“Ripërtëritja” sipas Partisë Demokratike dhe “ripërtëritja” sipas demokratëve kritikë duket se janë dy gjëra krejt të ndryshme. Të paktën ky ishte mesazhi që përcolli Doris Madhi, një prej zërave kritikë ndaj drejtimit aktual të PD-së, në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV teksa komentoi ndryshimet e fundit në parti pas rikonfirmimit pa garë së Sali Berishës dhe ‘riformatimit’ të forumeve drejtuese.
Madhi nuk është një zë i panjohur në radhët e demokratëve. Aktiviste e PD-së prej një dekade dhe drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, ajo u përjashtua nga funksioni i nënkryetares së këshillit, nga grupi i këshilltarëve demokratë dhe nga anëtarësia e PD-së me një vendim që, sipas saj, u mor nga një kryesi pa kuorumin e nevojshëm.
Për Madhin, problemi nuk është se në strukturat e reja nuk ka emra të rinj. Problemi është se, sipas saj, procesi i shpallur si “ripërtëritje” nuk ka prekur ata që mbajnë përgjegjësinë për humbjet e njëpasnjëshme të opozitës. Ndaj edhe kur foli për rinovimin e PD-së, ajo e zhvendosi debatin nga emrat e rinj tek kupola drejtuese.
“Konstituimi i çdo organi statutor të çdo partie dhe rizgjedhja është një proces që ndihmon në demokratizimin e institucioneve politike. E parë në këtë formë, gjetja e emrit ‘ripërtëritje’ më bën të ndihem keq, por edhe të qesh sepse nuk mund të ketë ripërtëritje me mentalitete të vjetra dhe njerëz të vjetër. Tashmë, kanë hyrë në atë listë të Këshillit Kombëtar shumë pak të rinj, por fatmirësisht që kanë hyrë. Një farë shprese e kam tek ata dhe uroj me gjithë shpirt që të vlejë zëri i tyre brenda atij konglomerati të cilit i ka mbaruar koha. Sa i përket kupolës drejtuese, ajo duhej të kishte menduar që ripërtëritja fillon nga koka dhe ajo nuk ndodhi.” tha Madhi.
Në analizën e saj, Madhi ngriti një pyetje kryesore. Nëse rezultati elektoral nuk prodhon ndryshim në drejtim, atëherë çfarë kuptimi ka debati për reformim apo riorganizim të partisë? Sipas saj, problemi nuk është vetëm humbja në vetvete, por fakti që askush në krye të partisë nuk duket se po mban përgjegjësi për të.
“Sa herë që flasim për ripërtëritje, flasim për një opozitë që ka futur në tas humbje të njëpasnjëshme. Këto humbje prodhuan mungesën e opozitës së mirëfilltë në vend. Kjo solli pasojat që nga militanti më i thjeshtë deri tek opozitari më i fortë. Nga ana tjetër, na solli në dukje një kupolë drejtuese që vazhdon qëndron si pa të keq, pa marrë përsipër përgjegjësitë e humbjeve” tha ajo
Por kritika e Madhit nuk u ndal tek rezultatet elektorale. Ajo la të kuptohet se kriza është më e thellë dhe lidhet me mënyrën se si funksionon vetë partia. Duke folur për statutin, ajo vuri në diskutim ekzistencën e mekanizmave që detyrojnë Sali Berishën të japin llogari para demokratëve.
“Flitet për ndryshime dhe nene statuti dhe unë se kuptoj përse i bëjnë për aq kohë sa nuk i respektojnë. Neni basha në statut ngeli pa ndryshuar. E kishin në dorë ta ndryshonin. Përse e lanë një nen të tillë në statut kur nuk ke fare ndër mend ta vesh në jetë. Liderët tanë, i ndan nga ne vetëm Zoti. Spaska ligj dhe statut që ta bëjë të zbatueshëm atë”, u shpreh ajo.
Kritika e Madhit nuk ndaloi vetëm tek modeli i lidershipit, por u bë konkrete dhe vazhdoi me klimën e krijuar brenda PD-së. Sipas Madhit, në vend që humbjet të sillnin reflektim dhe hapje, ato kanë prodhuar përjashtime, konflikte dhe largim të demokratëve që ndihen të papërfaqësuar. Strumbullari, sipas Madhit, janë individë që keqinformojnë Berishën ose orientojnë proceset brenda PD-së.
“Kjo kupolë drejtuese pse nuk i nënshtrohet në gjithë këto vite humbjeje, vullnetit të vërtetë të demokratëve. Strumbullari i të gjitha përjashtimeve dhe armiqësive të brendshme në PD janë këto njerëz që kanë ardhur në PD me forma të tërthorta dhe nuk janë të votëbesuar dhe duhet të mbajnë përgjegjësinë. Nëse këto individë do të futeshin në votë, rezultatet do të ishin ‘mbresëlënëse’. Këta njerëz e keqprëdorin dhe keqinformojnë Berishën apo orientojnë proceset brenda PD. ””, tha ajo.
Kjo është edhe arsyeja pse Madhi e pa me skepticizëm procesin e fundit të riorganizimit të PD-së. Në leximin e saj, PD po flet për zgjerim, ndërsa në praktikë po ngushton radhët e veta. Dhe përgjegjësinë kryesore për këtë situatë ajo ia faturon sekretarit të përgjithshëm të partisë, Flamur Nokës.
“Peshën më të madhe të asaj që po ndodh në PD ia vë sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Nokës. Duke parë lëvizjet e bëra në PD, pas humbjes së 2025-ës, më bën të mendoj që Noka është i shqetësuar për pozicionin e vet dhe është munduar që spastrojë rrugën nga kundërshtarët për të qenë i qetë në pozicionin e vet”, deklaroi ajo.
Madhi bashkoi të gjitha kritikat e saj në një shqetësim më të madh politik. Ndërsa socialistët, sipas saj, po punojnë prej kohësh për organizimin elektoral, PD vazhdon të merret me debatet dhe konfliktet e brendshme. Për Madhin, kjo e bën të vështirë të besohet se partia është në një proces ringritjeje.
“Unë nuk shoh ndonjë dritë jeshile. PS ka avantazh organizimin. Ata janë gjithë kohës në fushatë. PD, në vend që të punonte për të forcuar rradhët e veta, përjashtimet duhej t’i bënte më pak publike, më private, t’i lante rrobat e pista në shtëpin e vet me qetësi, por deri tani po merret me vetveten dhe jo me votuesin. Nuk mund të dalë PD ti hedhë fajin të tjerëve për problematikat që ka vetë. Njerëzit janë larguar nga PD se janë ndierë të pavlerësuar, të sulmuar, janë lodhur nga presionet e pushtetit. Në parlament, PD hesht për problematika reale dhe i kushton më shumë kohë Zegjinesë”, tha ajo.
Prandaj, në fund të analizës së saj në Report TV, Madhi nuk vuri në diskutim thjesht emrat e rinj të futur në forume apo ndryshimet organizative, por vetë idenë se PD po ndryshon realisht. Sepse, sipas saj, një parti që vazhdon të drejtohet nga të njëjtët njerëz, që nuk reflekton mbi humbjet dhe që humbet pjesë të bazës së saj, vështirë se mund ta bindë elektoratin se ka hyrë në një epokë të re.
Komente








