Debati/Historianët: Turqia 4vjet
presione për çështjen turke

Debati/Historianët: Turqia 4vjet<br />presione për çështjen turke
TIRANE- Çfarë fshihet pas kërkesës së qeverisë së Turqisë që ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, që librat shkollorë të historisë të rishikohen dhe të korrigjohen. A është shtrembëruar imazhi i vërtetë i Turqisë nga historianët shqiptarë për periudhën e pushtimit të Shqipërisë prej saj.

C’mendojnë historianët. C’mendin kanë Prof. Dr Demir Dyrmishi dhe akademiku Prof. Dr Mark Tirtja, për peticionin e 127 intelektualë shqiptarë, mes tyre edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare, kundër nënshkrimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve turke. Ai i bashkohen ata mendimit të këtyre intelektualëve se “faktet historike dhe argumentet shkencore s’mund të ndryshohen me ndërhyrje të jashtme”. Në intervistën për “Shqiptarja.com” të dy studiuesit e njohur flasin se cilat janë marrëdhëniet mes perandorisë pushtuese osmane dhe kombi të pushtuar shqiptar.

DYRMISHI: TURQIT PUSHTUES, DO TË TRAJTOHEN SI TË TILLË


Zoti Dyrmishi, si historian si e keni pritur peticionin që kanë firmosur 127 intelektualët kundër përpjekjeve të palës turke për ndërhyrje në ndryshimin e historisë?
-Të mos ndërhyhet. Më mirë se kushdo tjetër e dinë historianët dhe studiuesit, të cilët e njohin mirë historinë e vendit tonë. Turqit kanë qenë pushtues dhe do të trajtohen si të tillë nga historia shqiptare pa përjashtuar aspak miqësinë midis dy vendeve. Kjo është një kërkesë e nxituar nga qeveria turke. Këtu më duket sikur ka një prapavijë politike. Ne duhet t’i trajtojmë njësoj pushtuesit, qofshin ata turq, grekë, serbo-malazesë, apo edhe pushtuesit e mëvonshëm fashistë e nazistë. Gjatë pesë shekujve turqit janë sjell si pushtues. Kanë islamizuar me dhunë popullsinë shqiptare, direkt apo indirekt. Shqiptarët janë detyruar nga ligjet e Perandorisë Osmane që të ndërrojnë fenë, sepse nëse nuk e ndryshonin nuk shpëtonin dot nga detyrimet që vinte Porta e Lartë ndaj të krishterëve. Shumica e shqiptarëve për të kaluar situatën mbanin dy emra. Nuk janë të pakta rastet kur në një mbiemër ka përbërje të tilla; një emër është turk, tjetri ortodoks, si Haxhimihali p.sh.

Pse mori shkas për një kërkesë e tillë qeveria turke?

-Kjo kërkesë ka shumë kohë që ka filluar. Imponimin që kërkon të bëjë qeveria turke e kemi ndjerë në një konferencë shkencore të bërë 3-4 vjet më parë: ku u orientua që si në Shqipëri, brenda apo jashtë kufijve të saj, studiues të ndryshëm turq kanë kërkuar madje me insistim që të rishikohet historia e popullit shqiptar në marrëdhëniet me qeveritë turke dhe shtetin turk. Ata e kanë marrë përgjigjen nga studiuesit dhe historianët. Unë personalisht jam një nga ata historianë që nuk jam dakord me këtë kërkesë djallëzore të qeverisë turke. I përmbahem parimit se çdo popull e bënë vetë historinë me fakte dhe dokumente, e jo me ndërhyrje apo presion nga jashtë. Ne kemi historianë që e kanë studiuar më së miri historinë e Mesjetës, është Pëllumb Xhufi, ka bërë studime edhe akademik Kristo Frashëri kohët e fundit, etj.

Po pse thatë që ka një prapavijë politike në kërkesën për rishikimin e periudhës së sundimit osman?

-Sepse më duket se po spekulohet me kërkesën e popullit shqiptar për të hyrë në Europë. Spekulimi ka vend këtu, sepse integrimi i çdo populli në Europë nis me Historinë dhe Kulturën e vetë kombëtare. Jashtë këtij identiteti nuk ka integrim. Pra tre-katër vjetësh kanë ardhur studiues nga Turqia për këtë çështje dhe është zhvilluar një konferencë tek Hotel Tirana, 15-katëshi. Madje qeveria turke po iu bën ende presion edhe historianëve të vjetër të tyre, siç është edhe Bilal Simsir dhe disa të tjerë që kanë shkruar objektivisht për historinë e Shqipërisë, që për sa i përket kësaj historie t’i ndryshojnë pikëpamjet e tyre.

Po nga historianët dhe akademikët si u prit propozimi i palës turke në atë kohë?

-Akademikët dhe studiuesit kanë mbajtur qëndrimin e tyre, por nuk kuptoj pse institucionet kanë heshtur gjatë kësaj kohe, saqë lejohet të dalin në plan të parë sërish kërkesa të tilla absurde. Për këtë çështje të gjithë heshtin, edhe akademikët që janë kundër. Ka folur e flet vetëm Pëllumb Xhufi. Nuk e kuptoj pse nuk flet asnjeri tjetër. Akademikët I dinë mirë këto përplasje. Ata duhet të ngrenë zërin dhe ta bëjnë publike çështjen. Akademikët nuk duhet të nënshtrohen politikisht. Madje për mua nëse mund ta them këtë, një faj ka Instituti i Studimeve Albanologjike. Instituti duhet të prononcohet dhe të mos lejohet politika e asnjë shteti që të deformojë historinë e popullit tonë në interes të imazhit të një populli tjetër në përpjekjet për t’u integruar në Europë.




AKADEMIKU MARK TIRTJA: TURQIT NA VEÇUAN PREJ 500 VJETËSH NGA QYTETËRIMI I EUROPËS


Akademiku Mark Tirtja duke studiuar historinë të lidhur me etnografinë, ka kuptuar se disa lloj marrëdhëniesh mes popullit turk janë lidhura me mënyrën e të jetuarit, ku fillimisht kanë nisur marrëdhëniet për burime ekonomike dhe tregon sesi më vonë u krijuan kushtet e pushtimit osman.


E paskeni lexuar lajmin për peticionin e 127 intelektualëve kundër ndikimit të Turqisë për ndryshimet e historisë së periudhës osmane. Cila do të ishte përgjigjja juaj në këtë rast?

-Mendimi im është që kemi shtetin tonë dhe vetëm ai duhet të marrë vendime se çfarë duhet të bëjmë me studimet historike apo kulturore. Problemet që dalin në këto studime, ne mundet t’i trajtojmë vetë me studiuesit dhe akademikët tanë dhe jo me komisione të huaja. Sigurisht, nëse koha kërkon ndryshime, ne do t’i bëjmë ato sipas kërkesës së kohës. Por duhet t’u themi pushtuesve të mos na tregojnë rrugën e popullit tonë në histori. Ato, që kanë ndodhur në Mesjetë dhe njihen historikisht prej më shumë se 500 vjetësh, nuk mund t’i zhbëjë dot asnjë historian. Ne nuk mund ta përmbysim historinë. Nëse përmbysim atë, ne përmbysim vlerat e vërteta të popullit tonë, luftërat për liri, qëndresën, gjakun që kanë derdhur shqiptarët duke luftuar pushtuesit turq. Këto vlera na i njohin historianët e gjithë Europës.

Ju si etnolog, si e shpjegoni që ne na janë asimiluar shumë lloje traditash të qytetërimit tonë duke marrë ato turke?

Unë jam etnolog që jam edhe i lidhur me historinë, sepse traditat, zakonet, kostumet dhe mënyra e jetesës lidhen shumë me ndikimet nga pushtuesit dhe periudhat e marrëdhënieve reciproke nga më të hershmet. Kjo më ka qartësuar marrëdhëniet me pushtuesit osmanë. Turqit sigurisht që kanë qenë pushtues, por ata që të bëheshin të tillë përfituan nga kontradiktat mes popujve të Ballkanit. Madje ata përfituan në Shqipëri duke ardhur në shërbim të princave shqiptarë, të cilët nuk ishin shumë të bashkuar, dhe duhet thënë se në fillim ne i prumë vetë si pushtues. Shikimi me vërtetësi i historisë duhet të jetë një objektiv shkencor dhe jo të kthejmë mbrapsht thelbin e historisë. Unë jam për mendimin që historia e pushtimit të mos mohohet, por në histori në marrëdhëniet mes popujve nuk duhen parë vetëm luftërat. Duhet studiuar më thellë bashkëjetesa e popujve në fazat e zhvillimit të miqësive dhe armiqësive mes tyre. Disa tradita u asimiluan, por shumë tradita thelbësore mbetën. Mbetën veshjet, kostumet, fustanellat, xhubletat. Por, ku ishte më i fortë ndikimi u fut edhe kultura orientale. Ne në çdo kohë kemi marrë kulturë nga Lindja, nga Orienti. Këtë e ka bërë edhe Europa, sepse kultura e Lindjes nuk erdhi vetëm me pushtimin, por erdhi edhe me ekomoninë, tregtinë, udhëtimet. Megjithatë, në Shqipëri kanë hyrë shumë elementë që na kanë veçuar ne prej 500 vjetësh nga qytetërimi i Europës, ku kishim zanafillën tonë. Pushtuesit turq arritën na ndanë nga vendet e zhvilluara.

JA DISA NDRYSHIMET NË HISTORIOGRAFINË TURKE


Historiografia turke po tenton të portretizojë periudhën osmane si “epokën e artë” të Ballkanit. Jo vetëm historiani turq Bilal Simsir e ka këtë mendim, por edhe Dennis P. Hupchick, profesor i në Universitetin e Pensilvanisë, që studion Lindjen evropiane mendojnë se paraqitja e historisë osmane është e gabuar, jo vetëm në tekstet shqiptare por te të gjitha vendet e Ballkanit . Bilal Simsir e quan marrëdhënie miqësore, sepse 28 vezirë të Perandorisë Osmane ishin me prejardhje shqiptare. Historiani Hupchick shkruan se “në epokën osmane nuk ka pasur arsye që ta bëjnë të nevojshme kryengritjen e përgjithshme shqiptare”.


(Intervistat u publikuan sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptajra.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë