Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i ka kërkuar përfaqësuesve të opozitës në Kuvend që të ndalin sulmet ndaj ministrit të ri të Jashtëm, Ferit Hoxha.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku iu përgjigj akuzave të Tedi Blushit, Balla tha se Hoxha gjatë karrierës së tij si diplomat ka qenë tepër i suksesshëm dhe ka bashkëpunuar si me PD kur ishte në pushtet, ashtu edhe me PS dhe ish-Presidentin Ilir Meta.

“Sulmet ndaj ambasadorit Hoxha i cili në kulmin e karrierës së tij u vlerësua me pozicionin më të lartë hierarkik brenda Ministrisë së Jashtme, atë të ministrit të Jashtëm, nuk i bëjnë mirë askujt në këtë sallë, për faktin se pjesa jonë më e madhe këtu na ka rënë mundësia të punojmë me Hoxhën, i cili si një ambasador karriere ka punuar me të gjitha administratat.

Sa i përket ish-Presidentit Meta, ka qenë ai që e ka dekretuar 3 herë zotin Hoxha si ambasador. Kur Meta i paska pasur këto informacione, pse e dekretoi? Sa i përket akuzave lidhur me marrëveshjen e detit, në asnjë rast nuk fajësohen përfaqësuesit teknik, pasi përgjegjësitë janë gjithmonë politike. Nuk ka askush dyshime se marrëveshja e detit e 2009, të cilën e kam denoncuar në Kushtetuese dhe e konsideroj një prej fitoreve më të mëdha politike të PS, pasi PS ka mbrojtur interesin kombëtar gjatë këtyre 35 viteve.

Zoti Blushi, më vjen shumë keq që degraduat në një sulm të natyrës personale dhe shpresoj shumë që grupi Parlamentar i PD-së të dijë të distancohet nga një sulm ndaj një njeriu që mendoj se edhe ju mendoni si unë, ambasador i suksesshëm, me mandate të suksesshme edhe pranë BE-së si ambasador i Shqipërisë në Bruksel”, tha Balla.

Ndërkohë Blushi iu përgjigj Ballës duke i thënë se nuk kishte asgjë personale me Ferit Hoxhën, teksa shtoi se ky i fundit kishte bërë lojë të dyfishtë.

Blushi tha se Ferit Hoxha ishte kryenegociatori që firmosi marrëveshjen që ishte denoncuar më pas si tradhti kombëtare. Sipas Blushit, ishte loja e dyfishtë e tij që kryeministri Edi Rama e bëri ministër të Jashtëm.

“Unë nuk bëj sulme personale ndaj kërkujt. S’kam asgjë personale me Ferit Hoxhën, nëse do kisha gjë personale këtë fakt do e ndaja 17 vite më parë. Por dua t’ju kujtoj se kryenegociatori i marrëveshjes me Greqinë ka qenë Ferit Hoxha, ky është fakt. Siç është fakt, i kam emailet akoma. Marrëveshjen ma dha Ferit Hoxha, me orientimin ‘Berisha shiti detin’. Kryenegociatori që firmosi marrëveshjen orientoi gazetarin se çfarë kishte ndodhur. I vetmi faj imi ishte se nuk e dija, s’kisha nga ta dija kush po negocionte me Greqinë, janë teknikët që bien dakord, pastaj politika shpreh vullnetin dhe firmos. Ferit Hoxha ka qenë kryenegociator, ai i cili firmosi atë marrëveshje që e denoncoi te unë si tradhti kombëtare. Kë Ferit Hoxha duhet të besojmë? Ferit Hoxha ka bërë lojë të dyfishtë dhe është fakt që për shkak të kësaj loje të dyfishtë Edi Rama e emëroi Ministër të Jashtëm”, tha Blushi.


Lajmi kryesor:

LIVE - Kuvend/ Koçiu dhe ministrat e rinj votëbesohen mes kaosit të PD, Berisha e deputetët bllokojnë Foltoren! Sherr edhe për imunitetin e Ballukut