Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe online, i publikuar vetëm pak ditë më parë, ka ngjallur interes të madh dhe reagime të shumta në publik. Me rreth 105 mijë fjalë, ai konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme për gjuhën shqipe në dekadat e fundit. Por, përveç vlerësimeve, fjalori ka hapur edhe debate. Sipas kritikëve, disa përkufizime, shembuj përdorimi dhe terma nuk përputhen plotësisht me realitetin bashkëkohor.

Gjuhëtarja Anila Kananaj, sekretare shkencore e Fjalorit dhe pjesë e grupit të punës i pranon disa prej vërejtjeve, të cilat thotë ajo do të reflektohen, si në rastin e përshkrimit të fjalëve “agjërim” dhe “parti”, të cilat sipas kritikëve, nuk reflektojnë plotësisht kontekstin bashkëkohor

“Ne kemi qenë të ndërgjegjshëm që asnjë punë nuk mund të jetë e përkryer. Çdo ndryshim do të bëhet me dorë, një për një, nga fillimi deri në fund. Është një proces i gjatë dhe i kujdesshëm. Ajo periudhë ka lënë gjurmët e veta. Ajo që do jetë shqetësuese nëse ne vazhdojmë me të njëjtat parime të përshkruajmë fjalët e sotme. Tani mund të ketë mbetur ndonjë fjalë ashtu siç ka qenë në fjalorin e 1980-s. Në përgjithësi ne i kemi ripërkufizuar. Po nëse ka mbetur diçka, do ta rishikojmë.”, thotë Kananaj për “Report TV”.

Reagime ka pasur edhe për shembujt ilustrues të fjalëve “djalë” dhe “vajzë”, të cilat krijojnë diferencime gjinore.

“Ju falenderojmë që na e vutë në dukje këtë gjë. Normalisht nuk është e nevojshme të ketë etiketime negative, për të kuptuar ç’ është një vajzë dhe çfarë karakteri mund të ketë një vajzë. Kjo është një nga ato gjëra që do shikohen dhe do reflektohen në fjalor, aq më tepër për të mos krijuar idenë që ka diferencime të kësaj natyre midis vajzave dhe djemve.”

Gjuhëtarja thekson se fjalori do të mbetet i hapur për sugjerime për një periudhë intensive nëntë mujore, ndërsa përmirësimet do të bëhen gradualisht.

“Është shumë e vështirë të mbledhësh komentet nga rrjetet sociale, por çdo sugjerim do të reflektohet. Ju lutem, përdoruesit të na shkruajnë çdo shembull ose fjalë që përdorin.”, thekson Kananaj.

Fjalori përfshin edhe disa huazime si fjala “abandonoj”, pavarësisht se është referuar te fjala shqipe “braktis”.

“Në lidhje me përfshirjen e fjalës abandonoj në fjalor kemi pasur një debat midis nesh si grup pune. Pra u hoq fillimisht, pastaj përfundoi që u vu prapë me idenë që përderisa përdoret, të dihet që është kuptimi i braktis dhe të referohet te fjala braktis. Ideja ishte që të mos përdoret abandonoj, po të zëvendësohet me braktis. Ndoshta duhet menduar ndonjë gjetje më e mirë se kjo. Ndoshta do ishte më mirë që në fund të fjalorit ne të përfshijmë një listë me fjalë të huaja që përdoren në gjuhën shqipe. Ndoshta do ishte kjo një zgjidhje. Duhet ta mendojmë, duhet ta diskutojmë sepse realisht nuk ka pse të jetë në fjalor dhe do të hiqet.”, vijon gjuhëtarja.

Sa i takon vërejtjes, që në fjalor mungojnë fjalët që konsiderohen si sharje apo “fjalë të turpshme”, Kananaj shpjegon se ato janë hartuar në një fazë të parë por më vonë u hoqën.

“Redaksia dhe më së shumti drejtuesit e projektit menduan që një fjalor normal i gjuhës shqipe do të ishte më mirë të mos i kishte këto fjalë. Nuk është se mungojnë fjalorët që i kanë ato.”

Sipas Kananajt, kjo, është bërë për shkak të kufizimit të fjalorit në 105 mijë fjalë.

"Ti aq e ke limitin. Në vend që të fusësh 5.000 sharje, u pa më e dobishme të futen 5.000 fjalë të tjera me funksion informues. Por, në ndonjë fjalor të tipit thesar, unë mendoj që  është e drejtë, që duhet të jenë edhe këto të përfshira.”, thotë gjuhëtarja.

Fjalori mbetet i hapur për sugjerime për një periudhë intensive nëntë mujore dhe më pas për 3-4 muaj, grupi i punës do të reflektojë mbi sugjerimet e përcjella. Por ajo që gjuhëtarja thekson është se fjalori do të vazhdojë të jetë online dhe i hapur gjatë gjithë kohës.

"Do të vazhdojë të jetë i hapur. Kolona e sugjerimeve do të jetë vazhdimisht e pranishme, nuk do të mbyllet kurrë.  Çdo sugjerim dhe koment i publikut do të shqyrtohet dhe kur është i drejtë do të pasqyrohet gradualisht. Nëntë muaj janë përballja kryesore ku ne presim le të themi vërejtje dhe kritikat më të mëdha për t'i pasqyruar dhe për t'i reflektuar në fjalor. Nuk është e thënë që ka vetëm të meta. Ne do ta pasurojmë fjalorin.”, përsërit Kananaj.

Gjuhëtarja thotë se fjalori do të pasurohet edhe me fjalë të reja, huazime dhe sinonime dhe për këtë, përdoruesit e fjalorit online mund të dërgojnë çdo shembull ose fjalë të përdorur në zonën e tyre.