Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, e ka quajtur kohë totalisht të humbur dhe energji e shkuar dëm të gjithë debatin për çështjen ‘McGonigal’
“Sa kohë e sa energji është harxhuar në këtë institucion me diskutime të tilla absurde për çështje që do të kishin qenë tema diskutimi normale për ndonjë grup ekscentrik në Facebook apo ndonjë forum të errët online ku diskutohen teoritë e komploteve, në vend që të diskutohet për politika, për çështje konkrete që prekin qytetarët. E them këtë sepse fatkeqësisht i ashtuquajturi rast McGonigal nuk është një rast i izoluar. Ndër vite opozita ka ngritur sa e sa çështje të tjera po si kjo, në vend që të merret me çështje që realisht ju interesojnë qytetarëve dhe që realisht prekin qytetarët. Ka ardhur një pikë që me t’u mbyllur njëra shpikje, fillojmë e vrasim mendjen cila do të jetë shpikja e radhës”, tha ajo.
Teksa e lidhi këtë rast me rastin ‘Babalja’, ministrja kujtoi deklaratën e Berishës i cili thoshte se Xhacka i ka thënë një ambasadori për një vendimi gjykate.
“Dëgjova dje, që gjatë një interviste, autori i versionit shqip të McGonigal, ish-Kryeministri non-grata kishte thënë që kanë dalë mesazhe se Olta Xhaçka i ka shkruar një ambasadori se “është vendosur me gjykatësin për këtë çështje.” E kishte fjalën për gjyqin për vulën që i ka humbur PD. Se ç’punë ka ministri i jashtëm të vendosë për vulën e PD këtë e di ai. Unë për vete di diçka tjetër. Di që s’kam folur kurrë me ndonjë diplomat për vulën e PD, ama kam folur me diplomatë të huaj për këtë zakonin e PD për t’u marrë me teori komploti. Është diçka që i habit sepse vërtet në botë ka forca politike që merren me teori komploti e çudira të tjera. Por nuk ka asnjë forcë serioze që të merret me teori komploti kaq haluçinante sa këto që merret PD”, tha Xhçka.
“Sepse, nëse ndalesh një moment dhe e analizon ftohtë teorinë e PD për rastin McGonigal, ka vetëm një epitet për ta përshkruar: haluçinante. Ça mund ta quash tjetër një teori sipas të cilës, Edi Rama në bashkëpunim me McGonigal, pak me ndihmën e rusëve dhe kinezëve, pak në bashkëpunim me Kartelin Sinaloa, pak me ndihmën e Yurin Kim, dhe patjetër me George Soros në prapaskenë, janë duke punuar së bashku për të shkatërruar demokracinë në Shqipëri, për të zhdukur PD si bastioni i fundit i rezistencës ndaj mësymjes antidemokratike ruso-kinezo-sorosiane, e veçanërisht ish kryeministrin, që në këtë histori del si një heroi i pakuptuar që megjithëse i është bërë një padrejtësi e jashtëzakonshme duke e shpallur non-grata, po lufton sot me mish e me shpirt për të shpëtuar demokracinë shqiptare, por edhe atë Amerikane nga ky komplot i rrezikshëm”, vijoi ministrja.
Më pas ajo foli për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA të cilat i cilësoi të shkëlqyera.
“Marrëdhëniet me SHBA janë sot në pikën më të lartë që kanë qenë ndonjëherë. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë e dini shumë mirë të gjithë, jo sepse e them unë, por sepse flasin faktet e flasin edhe vetë përfaqësuesit e SHBA Jo më larg se të martën foli edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, z. Escobar, i cili e theksoi me zë dhe figurë që kjo çështje nuk i ka cenuar aspak marrëdhëniet dhe nënvizoi edhe nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes vendit tonë dhe SHBA. Vetëm 4 muaj më parë ne zhvilluam dialogun strategjik me SHBA, ku hodhëm piketat e intensifikimit e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes nesh në çdo fushë, nga mbrojtja e siguria, ku roli i Shqipërisë vlerësohet maksimalisht, tek politikat rajonale, ku Shqipëria shihet si partneri më i ngushtë e i besuar i SHBA në rajon, tek drejtësia e qeverisja, ku do të vazhdojë mbështetja jetike e SHBA, tek energjia ku Shqipëria shihet si një vend me një potencial të jashtëzakonshëm, tek biznesi e bashkëpunimi ekonomik ku po diskutohet për një komitet të përbashkët ekonomik, tek diplomacia ku kemi sot një bashkëpunim jashtëzakonisht të suksesshëm në Këshillin e Sigurimit ku praktikisht bashkëpunimi po ecën aq mirë sa për disa dosje po punojmë si një ekip i vetëm, e deri tek fusha të reja siç është mbrojtja kibernetike. Kjo është e vërteta e marrëdhënieve me SHBA nën drejtimin e Edi Ramës. Ndërkohë që e vërteta e marrëdhënieve të Sali Berishës me SHBA, është që e kanë shpallur non-grata. Përfundimet për teorinë e komplotit McGonigal tani mund t’i nxirrni vetë”, përfundoi ministrja.
Lajmi kryesor: