TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe deputeti britanik Nigel Farage janë përfshirë në replika për emigrantët shqiptarë të dënuar në Britaninë e Madhe. Në një reagim të radhës, Farage pranon sfidën e kryeministrit Rama, për një përballje reale shifrash, i cili në një postim mëngjesin e sotëm deklaroi se do t’i marrë të gjithë emigrantët në Shqipëri, nëse është e vërtetë shifra që ndau deputeti britanik se 1 në 50 emigrantë shqiptarë në territorin anglez janë në burg.

“Do të sigurohemi që Edi Rama të mbajë fjalën”, u shpreh Farage në reagimin e radhës për median britanike ‘The Telegraph’.

Rama e sifidoi publikisht Farage duke i thënë "Më lejoni t’jua kthej sfidën me diçka jashtëzakonisht të mërzitshme për stilin tuaj: Shifra reale. Ajo që thatë, se “një në 50 shqiptarë në burg”, nuk është fakt. Është absurde. E dini çfarë del kur i kontrollon vërtet numrat? Befasi! Nëse pretendimi juaj “një në 50” rezulton i saktë,  unë, personalisht, angazhohem t’i marr të gjithë mbrapsht. Nuk është një titull konkurrues, është një angazhim publik”.

“Shpërthimi” i deputetit Farage ndaj emigrantëve shqiptarë, erdhi pasi kryeministri Rama gjatë një interviste për “The Guardian”, tha se plani i Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit e dështuar jashtë vendit, tregon se Britania post-Brexit ndodhet në “një vend shumë të errët”. Nigel iu përgjigj komenteve të Ramës në GB News duke i kujtuar se shqiptarët janë aktorë kryesorë në kriminalitet.

“Si mund të na kritikojë kur ai kaloi muaj të tërë duke negociuar me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni? Ai kishte rënë dakord të merrte një numër të madh migrantësh që kishin kaluar Mesdheun. Në fund, nuk mori edhe aq shumë, por ato negociata i kishte bërë. Zoti Rama, a e dini që një në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg?”, tha ai.

Deputeti Farage njihet si një ndër reformatorët e Brexit, që shënoi daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.