Shteti nuk ekziston më, tha Jozefina Topalli para Kuvendit duke iu adresuar debatit për ish-kreun e SHISH dhe komunikimeve të saj me Ergys Agasin. Deputetja tha se nuk ka më kufi mes shtetit dhe krimit të organizuar, i cili emëron titullarë.

Topalli iu drejtua edhe Niko Peleshit duke i thënë se parlamenti s’ka më fuqi. Sipas saj, Peleshi duhet të japë dorëheqjen për sa kohë s’ka ngritur asnjëherë zërin.

“Shteti përballet me kriza politike, ekonomike, institucionale të rënda, por kur shembet themeli i republikës, shteti ka pushuar së ekzistuari. Është zhdukur kufiri mes shtetit dhe krimit të organizuar. Nuk është Agasigate, as Ramagate. Ne jemi në rastin kur krimi nuk kërkon mbrojtje nga pushteti, por emëron titullarë të shtetit, SHISH, kontrollin drejtprin e burgjeve, të kufirit, kadastrën, AKSHI-n, vë çmimin e tenderave. ‘Fikim radarët’, pse ju duket për herë të parë që fiken? Kjo që po ndodh sot ka një axhendë që ka filluar shumë vite përpara kur kishte njerëz që kishin lidhje me krimin. Të kujtohet, Klosi? Ishte në atë kohë kur u bë dekriminalizimi dhe i bënë biznesmenë të fuqishëm. Procedura parlamentare është gjëja më e pavlerë kur parlamenti nuk ka më fuqi. Vlorën kush e emëroi? Agasin kush e mbrojti? Shtet i rrezikshëm. Ju jeni nr. 2 i republikës dhe deri sot s’jua kam dëgjuar zërin të flisni një fjalë. Të sugjeroj një rrugë të shkurtër: ka mundësi që kryetari i parlamentit të japë dorëheqjen dhe do të ishte fisnike. Kur themelet e shtetit dhe republikës janë shembur, çfarë vlere ka fjala? Si ka mundësi që skandalit t’i thoni sukses? Është Rama ai që ka ndërtuar një sistem mafioz që i shërben vetëm ditës së zgjedhjeve”, tha Topalli.

Peleshi bëri replikë duke i thënë se do t’i duhet të presë edhe ca për të drejtuar parlamentin.

“Për postin e kryetarit të Kuvendit do të prisni edhe pak, ju e keni jetën përpara dhe mund ta realizoni një ditë”, ia ktheu kryeparlamentari.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ PD kërkon debat për SHISH: Ra siguria kombëtare, Rama të dorëhiqet! PS rrëzon kërkesën, opozita rrethon foltoren