Ish-ministri socialist Arben Malaj është shprehur i shqetësuar për shëndetin e Erion Veliajt, pasi sot avokati i tij Plarent Ndreca pretendoi se kryebashkiaku nuk është informuar as për gjendjen e tij shëndetësore, teksa mjekët prej javës së kaluar i kanë rekomanduar të bëjë një operacion në këmbën e thyer.

Në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Malaj tha se nuk duhen përdorur kurrë situatat e rënda shëndetësore për të goditur kundërshtarin politik.

“Unë e kam detyrim për të folur mbi zhgënjimet brenda të majtës. Edhe pse mbetem socialist, duke mos krijuar një parti të re apo të shkojë te parti të tjera, kam qëndruar në këtë pozicionin e njeriut mirënjohës ndaj socialistëve dhe gjithmonë me analiza që mundësisht janë pozitive. Zhurmën më të madhe po e merr raporti me Veliajn. Por unë jam shumë i trishtuar në kuptimin njerëzor, gjëja e parë që duhet të diskutojmë për Veliajn është ajo që po ndodh në aspektin shëndetësor të tij. Edhe sot avokati që është njeri që e njeh shtetin, alarmohet që akoma nuk i është dhënë një zgjidhje për trajtimin mjekësor dhe shqetësimet që ka. Mund të jemi kundërshtarë, mund të mos e duam njëri-tjetrin, mund ta urrejmë njëri-tjetrin, por kurrë qenia njerëzore nuk duhet të arrijë te situata të rënda shëndetësore që kur vonohen krijojnë edhe pasoja afatmesme apo afatgjatë. Kështu që duhet të kishte edhe një sensibilizim edhe më të madh publik”, tha mes të tjerash Malaj.

Duke folur për vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut, në paraburgimin e Fierit, Malaj tha se nga pikëpamja protokollare mund të ishte më e kujdesshme.

Sipas Malajt, shqetësimi është nëse gjatë vizitës së Gogut në Fier u përcoll një premtim ose një kërcënim.

Lidhur me kërkesën e Veliajt për ngritjen e një Komisioni hetimor për pretendimet e tij për kërcënime nga kryeministri Edi Rama, Malaj tha se praktikisht është e pamundur.

“Ai është përballë SPAK, prezumohet i pafajshëm. Atë ta mbrojë vetë të gjithë përballjen që ka, por në aspektin njerëzor nuk ka pse të trajtohet kështu. Elementi i dytë që ndezi debatin ishte vizita e ministrit, që nga pikëpamja e kujdesit protokollar mund të ishte pak më e kujdesshme, por shqetësimi është nëse ishte një vizitë që përcolli një premtim apo një kërcënim, apo të dyja bashkë dhe Veliaj do të duhet të zgjidhte. Në këtë aspekt Veliaj arrin derisa kërkon edhe Komision Hetimor. Këtu ka paqartësi juridike, sepse një Komision Hetimor ngrihet me 35 deputetë. Dhe një Komision Hetimor kush do e ngrerë? Do e ngrerë PS kundër PS? Praktikisht është e pamundur. Rilindja ka arritur në kontradiktë në Kushtetuese, për rastet që i janë bllokuar komisionet hetimore PD-së. Me garancitë që jep Veliaj, ky mbetet një rast shumë shqetësues, me ato mesazhe që ka ndarë Veliaj me publikun”, shtoi Malaj.

Lidhur me përhapjen e fjalëve për një përjashtim të mundshëm të kryebashkiakut Erion Veliaj nga Partia Socialiste gjatë Asamblesë së kësaj force politike, Malaj tha se i dukej diçka e pabesueshme, teksa këshilloi që të mos shkohej deri në atë pikë.

Po ashtu, Malaj i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të faktojë pretendimet se krebashkiaku Erion Veliaj ka organizuar dhe financuar protestat kundër tij.

“Lidhur me elementin e fundit diskutohet nëse do të ketë në Asamblenë Kombëtare të PS-së një përjashtim nga Partia Socialiste të Veliajt. Unë nuk do ta besoja dhe do këshilloja që nuk ka pse të shkojë deri në atë pikë. Sepse ai është akoma në fazën e prezumimit të pafajësisë. Nëse ka akuza se ka financuar protestues, apo ka dhënë mesazhe publike, këto janë gjëra që duhen vërtetuar. Sepse mund të dalin 5 protestues e të thonë ‘na dha lekë Erioni’ thjeshtë për ta dëmtuar atë. Nuk besoj se për të përjashtuar një anëtar partie, një anëtar kryesie, një figurë në rritje të PS-së, të bazohemi në hetime pastaj, t’i kërkojmë SHIK-ut të marrë të dhëna nga policitë kriminale të tjera”, përfundoi Malaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:44
Kandidat i pavarur për Bashkinë Vlorë? Ja si përgjigjet ish-ministri Malaj në Report TV! Dënon dhunën në protesta: Shqipëria nuk mund të digjet sërish

1794502902_arbenmalaj.jpg

Ish-ministri socialist Arben Malaj, i pyetur në ‘Studio Live’ nga gazetari Ermal Qori në Report Tv nëse do të garonte në zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur për Bashkinë e Vlorës, siç kishte deklaruar më herët, tha se ende nuk kishte marrë një vendim përfundimtar.

“Unë kisha shumë dëshirë, kam shumë dëshirë, por vendimin përfundimtar do ta marr më vonë. Kur unë vura në dispozicion gjithë eksperiencën time, gjithë netuorkun tim në shenjë mirënjohje për Vlorën, kisha parasysh që Vlora do reagonte në qëndrimin e saj. Sepse Vlora deri tani ka reaguar, por ka reaguar jo me votë kundër, por me mos-pjesëmarrje në zgjedhje. Dhe nuk shoh që ka ndonjë gjallërim që ta ndryshojë këtë qëndrim”, tha mes të tjerash Malaj.

Lidhur me protestat e zhvilluara kohët e fundit në Tiranë, Malaj dënoi dhunën dhe tha se Shqipëria nuk mund të digjet sërish si në vitin 1997.

“E dyta, protesta, unë që në fillim u shpreha kundër protestave me dhunë, sepse është edhe përgjegjësi sepse e di që është djegur njëherë vendi im. Që protesta do të fitojë nga masivizimi, jo nga agresiviteti i dhunës. Parimisht në politikë unë jam me mos-bindjen civile që kanë provuar vende të tjera, më të mëdha se Shqipëria, sepse duhet të ndërtojmë pa shkatërruar. Nëse bëjmë revolucion, shkatërrojmë edhe institucionet, siç na ka ndodhur në të dyja rastet, edhe në 1992, edhe në 1997, të gjitha këto kosto janë kostot e vonesës për atë që njerëzit janë të zhgënjyer për atë që ne duhet të kishim arritur. E treta, edhe protesta tani nuk duket nëse do të jetë një subjekt inspirues për zgjedhjet e tjera, apo do presë zgjedhjet parlamentare. Koha është e shkurtër, po nuk u bë strukturë kapilare në çdo qytet, çdo lagje, që të ngrihen e të mobilizohen, është e pamundur që të ndryshojë rezultati”, shtoi Malaj.

Ai tha se priste që SPAK të avanconte më shumë në luftën kundër korrupsionit të niveleve të larta dhe korrupsionit zgjedhor, teksa ripërsëriti se nuk mund të hynte në një garë, ku sipas tij, vota vidhet.

“E treta që unë mendoj se do të ndodhte pozitivisht ishte që SPAK do avanconte më shumë në luftën kundër korrupsionit të niveleve të larta, duke krijuar shpresë se po ndodh një ndryshim. Kështu që duhet parë me kujdes, sepse unë nuk mund të jem egoist, që të regjistrojë thjeshtë një konkurrim në garë dhe t’i lë mbështetësit e mi nën dhunën e patronazhistëve, sepse pyetja e tyre e shpeshtë është ‘kush na e mbron votën?’. Dhe në 2013 kur unë dola i pavarur, ‘Rilindja’ atëherë na e vodhi votën", përfundoi Malaj.