Moti i keq me reshje dëbore, shkarje dherash dhe temperatura të ulëta ka ‘mbërthyer’ qarkun e Korçës.

Prefektura e Qarkut Korçë ka informuar se, sipas raportimeve nga strukturat përgjegjëse, nuk ka shkolla të mbyllura dhe procesi mësimor vijon normalisht në të gjitha institucionet arsimore të qarkut.

Në lidhje me situatën e akseve rurale, raportohet nga Emergjencat Civile të Bashkisë Maliq se në njësinë administrative Moglicë, si pasojë e shkarjes së dherave, është bllokuar segmenti rrugor lidhës i fshatrave Kodras, Peshtan dhe Protopapë.

Po ashtu njoftohet se strukturat përgjegjëse të bashkisë ndodhen në terren dhe po marrin masat e nevojshme për zgjidhjen e problematikës dhe hapjen e rrugës.

Prefektura e Qarkut Korçë raporton se po ndjek nga afër situatën dhe mbetet në koordinim të vazhdueshëm me institucionet vendore për garantimin e sigurisë dhe normalitetit në territor.