Numri i lartë i të paraburgosurve në Shqipëri ka alarmuar Këshillin e Europës. Kryeministri Rama ka ndarë një deklaratë të drejtorit të Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Gianluca Esposito, të dhënë ditën e enjte në Tiranë, ku thekson përdorimin e tepruar dhe të paarsyetuar të masës së paraburgimit.
“Arresti me burg pa gjyq si praktikë normale në Shqipëri, ka sjellë rezultatin skandaloz të një vendi europian me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, duke alarmuar Këshillin e Europës”, shkruan Rama.
Në prononcim, Esposito thotë se paraburgimi duhet të ekzistojë vetëm kur ka tregues të caktuar për rastet. Rekomandimi i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut është që të merren masa më pak dëmtues nga paraburgimi, kurse ky i fundit s’duhet të kalojë një afat të caktuar.
“Mbipopullimi i burgjeve mbetet sfidë e madhe për administratën shqiptare të burgjeve dhe këtë nuk e them unë. Këtë e thotë Komiteti ynë për Parandalimin e Torturës. Paraburgimi mund të justifikohet në një rast të caktuar vetëm nëse ekzistojnë tregues specifikë për një nevojë reale të interesit publik. Gjykata për të Drejtat e Njeriut vëren gjithashtu se “autoritetet gjyqësore kombëtare duhet të marrin në konsideratë marrjen e masave më pak dëmtuese sesa paraburgimi në fazën para nisjes së gjyqit, në varësi të rrethanave specifike të çështjes.” Është përgjegjësi e autoriteteve gjyqësore kombëtare të sigurojnë që, në një rast të caktuar, paraburgimi i një personi të akuzuar të mos tejkalojë një afat të arsyeshëm. Gjykata për të Drejtat e Njeriut thotë qartë se barra e provës në këto raste nuk duhet të përmbyset duke ia ngarkuar personit të ndaluar detyrimin për të provuar ekzistencën e arsyeve që justifikojnë lirimin e tij. Problemi kryesor i praktikës së paraburgimit në Shqipëri është përdorimi i tepruar dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i kësaj mase, veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë rishikimeve periodike”, thotë Esposito.
Të premten, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari tha se paketa e amnistisë penale është gati dhe prej saj do të përfitojnë 10 mijë persona, 1280 prej të cilëve në sistemin e paraburgimit.
Komente











