Vihet re një konsumim i përshpejtuar i imazhit të klasës politike. Kjo nuk ndodh vetëm për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme që shpërthejnë për njërin apo për tjetrin politikan. Kjo ndodh në radhë të parë nga imazhi i rrënuar i debatit parlamentar.

Ky debat ka marrë rrugën e Saliut.
Pra mbushet me thashetheme, aludime, akuza pa fund ndaj kundërshtarit, denigrime, etiketime të shfrenuara, kërcënime, përbaltje etj. Diskutimet mbi projekt ligjet mbushen me vrer për kundërshtarin dhe askush nuk përqendrohet te përmbajtja e drafteve që ka tavolina e deputetit.
Shkurt ne jemi dëshmitarë të seancave pa rend dite.

Për ketë duhet një ndërhyrje e thjeshte fare.

1. Seanca parlamentare të administrohet në respektim rigoroz të Rregullores së Kuvendit në marrjen e fjalës në seancë. E thënë ndryshe, në përputhje me ligjin. Rregullorja e Kuvendit është në fakt ligji që duhet respektuar në administrimin e seancave kuvendore.
Nuk mund të ketë një rregullore të ligjit e një të Maliqit. Berisha është bërë Maliqi që nuk e njeh dhe e shkel me të dyja këmbët ligjin në seancat parlamentare.

Kjo shkelje e tërheq zvarre çdo seancë dhe e kthen Parlamentin në një shfaqje tragjikomike. Kalkulimi se kjo shkelje dëmton vetëm imazhin e opozitës është katërcipërisht i gabuar. Legalizimi i dhunimit të Rregullores kuvendore në fakt konsumon vete Parlamentin, dmth në radhë të parë maxhorancën e tij.

2. Duhet të respektohet Rregullorja përsa i përket përmbajtjes se diskutimit të deputeteve. Devijimi i programuar i fjalës së deputeteve nga tema nuk është vetëm një nga fenomenet imazhprishëse të Parlamentit e klasës politike që e përben atë, por dëmton ne radhë të parë transparencën e detyrueshme ndaj qytetarëve në procesin e diskutimit të ligjeve.

Rutina e këtij devijimi e bllokon mundësinë që zgjedhësit të kuptojnë se ç’ligj po diskutohet dhe se çfarë rëndësie ka përmbajtja dhe miratimi i tij.
Jam i bindur se respektimi i ligjit në administrimin e seancave kuvendore do sjellë ndryshim në kulturën politike, imazhin e Kuvendit dhe marrëdhënieve të politikës me qytetarët.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)