaboi me z. Berisha, sepse Ju i dhatë fjalën dhe Ai u pengua në mënyrë arbitrare. Pa e ekzagjeruar duket si pushtet ushtarak në një autoritet legjitim kushtetues e civil. Kjo mund të tingëllojë e ekzagjeruar por, po ta shikosh nga distanca kështu del. Del edhe më shumë pasi Ju e pranuat që ishte gabim, por gabimi, mund të quhet faj, mund të quhet krim, por, ta themi, gabim paguhet, mbahet përgjegjësi. Juve ju jep ligji autoritetin e plotë mbi gardistët për sa kohë ata shërbejnë në Kuvend, jo për gjëra të tjera.

Fakti është se nuk është marrë asnjë masë dhe nuk ka ndodhur asnjë ndëshkim, çka hap rrugën e përsëritjes, pasi pandëshkuaeshmëria këtë sjell. Ky është njëri nga rastet, më flagranti dua të them, por ka pasur dhe raste të tjera. Çështja e dytë, përsëri në kuadrin seancës plenare dhe shkeljes së rregullave dhe normalitetit. Unë jam një ndër deputetët, të tjerët nuk janë në Konferencë të Kryetarëve, të cilët në mënyrë të ndërgjegjshme nuk morën pjesë as në votimin për prezencën dhe as në votimin për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm dhe megjithatë nga dokumenti që kam marrë nga administrata e Kuvendit, unë rezultoj votues.

Ndoshta vendi për ta ngritur është në seancë plenare kur të shqyrtohet procesverbali i seancës, por unë po e them këtu meqenëse jam në këtë mbledhje. Ju si Kryetar i Kuvendit mund të mos keni direkt përgjegjësi, por pasi konstatuat atë që ka ndodhur dhe pasi unë po jua them ballë për ballë do bëni diçka për këtë gjë, do ta quani të ligjshëm atë votim, do merrni masa se si ndodhi edhe ndaj atyre që janë përgjegjës? Megjithatë kjo është një çështje për seancën plenare, por paraprakisht po e ngre këtu meqë jam dhe vetë personalisht. Faleminderit.

-Edmond Spaho: Z. Kryetar, ne ngritëm një sërë shqetësimesh, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e Kushtetutës, por ndeshëm me heshtjen Tuaj të plotë dhe të kolegëve tuaj dhe përpjekjen për ta kanalizuar këtë Konferencë Kryetarësh në një Konferencë normale të miratimit të programit dhe kalendarit. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë, ndaj po ju lëmë në punën tuaj dhe të vazhdoni kështu si e keni nisur.

-Gramoz Ruçi: Unë kisha disa mendime lidhur me ato që ngriti opozita. Në seancën e fundit apo në sesionin e kaluar gjithçka mund të ndodhte, por ajo që ndodhi nuk nderon asnjeri, as mazhorancën, as opozitën dhe as Parlamentin. U godit rëndë Parlamentarizmi Shqiptar, u godit rëndë imazhi i Shqipërisë, pavarësisht se kush e ka përgjegjësinë. Kur them imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve kam parasysh në raport me objektivat që ka Shqipëria këtë vit politik, siç është 2018-ta në raport me hapjen e negociatave.

Kur them që u godit parlamentarizmi dhe imazhi i Shqipërisë, këtë nuk e bëri Garda, pasi Parlamenti nuk është i Gardës dhe gardistëve. Nëse bëjmë gabim njerëzor, të cilin unë që në atë moment brenda 5 minutave e kam korrigjuar direkt live në sallë dhe menjëherë padrejtësia, nëse do ta quajmë kështu, ndaj deputetit Berisha u vu në vend, duke u larguar garda dhe ai vazhdoi fjalën. Por nuk ishte garda që goditi parlamentarizmin dhe që prishi imazhin e Shqipërisë atë ditë. Ishte sjellja e pa precedent e deputetëve të caktuar të opozitës, të cilat nuk duhet të ndodhin më në Parlamentin Shqiptar. Duhet të jetë e qartë dhe retorika që, atë të gardës se bëra unë, por e bëri Edi Rama, nuk ka vend as për të aluduar e le pastaj për ta menduar një çështje të tillë.

Prandaj, është përgjegjshmëria jonë që të gjithë bashkërisht, ashtu sikur unë bëra në emër të të gjithëve dhe jo vetëm të mazhorancës, pasi nuk kërkova falje unë për drejtim të gabuar të parlamentit në emrin tim apo të mazhorancës, por kërkova në emër të të gjithëve dhe të atyre që hoqën çizmet dhe të atyre që ushtruan trysni dhe morën kartat elektronike të deputetëve për të mos ushtruar funksionin e tyre si parlamentarë, dhe të atyre që përdorën mjete dhe sende aspak etike, por po marrim shembullin e vëllezërve tanë kosovarë që kolegët atje janë ndaluar, janë arrestuar dhe janë dënuar.

Për sa u përket retorikave të tjera, që unë duhet të jap dorëheqjen, nëse opozita ka ndërmend të bëjë mocion, ato punë janë të përcaktuara. Të bëjë mocion për mosbesim për Kryetarin. Kryetari i Kuvendit nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen se e kërkon opozita. Mesa duket opozita nuk ka ardhur për të ushtruar funksionin e tyre sipas Rregullores dhe procedurave parlamentare, për të diskutuar për programin dhe kalendarin.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Itali, shqiptari qëllohet për vdekje me thikë nga bashkëatdhetari i tij

E rëndë në Itali, shqiptari qëllohet për vdekje me thikë nga bashkëatdhetari i tij