Nisur nga shqetësimi i një studenteje për gjuhën e përdorur në debatin me Sali Berishën sot në seancën plenare të Kuvendit, kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale duke kërkuar ndjesë, sikur shprehet ai, për sëkëlldinë që është krijuar, ndërsa e cilëson Sali Berishën si kufomë politike. "Populli thotë 'kush le me qenin, ngrihet me pleshta'. Kur të zë rrugën një i marri, një rrugaç apo i dehur është e pamundur që të kalosh nëse nuk merresh me të, në një mënyrë apo një tjetër. I marri, apo rrugaçi ka arritur të marrë edhe formë deputeti tek ne dhe shfaqet për turpin e të gjithëve. E kam gozhdë në zemër që në atë Kuvend nuk jam i sfiduar nga inteligjenca apo dinakëria e kundërshtarit, por i sulmuar nga injoranca. Do të ishte më e denjë të na mundte një sfidant serioz për Shqipërinë sesa një fitore me një kundërshtar karagjoz.

E kam pyetur veten miliona herë se cfarë duhet bërë për të shmangur këtë. Nuk e gjej dot këtë. Ndjesë për sëkëlldinë që të është krijuar. Nuk e di sesi i dilet kësaj historie. Ka ikur koha kur prishte punë ajo kufomë politike, që kalbet sot në karrigen e deputetit pa nder dhe pa lavdi. Kjo tokë ka parë shumë të paudhë, por kurrë nuk e ka mbajtur mbi shpinë një prodhues rrenash, si ky farë burri pa din e pa iman, pa kanun, pa kushtetutë.  Komunist i llojit më të zi. Ky njeri ka hyrë në shtëpinë time si halldup, i pashoq, dhe i ka traumatizuar, gruan, nënën, gjyshen dhe fëmijët. Ky është fabrikuesi i procesverbalit të një gjyqi që nuk ka ndodhur kurrë. Aty shkruhet monstruoziteti i mohimit nga ana ime të atësisë së djalit tim. Ky është përhapësi i kësaj gënjeshtre, se unë kam treguar me gisht tim atë si babanë e djalit tim. Kurrë nuk ka ndodhur. Ndarja ime ka qenë krejt njerëzore në gjyq me mirëkuptim të palëve. Por ku lloj krokodili nuk ngopet, dhomë më dhomë, krevat në krevat dhe varr më varr.

Gënjen ky apo unë, për aksionet e gruas sime në një bankë Amerikane, ku ajo nuk ka qenë kurrë më shumë se një anëtare bordi si ekonomiste, që ka të drejtë të ushtrojë profesionin e vet, por që ka fatin e keq të jetë gruaja ime dhe të jetë prehja e gjahut të këtij të fantaksuri. Të ndjek nga pas si hienë. Unë nuk merrem me të, si gazetë e vjetër që tkurret cdo javë. Pasi e zhytën këtë vend në krim, kërkojnë llogari, rrëmujë dhe pushtet, për të zhdukur shpresën bashkë me rrugën e të ardhmes" shprehet Rama, ndër të tjera.  Sot në seancën plenare të Kuvendi kryeministri Rama u përplas me paraardhësin e tij Sali Berisha. Ish-kryeministri akuzoi bashkëshorten e Ramës se është aksionere në një bankë private në vend, por Rama e mohoi një gjë të tillë. Berisha insistoi duke pretenduar aksione në offshore. Në këtë pikë debati arriti pikun dhe Rama iu drejtua Berishës me fjalë të rënda duke i thënë se gruas dhe familjes së tij i ha ato që nuk thuhen...(lexo këtu).