Kryeqyteti do të ketë shumë shpejt një teatër të ri modern pa kullë në vendin ku është sot teatri. Garancinë e ka dhënë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pas debatit të ditëve të fundit nga komuniteti i aktorëve. Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës  në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës do të nisë shumë shpejt ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar e cila do të jetë e denjë për artistët si dhe për publikun artdashës.

Unë kam një lajm të mirë sot. Ne tashmë e kemi marrë një vendim, nuk është sekret. Tirana do të ketë një Teatër Kombëtar  modern, pa kullë sipër, në vendin ku është teatri sot do të jetë ndër më të mirët në Evropë  dhe jemi të vendos që në kohë rekord ne ta zhvillojmë këtë projekt. Ju premtoj sot publikisht që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, me Kryeministrin, me ministren e Kulturës dhe të gjithë dashamirësit , ne do të kemi një Teatër Kombëtar  të paprecedentë në të të gjithë Europën”, theksoi Veliaj .

Kreu i Bashkisë u shpreh se sikurse të gjitha projektet e mira, kërkohet durim dhe bashkëpunim nga të gjithë. “Por si çdo projekt, sidomos projektet e sofistikuara duan durim, duan bashkëpunim. Ajo që do të shikoni sot në skenë duke filluar nga Inva Mula e gjithë të tjerët është produkti i njerëzve që i bëjnë gjërat me durim , që mundohen të bëjnë histori, jo histeri dhe nëse ne i bëjmë gjerat me durim dhe me mirëkuptim  ashtu siç dukeshin të pamundur ndonjëherë  sheshi “Skënderbej” apo Pazari i Ri apo këndi i lodrave apo debate të tjera që ne kemi pasur  thuajse duke u kacafytur me njëri-tjetrin, që sot kanë dalë produkte të mrekullueshme. Do të jemi krenarë që falë mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme që veç e veç nuk i bëjmë dot”, tha ai.

Artistët ditët e fundit kanë protestuar duke kundërshtuar largimin nga godina e sotme e Teatrit Kombëtar dhe kërkuan sqarime e transparencë për projektin e teatrit të ri. Por, kryebashkiaku Veliaj sqaroi gjithçka duke qartësuar të gjithë aktorët se teatri i ri që do të ndërtohet nuk do të ketë kullë. Deklaratën Veliaj e bëri gjatë një aktiviteti në Pallatin e Kongreseve në kuadër të miqësisë Shqipëri-Austri.

d.b/shqiptarja.com