TIRANE- Më keq janë shërbimet që ndodhen në godinën në pjesën që njihet si godina e vjetër e spitalit Ushtarak. Bëhet fjalë për ndërtesën tre katëshe, që ndodhet në të djathtë të portës hyrëse së këtij spitali. Në këtë shërbim ndodhet kardiologjia, neurologjia dhe reumatologjia. Gjatë një vëzhgimi që "Shqiptarja.com" bëri një javë më parë, por siç edhe dëshmojnë këto foto, pacientët në të tre katet e këtij spitali numërohen me gishtat e dorës. Në katin e parë ku ndodhet Kardiologjia, kat i cili ka 8 dhoma shtrimi, një pjesë me nga tre shtretër shtrimi dhe një pjesë tjetër me dy shtretër, kanë vetëm një pacient. Edhe ai me sa duket nuk është shtruar, por ka mbërritur për të marrë ndihmën e parë. E njëjta situatë është edhe në katin e dytë të këtij shërbimi. Aty ndodhet vetëm një pacient i shtruar që prej disa ditësh. "Po kështu ka që në qershor. Njëherë thanë se do të pezullojnë operacionet dhe do t'i nisin sërish gjatë muajit shtator, por erdhi tetori dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Pastaj mjekët na thanë se kanë pezulluar edhe shtrimet. Sipas mjekëve, në drejtori u kanë thënë se nuk kanë medikamente, ndaj nuk do të planifikojnë shtrime të reja. Dhe kështu është. Unë gjatë kësaj vere, jam shtruar disa herë, por të gjitha i kam blerë vetë, spitali nuk ka asgjë", - na thotë i vetmi pacient që ndodhet i shtruar në katin e dytë. Ku gjithashtu të gjitha dhomat janë bosh. E njëjta situatë ndodhet edhe në katin e tretë, ku pacientët janë vetëm dy të shtruar. Situata e rëndë konfirmohet edhe nga vetë mjekët, të cilët shpjegojnë se gjendja në spital po shkon çdo ditë e më shumë rrënimit, pasi mungon çdo gjë. Madje sipas tyre, edhe dorezat, ua blejnë pacientët. Sipas mjekëve, vetëm trauma nuk ka pasur braktisje të pacientëve.

SHKRIRJA

Sipas mjekëve të spitalit Ushtarak, gjatë ditës së sotme, në komision parlamentar do të diskutohet "zhdukja" e këtij spitali, unik në vendin tonë. Ata na sqarojnë se të gjitha shërbimet që aktualisht ndodhen në godinën e madhe të spitalit Ushtarak, që është godina kryesore, do të zhvendosen në godinën e vjetër, ku edhe tashmë janë boshatisur nga pacientët me qëllim. "Sot (dje) morëm vesh se nesër (sot) do të diskutohet çështja e shkrirjes së spitalit ushtarak. Por kjo që duan t'i bëjnë nuk është shkrirje, është zhdukje e tij. Në komision, spitali Ushtarak do të përfaqësohet nga Bajram Begaj, i cili aktualisht është drejtor i shëndetit në Ministrinë e Mbrojtjes. Na thanë që të gjitha shërbimet do të zhvendosen te godina e vjetër, ndërsa vetëm trauma do të qëndrojnë për momentin ku është. Madje ne kemi dëgjuar se pjesa që do të mbetet e lirë nga kjo zhvendosje, që i bie të jetë thuajse i gjithë spitali, do të jepen me qira 1 euro metri katror, që është edhe premtimi i Berishës. Dhe ne mendojmë se kjo bëhet për të favorizuar spitalet private", - na shpjegojnë mjekët.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)