Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e Agron Shehajt me 20 ditë nga punimet e parlamentit.

Në shkresën e PS thuhet se Shehaj ka vazhduar të bllokojë foltoren edhe pas kohës së parashikuar për fjalën e tij.

“Pas përfundimit të kohës prej 2 minutash, deputeti Agron Shehaj nuk u largua nga foltorja, duke mbajtur të bllokuar foltoren e Kuvendit, në kundërshtim dhe në shkelje të Rregullores”.

PS thotë se edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe përshkallëzimit të masave në “vërejtje” e më pas “heqje e fjalës në seancë”, drejtuesi i Partisë Mundësia, vijoi të pengonte zhvillimin e seancës, thotë kërkesa.

“Edhe pas marrjes së masës për t’u përjashtuar nga seanca plenare dhe thirrjeve të përsëritura të drejtueses së seancës për të liruar sallën, deputeti refuzoi të dalë nga salla, duke shkaktuar kështu edhe bllokimin e vijimit normal të punimeve të Kuvendit dhe duke i pamundësuar 6 deputetëve fjalën e tyre në emër të zgjedhësve”, thuhet në kërkesën e grupit të PS.

Sekretariati për Procedurat, Votimin dhe Etikën do të mblidhet sot në orën 12:00 për të vendosur për përjashtimin ose jo të Shehajt me 20 ditë.

Çfarë ndodhi në Kuvend?

Agron Shehaj u përjashtua nga seanca në Kuvend, pasi u përplas me socialistët për banorët e Rrjollit që prej 1 muaji janë në protestë duke kundërshtuar ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, në tokën që e pretendojnë të tyren. Ai hodhi akuza për dhunë ndaj këtyre banorëve.

Gjatë fjalës së tij, Shehaj tha se banorët e Rrjollit po dhunohen dhe po u grabitet prona nga Bashkim Ulaj, njeriu që sipas tij përmendej në përgjimet e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Ballukut.

“Askush nuk foli këtu me një çështje që ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur falë pushtetarëve të korruptuar. Kjo këtu është një pamje që tregon sesi dhunohet një qytetar shqiptar. Ndërkohë që Taulanti zgërdhihet. Taulant e ke parë këtë grushtin Taulant? Ky djali që rrahin me grushta është një 19-vjeçar që mbron pronën e vet, ku ka lindur, jetuar e është rritur, ndërkohë që ju ja keni vjedhur. 150 hektarë i keni marrë gjithë fshatit. Ja ka marrë ish-drejtori i Hipotekës Taulant. Pasi keni vjedhur pronën, tani po i dhunoni. Ja ka marrë me atë që Belinda Balluku përmendte në përgjim dhe thoshte ‘i kemi bërë nderin e jetës, i kemi dhënë rrugën Thumanë-Kashar 1.3 miliardë euro. T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, tha mes të tjerash Shehaj.

Drejtuesja e seancës i fiku mikrofonin Shehajt dhe kaq mjaftoi që të niste përplasjen me deputetët e Partisë Socialiste.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë