Debati, fotot me Enverin që
inkriminojne Agollin e Buzen

Debati, fotot me Enverin që<br />inkriminojne Agollin e Buzen
TIRANE- Gazeta “Shqiptarja.com” vazhdon debatin mbi rolin e vërtetë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në dënimin e artistëve në periudhën e komunizmit.

Këtë herë “Shqiptarja.com” publikon ekskuzivisht dy foto surprizë ku Enver Hoxha shfaqet në krah të Dritëro Agollit dhe Kujtim Buzës.

Kjo është shfaqja e parë e diktatorit në publik pas vrasjes së Mehmet Shehut. Një takim urgjent dhe pikërisht mes artistëve në Galerinë Kombëtare të Arteve, me Dritëro Agollin dhe Kujtim Buzën në krah, të organizuar në mënyrë të rrufeshme, brenda 2 orëve.Dritëroi dhe Kujtim Buza ndodhen në krah të diktatorit duke duartrokitur.

Ç’kishte ngjarë? Si lidhen këto dy fotografi me rolin, detyrat dhe dënimet e Lidhjes së Shkrimtarëve? Mund ti lexoni sot në gazetën Shqiptarja.com. Arstisti piktor Vazhdon rrëfim i piktorit që akuzon dyshen Agolli-Buzi.

Maks në përgjigjen tënde të drejtpërdrejtë, për Kujtim Buzën, rast të cilin nuk e ndani nga Agolli, ju sillni dy fotografi, të cilat kanë një histori dhe konotacion të veçantë… Mund të na e shpjegoni?
Po është një ngjarje shumë e rëndësishme për mua. Ajo foto dëshmon daljen e parë publike të Enver Hoxhës pas vrasjes së Mehmet Shehut. Në atë kohë kam qenë në burg. Ne e përjetuam me një gëzim të madh vetëvrasjen e tij. Për mua nuk ka shumë rëndësi është vrasje a vetëvrasje. Ai i parashikonte tmerret që do të pësonte familja e tij. Mehmeti Zhduku gjeneralët, Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin… Ata zhduknin njëri tjetrin. Ishte një mekanizëm që i hante të gjallë. Në këtë kuptim nuk kishte pse të të vinte keq. Por mënyra si e bënin ishte e tmerrshme. P.sh unë e njihja djalin e tij të madh Ladin, ishte djalë i edukuar. E vranë në Gramsh…
Pas kësaj, ne që i ndiqnim ngjarjet nga Spaçi e që mundoheshim të përkthenim kodet e ngjarjeve prisnim: Çfarë qëndrimi dhe çfarë aparence do të mbante Enver Hoxha. Ku do të shfaqej ai për herë të parë. Për habinë time, jashtë çdo parashikimi, Enver Hoxha shfaqet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ishte dhjetor.
Pra kjo ishte dalja e parë publike pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Kjo është ngjarje shumë e rëndësishme për mua, sepse tregon se Enveri, Lidhjen e kishte si një farë kazani, ku ai lante duart. Siç ndodh me katolikët që lagin dorën në ujin e bekuar e bëjnë kryqin për të larë mëkatet, edhe Enver Hoxha, sa herë donte të lante mëkatet kishte Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Pse e cilësoni kaq të rëndësishëm rolin e Lidhjes së Shkrimtarëve?
Lidhja ishte një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për regjimin. Dritëro Agolli ishte në nivelin e një sekretari të Komitetit Qendror, a një anëtari të Byrosë Politike.
Atëherë ishin katër klasa: ajo e fshatarëve, klasa e punëtorëve, klasa e intelektualëve dhe burokratëve të Partisë së Punëve. Zhvendosja nga njëra klasë në tjetrën ishte jashtëzakonisht e vështirë edhe më e vështirë se të dilje jashtë shtetit. Një fshatar nuk bëhej dot punëtor, e një punëtor nuk bëhej dot intelektual.
Dy klasat e para i administronte relativisht lehtë. Gjithë problemi ishte me intelektualët, në mënyrë që të shndërroheshin në një vegël të Partisë. Në këtë kuadër intelektualët, të cilët i përkisnin fushës së shkencës, nuk kishin ndonjë rol të madh, kurse ata intelektualë që ishin në zonën e elitës shoqërore, ata kishin shumë rëndësi.
Lidhja kishte nën administrim një detashmen shumë të rëndësishëm, më intelektualin e Shqipërisë, që përputhej me propagandën e Partisë: kinemanë, teatrin, estradën, ansamblin e valleve, filmin, baletin, muzikën, festivalin e këngës, librat, skulpturat, pikturat... Të gjitha këto administroheshin nga Lidhja. Ndaj ishte shumë i rëndësishme ai që do të ishte në krye të Lidhjes.
Më kujtohet diçka, që as e kam thënë, e as e kam shkruar më parë.
Çuditërisht kur vajta në Spaç, kishte rreth 800 të dënuar, dhe kishim vënë re, se po kaq kishte anëtarë të Lidhjes në Tiranë. Më vonë u bënë 900 të burgosur në Spaç e po kaq vajti numri i anëtarëve të Lidhjes në Tiranë. Më tej 1000-1100 të burgosur në Spac e po kaq anëtarë në Lidhje. Perandoria e Dritëro Agollit, pra, ishte shumë e madhe dhe e rëndësishme.
Prandaj kishte shumë rëndësi edhe dalja për herë të parë e Enver Hoxhës, pas vrasjes së Mehmet Shehut, pikërisht në Galerinë e Arteve. Po të shikoni fotografitë, atë e shoqëronin pikërisht këta dy persona Dritëro Agolli dhe Kujtim Buza. Dhe në fund para se të largohet, Enver Hoxha duartroket Kujtim Buzën. Vini re, nuk është Kujtim buza ai që duartroket Enver Hoxhën, por e kundërta…(qesh).
Por, është shumë interesant edhe organizimi i këtij takimi. Nuk dua të përmend emra, por kam kërkuar, kam qenë shumë kurioz për këtë ngjarje dhe kam marrë vesh se ky takim është organizuar shpejt e shpejt, në kohë rekord, në dy orë, nga Sekretari i Partisë së qytetit. Kanë thirrur dikë nga Lidhja dhe kanë bërë listën e atyre që duhej të ishin në takim me Enver Hoxhën. Urdhri, me sa dukej ka ardhur në drekë dhe ky takim u përgatit në kohë rekord në Galerinë e Arteve.
Rëndësia e Lidhjes, pra, u rrit bashkë me krimin. Sa më shumë anëtarë të byrosë politike pushkatoheshin aq më tepër rritej rëndësia e Lidhjes.
Pse?
Sepse njëkohësisht Nexhmija kishte vendosur të ngrinte në maksimum personalitetin e Enver Hoxhës. Dhe këtë e bënte me të gjitha mënyrat, me botimet e veprave të tij, me historinë e Partisë, por kryesisht me art. Pra Enveri duhej të ngrihej në art. Dhe këtë detyrë e kishin të dy: kryetari dhe sekretari i Lidhjes. Dritëro Agolli dhe Kujtim Buza, veçanërisht ky i fundit, i cili vizitonte të gjithë studiot e artistëve, dhe jepte direktiva të sakta se çfarë duhej të bënin, çfarë duhet të korrigjonin, ishte ai që përcaktonte se kush do të merrte pjesë në ekspozita, kush do të merrte çmime… pra ishte personi numër një i Nexhmijes për ngritjen e figurës së Enver Hoxhës. Dhe ai i mori shpërblimet…

Të ç’natyre ishin këto shpërblime?
Ai dilte pafundësisht jashtë, në Francë, në Belgjikë, në të gjithë vendet ku kishte qenë Rnver Hoxha. Këtë periudhë ai arrin dy qëllimet e tij kryesore. Ngritja dhe vlerësimi në maksimum i babait të tij, Abdurrahim Buzës, që sot rezulton se nuk është e vertetë (në një shkrim kam thënë se Abdurrahim Buza nuk është piktor modern, por piktor naiv, popullor dhe nuk ka lidhje arti naiv me modernitetin).
Por s’mjaftonte kjo. Duhej që edhe ai vetë të ishte një gjeni! Fakt është se Galeria e Arteve disponon sot 178 vepra të blera të Kujtim Buzës.
Ishte kjo për famë apo për para?
Të dyja, por unë besoj më shumë për para. Ai vendosi në këtë kohë Drejtor të Galerisë Dhimitraq Trebickën. Është edhe këtu në këto dy foto. Ai kishte për detyrë t’i blinte Kujtim Buzës të gjithë veprat. Ato 178 vepra, janë sot në fondin e Galerisë së Arteve. Nuk ka piktorë në botë që shteti ti ketë blerë 178 vepra. As Pikasos, shteti francez nuk i ka blerë kaq punë. Mund t’i ketë blerë rreth 50 vepra, por jo kaq shumë…. Galeria e Arteve duhet të organizojë një ekspozitë me këto vepra, të tregojë se ç’vlerë artistike kanë dhe sa janë blerë.
Të ndalemi pak te dënimi juaj. Pse thoni se Kujtim Buza gënjen për rastin tuaj?
Kujtim Buza gënjen në intervistën që ju ka dhënë juve, sepse atje thotë që hetuesia i çoi 10 punë dhe ai bëri ekspertizën e këtyre 10 punëve. Ndërsa këtu në dokumentin e ekspertizës shënon: Unë kam parë dhe bëj ekspertizën e 248 punëve. Dhe vërtet i analizon të gjithë veprat një nga një. Ai gënjen siç ka bërë gjithmonë. Zakonisht krimi lidhet me gënjeshtrën dhe ajo që është më e ulët, këta njerëz nuk kërkojnë falje. E kam përsëritur vazhdimisht se Dritëroi duhet të kërkonte falje. Mungesa e burrërisë për të kërkuar falje, e rëndon më shumë krimin. Më habiti shumë diçka që dëgjova, nga Dritëroi me rastin e 80-vjetorit të tij të Lidjes. Ai deklaroi se ka shkruar kujtimet, por do t‘i botojë pas vdekjes. Por kjo është burracakëri. Ai mund të shkruajë ç‘të dojë, dhe s’mund të na japë përgjigje pasi të vdesë. Unë i kam thënë të gjitha para vdekjes, dhe i kam thënë tani…
E keni takuar Dritëroin pasi dolët nga burgu?
Jo. Më ka propozuar, por nuk kam asnjë dëshirë për ta takuar, përderisa ai nuk ka kërkuar ende falje.
Në ç’formë e pret faljen e tij?
Lidhja jonë, është më e tmerrshmja, më e llahtarshmja në të gjithë vendet e Lindjes. Më vjen ndërmend shembulli i Fedejevit, i cili kur u lexua raporti i Hrushovit, Fadejevi vrau veten. Ai ishte kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve rusë dhe kishte aq burrëri sa t‘i bënte ballë asaj ç‘ka kishte bërë, gjithë ato mashtrime, krime e dënime ndaj artistëve e shkrimtarëve rusë. Nuk mund t’i duronte në ndërgjegje dhe vrau veten.
Agolli gënjen dhe del pas rrëzimit të diktaturës dhe shan Enver Hoxhën. Ai duhet të merrte përgjegjësinë, e gjithë atyre që kishte bërë. Të tregonte gjithë sekretet dhe të paditurat e ngjarjeve që ndodhën në Lidhje dhe ta çlironte veten. Kështu vazhdon ta nxijë atë organizatë, duke e bërë sterrë si një organizatë krimi.
Ishte shokues publikimi i Arkivit të Ministrisë së Brendshme që në Lidhje ishin 140 spiunë. E imagjinoni si mund të jetë një organizatë artistësh e shkrimtarësh me 140 spiunë brenda? Pra një në çdo 8 vetë.
Po me Kujtim Buzën cili është raporti?
Do të them diçka. Gjyqi im ishte i vetmi gjyq që u bë me ftesa. Të gjithë gjyqet e tjera u bënë me dyer të mbyllura, edhe gjyqi i Edison Gjergos, Ali Osekut, Todi Lubonjës, Fadil Paçramit, Mihallaq Luarasit... dhe i këngëtarëve. I vetmi që u bë publik dhe me ftesa ishte gjyqi im. Dhe ftesat i ka shpërndarë Lidhja. Salla ishte e mbushur me piktorë dhe skulptorë, të cilët, sot janë gjallë.
Edhe akuzat e tjera qëndronin, gjetën gabime edhe në arkitekturë, dhe jo vetëm për mua por edhe për të tjerë. Por fillesa ishte nën Lidhje. E nisi Dritëro Agolli me mbledhjen ku foli për mua.
Por ajo që ishte më e rënda, ishte se atë ditë që zhvillohej gjyqiim, Kujtim Buza ishte në Kosovë dhe lavdëronte artin modern. Këtu e dënonte, atje lëvdonte Mulliqin si artist modern. Gjykata e lartë duhej ta dënonte, sepse një ekspert nuk mund të japë dy ekspertiza të ndryshme, që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Nuk mundet që këtu ta dënonte dhe atje në Kosovë ta lëvdonte artin modern.
Unë do të dëshiroja që Kujtim Buza të bënte aq burg sa bëmë ne të tre: Edisoni 6 vite, Aliu katër dhe 9 të mia bëjnë 19 vite burg. Vetëm atëherë mund të ishte çliruar.
(s. shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit