Në pothuajse një muaj nga përpjekja e parë të konstituuar Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit,  kryesuesi Avni Dehari ka lajmëruar që vazhdimi i saj do të mbahet të mërkurën e 9 shtatorit në orën 11.00, duke iu dhënë dhe një mundësi deputetëve të zgjedhur që të formojnë institucionet e reja të vendit.

Dehari tha se e mori këtë vendim pas arritjes së një marrëveshjeje të brishtë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, për kandidatin për president të Kosovës.

“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, tha Dehari në Facebook.

Njoftimi erdhi ndërkohë që Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se do ta çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese . Deputetët e saj dhe të Aleancës bllokuan edhe sot hyrjen e Qeverisë dhe përsëritjen thirrjen për konstituimin e Kuvendit, që ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve lidhur me presidentin e ri të vendit.

Shpresa për zgjidhjen e ngërçit nuk zgjati as 12 orë, pasi një marrëveshje e arritur mes Vetëvendosjes dhe LDK-së lidhur me figurën konsensuale për president Bekim Sejdiun, ngeci në vend numëro kur 6 deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta mbështesnin kandidaturën e tij sepse nuk duan t’i zgjasin pushtetin Albin Kurtit.

Njohës politikë në vend e kanë përshkruar situatën politike si serioze aq sa për të çuar sërish  vendin në zgjedhje të parakohshme që do të ishin të katërtat në 18 muajt e fundit.