Dedaj: Dje pronare e një lokali prej
llamarine, sot numëroj dy biznese

Dedaj: Dje pronare e një lokali prej<br />llamarine, sot numëroj dy biznese
Një shtëpi dy katëshe, një lokal ku çdo gjë është vendosur në mënyrën perfekte, një minimarket me të gjitha produktet që ju mund të kërkoni, një shtëpi e dhënë me qera si dhe një furgon me të cilin transportohen fëmijët e vegjël në shkollë  është pasqyra me e mirë e një pune të palodhur të çiftit Dedaj.

Por për të arritur deri këtu, për ta nuk ka qenë edhe shumë e thjeshtë. Shpresa, gruaja 43- vjeçare na tregon peripecitë që i është dashur të kalojë gjatë kësaj periudhe 21- vjeçare. Viti 1995 ishte një pikë kthese për këtë familje. Kishte kaluar vetëm një vit nga martesa e Agimit me Shpresën, dhe të pasurit një biznes të tyrin nuk u kishte shkuar askujt ndërmend.

Por llamarinat e prishura të një stalle, shumë pranë shtëpisë së tyre shërbyen si themel për biznesin, por edhe si themel të një ekonomie të qëndrueshme të familjes së tyre. Është 43 vjeç dhe disa rrudha në fytyrën e saj janë dëshmi të vuajtjeve që ka kaluar në jetë, e ndërsa sytë, një sinonim i emrit të saj, reflektojnë shpresë, mirësi, përulësi.

Ndoshta sot i vjen për të qeshur kur e kujton, por në atë kohë nuk ka përjetuar të njëjtën gjë. Shpresa na tregon duke buzëqeshur se në fillimet e saj fitonte vetëm 700 lekë në ditë, e ndërsa në ditët kur nxirrte më shumë fitime, rreth 1500 lekë e priste bashkëshortin e saj në rrugë, e me gëzim i thoshte se sot kishte punuar mjaft mirë.

Kanë mjaftuar llamarinat e një stalle, 5000 mijë lekë furnizime por mbi të gjitha shumë punë e përkushtim. Pikërisht është puna e palodhur dhe korrektësia e saj që e bëjnë atë një grua të suksesshme në biznes. Shpresa, përveç se ka arritur të jetë një femër e suksesshme biznes, ajo është dhe një nënë e shkëlqyer për tre fëmijët e saj, Marselën, Mirandën dhe djalin e vetëm Marvin.

Bashkëshortin, Agimin e ka pasur gjithmonë përkrah, madje ajo na tregon se ka qenë shumë e rëndësishme për të ndihma e tij. Çdo vendim e ka marrë në bashkëpunim të plotë me të, ndoshta sipas saj kjo është edhe arsyeja se përse ka pasur  ngritje në rrugëtimin e saj.

Por biznesi e ka sfilitur paksa, e ka lodhur e për këtë arsye një ditë, ndoshta pas 10 viteve thotë se e sheh veten larg tij, duke iu dedikuar në këtë mënyrë më shumë vetes e për të rifituar atë që ka humbur në rininë e saj.

Cila ka qenë zanafilla e biznesit tuaj, kur dhe si ka nisur?
Kam filluar që në vitin 1995, ka qenë thjesht një rastësi, pa asnjë perspektivë dhe pa menduar shumë për të ardhmen, me një ekonomi shumë të dobët, maksimumi me 5000 mijë lekë furnizim, kështu e kam nisur. Dalëngadalë duke u shtuar klientët si pasojë edhe të shtimit të popullsisë në lagje, si dhe punës së palodhur me bashkëshortin mendoj që jemi këtu ku jemi. Kanë qenë disa llamarina të një stalle, dhe me ato kemi bërë muret e lokalit dhe të dyqanit. Lokali përbëhej vetëm me dy tavolina, ndërsa dyqani shumë pak produkte, sot është diçka ndryshe.

drejt punes

Ideja e kujt ka qenë? E juaja apo e bashkëshortit tuaj?
Ideja ka qenë e të dyve bashkë. Kjo ka qenë më e mira sepse nuk kemi pasur asnjëherë kontradiktë.

Cila ka qenë pjesa më e vështirë në rrugën tënde si biznesmene?
Pjesa më e vështirë është se ekzistonte gjithmonë frika se s’do të ecte biznesi, si do ta përballojmë shpenzimet, si do përballemi me klientët. Kemi pasur normalisht dhe probleme me klientët sepse ka dhe nga ata që nuk janë kënaqur, ndihemi keq kur nuk kënaqet klienti por gjithsesi biznesi vazhdon.

drejt punes

Jeni në kontakte të drejtpërdrejtë me klientët, a është e vështirë të merresh me to?
Pjesa më e vështirë përshtatja me klientin, kur e kupton që klienti nuk është i kënaqur me ty, atëherë të bezdiset si punë. Do më së shumti të kuptosh arsyen se përse po të largohet por edhe ndihesh dhe fajtor. Shpesh herë ndihem e pakënaqur me punën që kam ose them që po ta kisha ditur që në fillim problemet që hasen rrugës së biznesit ndoshta nuk do ta kisha marrë këtë nismë por biznesi nuk të lë ta lesh. Edhe po të duash ti ta lësh, ai të tërheq. Mund ta lësh sot, por nesër e rifillon përsëri.

drejt punes

Nëse nuk do të ishe marrë me biznes, çfarë profesioni mendoni se do të kishit sot?
Ndoshta mësuese, kam punuar kur isha vajzë e re 3 vjet në një shkollë tetëvjeçare dhe jepja lëndën e Gjuhë- Letërsisë.

Ju jeni nëna e tre fëmijëve, a ua rekomandon atyre të ndjekin rrugën tënde, pra të merren më biznes?
Dëshira ime më e madhe është që fëmijët të shkollohen. Kjo është dëshira më e madhe që kam, të kenë të tre fëmijët shkollë të lartë. Biznesin dua që ta kenë si një punë të dytë. Biznesi të jep para por nuk je i qetë, je gjithmonë në stres. Nëse në biznes do të kisha dikë të punësuar, atëherë ndoshta do të ishte më mirë. Por ta administrosh atë është shumë punë e vështirë.

drejt punes

Ju keni pothuajse rreth 20 vite që merreni me biznes, si ka ndikuar kjo në raportin që keni me familjen tuaj?
Rritja e fëmijëve për mua ka qenë një sfidë e vërtetë pasi kam qenë gjatë gjithë kohës në dyqan dhe lokal. Ka pasur raste edhe kur i kam lënë fëmijët duke qarë dhe nuk i kam ushqyer vetëm për t’u shërbyer sa më mirë klientit. Tashmë që janë rritur, ata janë bërë një ndihmë e madhe për mua.

Kemi folur për vështirësitë që hasen në biznes, por cilat janë të mirat që sjell ai?
Të pasurit biznes ndoshta nuk është gjëja më e mirë për pronarin, por është më e mira për fëmijët, pasi ke shumë mundësi për t’ua plotësuar shumë dëshira. Sado i vogël të jetë biznesi, ke gjithmonë fitim. E kundërta do të ndoshta vetëm nëse nuk e administron fare mirë. Nuk mbetesh kurrë pa para, kjo është më e mira mendoj.

Ku e mendon veten pas 10- vjetësh? Ndoshta do të keni zgjeruar sërish biznesin apo mendoni se mund të keni hequr dorë prej tij?
Dëshira ime më e madhe që pas 10- vjetësh të fitoj atë që kam humbur në rini. Pas 10- vjetësh fëmijët do të jenë rritur, do të kenë arritur diçka në jetë. Dua të kem një jetë më të qetë, t’i kushtohem më shumë vetes sime, atëherë nuk do të kem këtë fuqi që kam sot dhe prandaj dua të pushoj.

Duke hedhur sytë nga vetja, si mendon çfarë të ka bërë të suksesshme në biznes?
Mendoj se ajo që më ka bërë të kemi sukses në biznes është përkushtimi ndaj punës. Kemi punuar me mish e me shpirt, me të gjitha fuqitë që kemi pasur. Me pak sforco dhe me shumë korrektësi them se ia kam dalë. Kam lënë pas dorë fëmijët, kam qenë gjatë gjithë kohës në biznes, por edhe fëmija do përkushtimin e saj.  

Cili është njeriu që të ka qëndruar përkrah gjatë gjithë kësaj kohë që i detyrohesh shumë, mendoj që ka pasur dikë apo jo?
Motrës sime, Maries, i dedikohem shumë. Ajo është çelësi i suksesit për mua. Kam pasur një periudhë paksa të vështirë. Kam qenë sëmurë nga mushkëritë dhe për fat të keq kam qëndruar dy javë në koma. Motra ime, Maria ka qenë përkrahë meje, familjes sime dhe biznesit. I detyrohem shumë.

Redaksia Online
(B.K. shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Skema e mashtrimit në Tiranë/ 53 mln lekë dëm shtetit duke shmangur detyrimet tatimore, 1 në burg, 3 detyrim paraqitje! Të përfshirë edhe zyrtarë të administratës

Skema e mashtrimit në Tiranë/ 53 mln lekë dëm shtetit duke shmangur detyrimet tatimore, 1 në burg, 3 detyrim paraqitje! Të përfshirë edhe zyrtarë të administratës