Mijëra protestues pushtuan sheshet e Hong Kongut, në vazhdën e protestave pro-demokracisë që kanë zgjatur prej tetë muajsh.
Gjithçka filloi për shkak të një projektligji të diskutueshëm të ekstradimit në Kinë, i cili më vonë u tërhoq nga guvernatorja Carrie Lam.
Por banorët e ish-kolonisë Britanike nuk u ndalën këtu, përkundrazi, ata vazhduan të ngrejnë zërin, me kërkesa të reja: reforma zgjedhore dhe bojkotimin e Partisë Komuniste Kineze në qytetin-shtet.
Dhe ishte kjo pikë prej nga nisi reagimi i ashpër i policisë, i cili në shumë raste u shndërrua në dhunë, si dhe sot kur, për të shpërndarë demonstruesit, përdori gazin lotsjellës.
Gjatë protestës pati disa të plagosur, përfshirë një grup policësh me veshje civile, të sulmuar nga demonstruesit.
Që nga fillimi i protestave policia ka arrestuar më shumë se 7,000 persona shumica e të cilëve po ndiqen penalisht për nxitje të revoltës, një krim i dënueshëm deri në dhjetë vjet burg në Hong Kong.