Defender Europe 21 'zbarkon' në Tiranë, Yuri Kim: Me Shqipërinë aleate sot nesër dhe përgjithmonë! Rama: Mision i përbashkët rritja e kapaciteteve të Forcave të Armatosura

 

Një helikopter “Cougar”, me 3 ushtarë të forcave speciale të cilët qëndronin të lidhur në një litar, ndërkohë që ishte vendosur edhe flamuri shqiptar dhe ai amerikan, fluturoi mbi sheshin Nënë Tereza. Ndërsa nga korpusi i universitetit 'Nënë Tereza' u krye edhe një tjetër ushtrim, ku ushtarët shqiptarët zbritën me litarë duke qëlluar më plumba manovër.

Kështu ka vijuar stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 21” në vendin tonë, këtë të diel e cila u cilësua si “Dita e hapur” e Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të stërvitjes së përbashkët me trupat amerikane.

Stërvitja ‘Defender 21’ bëri bashkë në sheshin 'Nënë Tereza', ambasadoren amerikane Yuri Kim, kryeministrin e vendit Edi Ramën dhe presidentin Ilir Meta. I pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

Gjatë fjalës së saj diplomantja amerikane Yuri Kim nënvizoi se marrëdhënia e Shqipërisë me SHBA do të jetë mbi çdo gjë dhe se Amerika do të jetë aleate përgjithmonë me Shqipërinë. Kim theksoi se ‘Defender 21’ hapi një rrugë të vërtetë për një bashkëpunim strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe se Amerika ka një aleat të vërtetë si Shqipëria. 

Ndërkohë në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama vlerësoi ambasadoren Yuri Kim, ku tha se i ka dhënë një tjetër cilësi marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas Ramës, misioni tjetër i përbashkët mes Shqipërisë dhe SHBA-së do të jetë rritja e kapaciteteve njerëzore njerëzore të Forcave të Armatosura, duke i bërë thirrje të rinjve që ta shohin atë si një mundësi të artë për formimin dhe jetën e tyre.

Sakaq presidenti Ilir Meta në fjalën e tij ka vlerësuar mbështetjen e SHBA-së për forcat tona të armatosur. Meta nënvizoi se Forcat e Armatosura kanë treguar profesionalizëm.

Sot do të ketë surpriza në tokë dhe ajër në sheshin “Nënë Tereza” për të gjithë qytetarët të cilët kanë dëshira që ta ndjekin nga afër. “Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore.

Me mijëra trupa nga SHBA, por edhe aleatë të tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve janë të përfaqësuar,  po demonstrojnë një rritje të aftësive ushtarake për të bashkëpunuar së bashku si aleatë ushtarakë. Në këtë stërvitje janë angazhuar mbi 28 mijë ushtarë, shumica e të cilëve janë amerikanë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:36
“Defender Europe 21”, reagon Yuri Kim: Moment historik për Shqipërinë dhe Amerikën! Krah për krah, sot, nesër, gjithmonë

Ambasadorja amerikane Yuri Kim e ka cilësuar stërvitjen ushtarake ‘Defender 21’, si një moment historik për marrëdhënien Shqipëri Amerikë.

'Ditë krenare për SHBA dhe Shqipërinë në Ditën e Hapur për ‘DefenderEurope21’, stërvitja më e madhe e udhëhequr nga SH.B.A. në Ë.Balkans. 28,000 trupa nga 26 vende të NATO dhe vendet partnere që ushtrojnë në 16 vende për të forcuar gatishmërinë, aftësitë dhe ndërveprimin. Shqipëria po pret aktivitetet më të mëdha.

Ky moment historik për SHBA dhe Shqipërinë vjen ndërsa ne festojmë 30 vjet nga fundi i diktaturës komuniste dhe fillimi i demokracisë në Shqipëri, rifillimin e marrëdhënieve diplomatike të SHBA me Shqipërinë; një shekull që SHBA qëndroi në favor të Shqipërisë..

Momenti historik është përsëri mbi ne. SHBA do të vazhdojë të qëndrojë me Shqipërinë ndërsa ju ndërmerrni detyra të vështira tani të nevojshme për të arritur potencialin e plotë të Shqipërisë. Ne jemi krenarë që ju quajmë një mik dhe aleat, dhe do të jemi me ju - #KrahPerKrah - sot, nesër, gjithmonë.'- shkruan Yuri Kim.

Ora 11:31
'Defender 21' në Tiranë, çfarë nuk u pa nga ceremonia që bëri 'afër dhe larg' Metën, Kim dhe Ramën (FOTO)

Ndonëse u bënë bashkë në stërvitje e 'Defender 21' që "zbarkoi" sot në Tiranë, sërish u vu re një lloj distancimi mes Presidentit Ilir Meta, Ambasadores së SHBA, Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama.

Kim, Rama dhe Meta ishin të pranishëm bashkë në një ceremoni për herë të parë pas tensioneve të krijuara pasi SHBA shpalli 'non grata' kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij. Meta reagoi dje me një gjuhë të ashpër, duke mos lënë gjë pa thënë për SHBA dhe duke e konsideruar vendimin e tyre për Berishën si "të pacipë".

Ndërkohë, sot në Sheshin "Nënë Tereza", Yuri Kim dhe Meta shkëmbyen vetëm një shtrëngim duarsh, ndërsa më pas Ambasadorja u ul në krah të kryeministrit Edi Rama, ndërsa Presidenti ishte larg tyre.

Po e tensionuar duket situata edhe mes kryeministrit dhe Presidentit, pasi në fjalën e tyre përmendën vetëm Kim dhe të pranishmit e tjerë, pa iu drejtuar njëri tjetrit.

Pas mbylljes së ceremonisë, kreu i qeverisë u takua me Ambasadoren Kim dhe u largua më pas, ndërsa kreu i shtetit shkëmbeu përshëndetje me përfaqësues të forcave të Armatosura.

Ushtarë shqiptarë e amerikanë demonstruan sot ushtrime ushtarake në Sheshin "Nënë Tereza", në “Ditën e hapur” të Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të stërvitjes së përbashkët me trupat amerikane.

Në foto Ambasadorja Kim dhe Presidenti Meta 
Ora 10:56
'Defender 21', Niko Peleshi: Mundësia më e madhe për të testuar kapacitetet tona! Të rinjtë të shohin Forcat e Armatosura si një mundësi të artë për karrierë (VIDEO)

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i ka bërë sot thirrje të rinjve që të shohin Forcat e Armatosura si një "mundësi të artë" për karrierë. Në fjalën e tij nga Sheshi "Nënë Tereza", Peleshi tha se "Defender 21" ka qenë mundësia më e madhe e për të testuar kapacitetet ushtarake të vendit tonë.

"Sot është një ditë e hapur e stërvitjes Defender 21, më e madhe e zhvilluar në dekadën e fundit në Ballkanin Perëndimor. Sot e kemi sjellë këtë stërvitje në zemër të Shqipërisë për ta sjellë para qytetarëve për të treguar të gjithë masën civile që Ushtria jonë ka. Kemi zhvilluar një ditë të hapur në Durrës e Vlorë, sot po e zhvillojmë në kryeqytet, ku në të gjithë hapësirë shqiptare mijëra trupa amerikane, pranë atyre shqiptare po stërviten për të dhënë siguri, paqe stabilitet dhe qetësi qytetarëve tanë. Kjo përpjekje ka për qëllim të mbajë paqen, të forcojnë demokracinë, të na bëjë të flemë të qetë e të jemi të sigurt për të ardhmen. I kemi dhënë sot mundësi qytetarëve që ta prekin me dorë se ça do të thotë të jesh krenar që je shqiptar. Pas 12 vitesh anëtarësi në NATO, sot ka qenë mundësia më e madhe e historisë tonë për të testuar veten dhe kapacitetin tonë. I bëj ftesë të rinjve ta shohin në karrierën e tyre si një mundësi të artë pjesëmarrjen pranë Forcave të Armatosura", tha Peleshi.

Ora 10:41
Të shtëna me armë, zbritje me litar nga korpusi universitar! Ushtarët shqiptarë demonstrime në Sheshin Nënë Tereza (VIDEO)

Ushtarët shqiptarët kanë demonstruar stërvitjen ushtarake ditën e sotme, teksa po zbresin nga godina e Korpusit Universitar ‘Nënë Tereza’. Ushtarët shqiptarë kanë bërë zbritje nga Korpusi me litarë dhe të armatosur, ndërkohë që kanë qëlluar me plumba manovër.

Ora 10:40
Meta: NATO aleancë e madhe, për popullin shqiptar! Forcat tona të Armatosura kanë treguar profesionalizëm (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta në fjalën e tij ka vlerësuar mbështetjen e SHBA-së për forcat tona të armatosur. Meta tha se NATO është aleancë e madhe, për popullin shqiptar. Sakaq presidenti vlerësoi forcat tona të armatosura, duke nënvizuar se kanë traguar me profesionalizëm.

“Është kënaqësi e veçantë që të jemi të gjithë së bashku në këtë shesh, që mban emrin e shenjtores së madhe Nënë Tereza. Operacionet tona ka qenë të suksesshme. Kjo stërvitje është tepër e rëndësishme për vendin tonë.

Shkëmbimi i eksperiencës nga Forcat tona të Armatosura dhe trupave Amerikane do i shërbejë rritjes së aftësive të trupave tona. Ne kemi shpalosur mikpritjen dhe besnikërinë tonë tradicionale. Kjo stërvitje do të vijojë të jetë e suksesshme. Shpreh falënderimet për kontributin e SHBA-ve dhe vendeve të tjera aleate, që zgjodhën vendin tonë si vendi pritës. Si vend anëtarë i NATO-s jemi krenarë.

NATO është aleancë e madhe, për popullin shqiptar. Në përfundim dua të përgëzoj Forcat tona të Armatosura, për profesionalizmin e treguar, e kanë shërbyer me gatishmëri, për t’u përgjigjur situatave dhe detyrave që burojnë nga Kushtetuta, por edhe aleanca jonë e NATO-s, faleminderit”, tha Meta.

Ora 10:38
'Defender 21', Rama: Yuri Kim i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve me SHBA! Mision i përbashkët rritja e kapaciteteve të Forcave të Armatosura (VIDEO)

Në fjalën e tij, në ceremoninë  e stërvitjes “Defender 21” në Tiranë, kryeministri Edi Rama vlerësoi Ambasadoren Yuri Kim, ku tha se i ka dhënë një tjetër cilësi marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas Ramës, misioni tjetër i përbashkët mes Shqipërisë dhe SHBA-së do të jetë rritja e kapaciteteve njerëzore njerëzore të Forcave të Armatosura, duke i bërë thirrje të rinjve që ta shohin atë si një mundësi të artë për formimin dhe jetën e tyre.

"Është një privilegj që sot në emër të qeverisë së Shqipërisë tju shpreh mirënjohjen të gjithë ushtarakëve të përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse për nga përmasat dhe mesazhi i saj. Njëkohësisht dëshiroj që përveç dhe përtej mirënjohjes për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe që përbëjnë edhe garancinë dhe sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe Shqipërinë, me përkushtimin e sakrificat e tyre, t'ju shpreh mirënjohjen edhe familjeve të tyre. Dua t'i falënderoj me mirënjohje të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse nga SHBA dhe të gjitha vendet e tjera si dhe dua t'i bëj një falënderim të posaçëm përfaqësueses së Qeverisë së SHBA në Shqipëri, Ambasadores Yuri Kim, e cila me përkushtimin e saj i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve, duke përfshirë në vend të parë në mbështetjen e kërkesave dhe nevojave të vendit tonë, qoftë në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, qoftë të Drejtësisë. Besimi që SHBA kanë treguar në vijim te ky partneritet dhe aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël, kulmon me këtë stërvitje ushtarake që jo rastësisht është stërvitja më e madhe, me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tonë. Dua të nënvizoj faktin që edhe vetë kjo shfaqje e bukur për t'i dhënë mundësi qytetarëve të vijën të vizitojnë nga afër gjithë këtë arsenal, nuk do ishte  e tillë sot nëse nuk do të kishte qenë mbështetja konkrete e SHBA për rritjen e vazhdueshme të kapacitete të Ushtrisë Shqiptare. Kam shumë besim edhe bazuar në bisedat me Gjeneralët, por edhe me bashkëveprimin e vazhdueshëm me ambasadoren Kim se do të mund të hedhim hapa të tjerë në rritjen e cilësisë së burimeve cilësore të FA duke krijuar besim të mëtejshëm. Të rinjtë gjithnjë e më shumë do ta shohin adresën e FA si një mundësi të artë për formimin dhe jetën e tyre pas formimit. Krijimi i një kapaciteti të ri akademik për rritjen kapacitetit të forcave njerëzore të FA është misioni i përbashkët i Qeverisë dhe i përfaqësisë së SHBA në Shqipëri. Jam shumë falënderues e mirënjohës për të gjithë sa janë përfshirë në këtë proces të transformimit ët Forcave të Armatosura dhe kjo stërvitje nuk mbaron me mbarimin e saj në afatin e përcaktuar, por do vazhdojë të influencojë të gjithë ushtarakët tanë. Uroj që miqësia mes Shqipërisë dhe SHBA të jetë e përjetshëm dhe ne të jemi krah për krah sot nesër dhe përgjithmonë", tha Rama.

Ora 10:23
Yuri Kim: Amerika ka një aleat të vërtetë dhe të guximshme si Shqipëria! Marrëdhënia e amerikanëve dhe shqiptarëve duhet të vlerësohet mbi çdo gjë (VIDEO)

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka theksuar nga sheshi ‘Nënë Tereza’, se ‘Defender 21’ hap një rrugë të vërtetë për një bashkëpunim strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA. Yuri Kim nënvizoi se marrëdhënia mes Shqipëria dhe SHBA duhet të jetë mbi çdo gjë. Kim tha se SHBA ka një aleat të vërtetë dhe të guximshëm si Shqipëria.

Kryeministri Rama, ministra dhe gjeneralë, burra dhe gra në uniformë, çfarë ditë e bukur për të ekspozuar ushtritë tona. Është një moment historik për aleancën e NATO-s. Defender 21 ka qenë me sukses, javët e fundit ushtarët nga Shqipëria, Bullgaria, Hungaria, Kosova, Mali i Zi, Holanda, Rumania dhe Britania e Madhe, SHBA janë stërvitur së bashku për të forcuar strategjinë tonë, në mënyrë që aleatët e NATO-s dhe partnerët të kryejnë çdo sukses përtej detit dhe në ajër. Gatishmëria jonë garanton ruajtjen e paqes dhe mbajtjen e kombeve tona të sigurta. Kam pasur mundësi të vizitoj trajnimet në Shqipëri, në çdo vendndodhje është që shoh shqiptarë dhe amerikanë që punojnë së bashku dhe po njihen me njëri-tjetrin. Kjo stërvitje do të forcojnë lidhjet tona për të ardhmen.

Ushtarët tanë ndihen njësoj për këtë provojë që kemi në Shqipëri. Ata janë mahnitur nga bukuritë e Shqipërisë, vlerësojnë popullin shqiptar dhe janë krenar që SHBA-të i quajnë Shqipërinë si miq dhe aleatë. Si aleatë kemi qenë bashkë në operacione të shumta. Amerika ka një mike të guximshme, ku nuk ka më të fortë dhe të vërtetë se Shqipëria. Kjo stërvitje i hap rrugë një partneriteti strategjik. Unë besoj që suksesi i “Defender 21” është përfitim për popullin e Shqipërisë. Vlerësojmë që pavarësisht nga dallimet, të gjithë ju e pranoni që gjendeni në një moment të rëndësishëm në histori dhe të gjithë ne jemi të bashkuar, se kjo marrëdhënie mes SHBA-ve dhe Shqipërisë është e rëndësishme. Defender 21 vjen në 30 vjetorin e përfundimit të diktaturës, instalimit të demokracisë.

Ne qëndrojmë me ju sot, në mbështetje të fortë dhe solidaritet të fortë, për Shqipëri demokratike të pavarur dhe të fortë. Jam krenare që jam këtu me ju sot, jam krenare që jemi këtu si aleate me ju, sot, nesër, krahë për krahë përgjithmonë”, u shpreh ambasadorja Kim.

Ora 10:00
Defender 21 në Sheshin 'Nënë Tereza', mbërrin Ambasadorja Yuri Kim (VIDEO)

Defender Europe 21” pas disa qytetesh këtë herë ka zbarkuar në Tiranë, ndërsa të pranishëm në Sheshin "Nënë Tereza" është edhe Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Ambasadores do t'i bashkohen edhe kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqiptar: 23/05/2021 11:51

    Populli Shqiptar me padurim po pret te shikoje Ilir Meten te Mali me Gropa. Do jete feste Kombetare.

    Përgjigju
  • Boni: 23/05/2021 11:09

    Jemi bere si teatri i Gogolit! Njeri e pret dhe tjetra e qep.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Interi në emergjencë totale, Simone Inzaghi: Nuk kam katër mbrojtës

Interi në emergjencë totale, Simone Inzaghi: Nuk kam katër mbrojtës