TIRANE - Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës kanë përfshirë pothuajse të gjitha vendet malore, ku trashësia e saj arrin në rreth 1.5 metra në Korçë, Kukës e Tropojë. Problematike paraqitet edhe Qafa e Llogarasë, ku kalimi i automjeteve është i mundur vetëm me zinxhirë. Ndërkohë që në Lezhë reshjet e shiu kanë shkaktuar rrëshqitjen e dherave në fshatin Troshan. Disa fshatra janë izoluar në Kukës dhe Tropojë, ndërkohë që rrethi i Kukësit po përballet edhe me mungesën e energjisë elektrike.

KUKES, TROPOJE, HAS
Ora 21:15 Korrespondenti i A1 Report në Kukës, Bekim Lekica njofton se rrethi i Kukësit dhe Hasit për më shumë se një orë kanë qenë pa energji elektrike. Më problematike është situata e reshjeve që po bien me intensitet të lartë. 40 automjete janë të bllokuara në Rrugën e Kombit, ndërkohë që 4 mjete borëpastruese po mundohen të pastrojnë rrugën por reshjet e dendura e bëjnë të pamundur.

Ora 20:45 Reshjet e dëborës kanë bllokuar akset kryesore, por i vështirë është bërë edhe qarkullimi në qytet pasi Reshjet dëborës kanë shkuar në 30 centimetra. Aksi Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Peshkopi është bllokuar nga dëbora, e cila ka shkuar deri në 40 centimetra. Aksi Kukës-Krumë-Bajram Curri është i bllokuar plotësisht në qafën e Luzhës, ndërkohë që Rruga e Kombit kalohet me shumë vështirësi nga automjetet, pasi dëbora dhe ngricat ngadalësojnë qarkullimin e mjeteve. Trashësia e dëborës në dalje të tunelit të Rrugës së Kombit ka shkuar në 40 centimetra. Reshjet dëborës brenda qytetit shkojnë në 30 cm.

Ora 18:00 Reshjet e dendura të dëborës kanë sjellë izolimin e disa komunave në qarkun e Kukësit. Situata problematike paraqitet në komunat Arrën, Shishtavec dhe Zapod, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 1.5 metër dhe kalimi i automjeteve nuk është i mundur. Sipas kontakteve me kryekomunarët e këtyre zonave deri në këto momente nuk është raportuar asnjë rast emergjence. Probleme janë shfaqur edhe në Rrugën e Kombit ku disa automjete të tonazhit të rëndë kanë mbetur të bllokuara për pak orë në afërsi të hyrjes së tunelit të Kalimashit. Ndërkohë që në rrethin e Tropojës janë të izoluara komunat Lekbibaj dhe Margegaj, ku lartësia e dëborës arrin deri në 1.3 metër. Problematike paraqitet situata edhe në disa fshatra të thella të Hasit ku prej ditësh reshjet e dëborës bien në mënyrë të pandërprere.

KORÇE
Ngricat dhe akulli vijojnë të jenë prezente në pikën turistike të Dardhës, si dhe në Boboshticë të Korçës. Ndërkohë reshjet e para të borës në rajonin juglindor kanë izoluar dhe fshatrat e parë, bëhet fjalë për fshatin e Panaritit. Sipas kreut të komunës Vithkuq, Azis Panariti lartësia e borës në pjesë të veçanta të rrugës shkon në 70-1.5 m dhe është shumë e vështirë ndërhyrja për shkak edhe të terrenit të vështirë. Probleme paraqen edhe fshati Shtyllë, por pavarësisht problemeve konfirmohet se mësimi në këto dy fshatra vijon normalisht, pasi stafi arsimor është i zonës. Ndërkohë nuk raportohen probleme në fshatrat e tjerë.

VLORE
Dëbora e parë për këtë dimër që ka përfshirë malet e jugut ka vështirësuar udhëtimin në segmente të ndryshme jugore. Situata më problematike paraqitet në Qafën e Llogarasë, ku prej dy ditësh reshjet e dëborës vijojnë të bien pa ndërprerje. Policia rrugore po u vjen në ndihmë drejtuesve të automjeteve, ndërsa sipas shefit të qarkullimit në rrethin e Vlorës, Ilir Nurja, ky aks rrugor është i kalueshëm vetëm zinxhirë. Në ndihmë të policisë rrugore kanë ardhur edhe borëpastruese nga Saranda dhe Fieri.

LEZHE
Banesat e fshatit Troshan në rrethin e Lezhës, si dhe qindra hektarë tokë janë të rrezikuara si pasojë e rrëshkitjeve të dheut. Reshjet e dendura të ditëve të fundit e kanë përkeqësuar situatën, ndërsa banorët bëjnë apel për ndihmë. Kryetari i Komunës së Blinishtit, Jak Zhuba pranon problemet, por thotë se nuk ka fonde as për ndërhyrje provizore në përroin e fshatit. Rrëshqitjet e tokës në Troshan janë shfaqur për herë të parë në vitin 2009. Situata ka vazhduar të përkeqësohet për shkak të shpyllëzimit të zonës nga vetë banorët

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)