Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, drejtori kjo që administron thuajse të gjithë procesin e maturës shtetërore e lë të hapur shtegun se ndoshta ka ardhur koha që skema e maturës të përmirësohet. Pas propozimet e ardhura së fundmi nga rektorët dhe dekanët e universiteteve publike, ai shprehet se për këtë duhet një debat midis të gjithë specialistëve, ku të përfshihen ministria e Arsimit dhe universitete publike, por pa mohuar sistemin e vlerave që ka krijuar tashmë kjo formulë e pranimit në shkollat e larta. "Rishikimi i maturës shtetërore është përsëri pjesë e shqyrtimit të mundësive që të ofron përmirësimi i skemës së maturës ose edhe i debatit, më tej, që mund të përfshijë universitetet dhe ministrinë e Arsimit. Ka nevojë për një debat, megjithatë sistemi i maturës, në këto gjashtë vite, ka krijuar një sistem të madh vlerash që nuk mund të injorohen", - ka deklaruar kreu i provimeve, Harizaj.

Konkurset
Ndryshe nga rektori i universitetit të Tiranës, i cili deklaroi pak ditë më parë se matura ka mbërritur në limitet e saj ndaj kërkoi rikthim të konkurseve të pranimit, dekani i një prej fakulteteve më të rëndësishme të UT-së, atij të Mjekësisë, Bajram Hysa, nuk ndan të njëjtin mendim me të. Ai kërkon rishikim të formulës së maturës shtetërore, por nuk është për rikthim të konkurseve të pranimit. Dekani Bajram Hysa thotë se ajo çka duhet të ndryshojë është kurrikula përgjatë shkollës së mesme dhe dhënia e provimeve në lëndët e duhura në bazë të zgjedhjes që ka bërë maturanti për të vazhduar studimet e larta. Në rastin e mjekësisë një maturantë të mos jap më lëndët biologji anglisht por biologji-kimi. Gjithashtu Hysa thotë se ndryshime të tilla për një proces kaq të rëndësishëm duhet të nisin pas konsultime të gjera mes rektorëve, dekanëve dhe ministrisë së arsimit. Në fakt sipas tiuj, duhet të rishikohen provimet me zgjedhje, pasi janë pikërisht ata që përcaktojnë fituesit e shkollave të larta, që sipas të dhënave degët më të mira nuk po i fitojnë më gjimnazistë që vijnë nga shkolla me emër, por gjithnjë e më shumë lista e fituesve po mbushet me gjimnazistë që vijnë nga shkolla periferike.
Universitetet publike në fakt që në fillimet e maturës nuk kanë qenë dakord me skemën e re. Ka qenë ish-rektori, aktualisht dekan i fakultetit të Filologjisë, Shezai Rrokaj që vite më parë ka dhënë kambanën e alarmit dhe ka kërkuar që ekspertët e shkollave të larta të ishin pjesë e hartimit të testeve të maturës shtetërore, kërkesë e cila nuk është marrë në konsideratë dhe universiteteve, që prej vitit 2006, u shkon e gatshme lista e studentëve që do të pranojnë, pa vendosur vetë asnjë lloj kriteri.

(ek/shqiptarja.com)