Prej orës 16 të pasdites së sotme gjithë territori i bashkive Delvinë, Konispol dhe Finiq ka mbetur pa energji elektrike. Sipas drejtorit të OSSHE Sarandë, Artur Kseno, shkak është bërë mosfurnizimi me energji elektrike nga hidrocentrali Bistrica 2. Drejtori i OSHEE në një komunikim me Report Tv është shprehur se nga kontaktet që ka patur me përfaqësues të hidrocentralit, i cili i përket kompanisë Kurum, bëhet fjalë për një avari të rëndë të ndodhur në Hidrocentralin Bistrica 2.
Nga kontaktet që ka patur drejtuesi i OSSHE me hidrocentralin i cili furnizon territorin e 3 bashkive në jug të vendit, i është thënë se për riparimin e këtij dëmtimi janë nisur drejt hidrocentralit një grup ekspertësh, por që ende nuk jepet një afat se kur do të kthehet enegjia për banorët e Delvinës, Konispolit dhe Finiqit.