Sulmet me raketa të SHBA-së dhe Izraelit mbi Teheran dhe vrasja e Liderit Suprem të Iranit, Ali Hosseini Khamenei, e kanë futur Lindjen e Mesme në një luftë me shkëmbime bombardimesh nga ajri.

Situata ka prekur çdo sferë të jetës, duke ndikuar edhe futbollin. Në këtë vend luajnë edhe dy futbollistët shqiptarë, Jasir Asani dhe Regi Lushkja. Sipas medieve ndërkombëtare FIFA është në monitorim të situatës dhe klubet në Iran kanë marrë një vendim të rëndësishëm për të larguar të gjithë futbollistët e huaj.

Linjat ajrore nuk lejohet të përdoren dhe zgjidhja e vetme është ajo mes rrugëve tokësore. Vetë klubet janë përfshirë në këtë mision duke bërë që të dërgojnë futbollistët e huaj në kufirin me Turqinë në rrugë tokësore.

Nga Teherani në kufirin më të afërt turk janë 890 kilometra për t'u përshkruar dhe rruga është e gjatë me makinë. 'Errësirën' e informacionit e përforcon edhe mungesa e internetit dhe kushtet e jashtëzakonshme, ndërsa i kontaktuar nga Report TV, Jasir Asani, nuk ka kthyer një përgjigje deri në momentin e shkrimit të këtij lajmi.

Fakt është se klubet janë angazhuar për të larguar në zona të sigurta futbollistët dhe ata të huaj do shoqërohen drejt kufirit më të afërt që nuk përbën rrezik për sigurinë e tyre fizike.

FIFA ndjek me shqetësim ngjarjet

Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, tha se organi drejtues po monitoron situatën në Lindjen e Mesme. "I lexova lajmet (për Iranin) njësoj siç i lexuan të gjithë", tha Grafstrom, i cili po merrte pjesë në takimin e përgjithshëm vjetor të Bordit të Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit në Cardiff, Uells, të shtunën, nëpërmjet ESPN .

"Sot (dje) patëm një takim dhe është e parakohshme të komentojmë në detaje, por do të monitorojmë zhvillimet rreth të gjitha çështjeve në mbarë botën. Ne patëm shortin e finales në Uashington, në të cilin morën pjesë të gjitha ekipet dhe fokusi ynë është në një Kupë Bote të sigurt me të gjitha ekipet pjesëmarrëse."

Irani mund të mos marrë pjesë në Kupën e Botës 2026

Pas sulmeve ajrore, Mehdi Taj, president i Federatës Iraniane të Futbollit, shprehu pasiguri të konsiderueshme në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në Kupën e Botës 2026, e cila do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrikun e këtij viti në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Duke folur në rrjetin televiziv iranian Teheran, sipas Marca, ai tha: "Me atë që ndodhi sot (dje) dhe me atë sulm nga Shtetet e Bashkuara, nuk ka gjasa që ne të mund ta presim me padurim kupën". Ai shtoi: "Por krerët e sporteve janë ata që duhet të vendosin për këtë."

Irani e ka siguruar tashmë vendin në Kupën e Botës 2026. Vendi i Lindjes së Mesme u shortua në Grupin G së bashku me Belgjikën, Zelandën e Re dhe Egjiptin.