Deklaratë për shtyp e Kryetarit të PS-së, Edi Rama

Deklaratë për shtyp e Kryetarit të PS-së, Edi Rama
Sikundër e kishim premtuar, në fund të javës së tretë të muajit do të bëhej gati dhe do të prezantohej struktura e qeverisë së re të Shqipërisë për vitet 2013-2017. Është një strukturë e cila është ndërtuar mbi bazën e një analize të hollësishme të strukturës ekzistuese dhe të gjithë degëzimeve të strukturës ekzistuese, që në këndvështrimin tonë përbëjnë një trupë me shumë parazitë brenda dhe kërkojnë një shkurtim drastik.

Nga ana tjetër struktura e qeverisë së re është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve, por edhe të disa nevojave shumë të rëndësishme që ka vendi. Duke konsultuar shumë struktura qeverish në vendet e reja të Bashkimit Europian sidomos, por jo vetëm, dhe duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë që të kemi një qeveri e cila të ketë shumë më tepër fokus, shumë më tepër përgjegjësi të qarta mes sektorëve dhe shumë më tepër mundësi për të krijuar kushtet që të prodhojmë rezultate me shumë më pak shpenzime nga taksat e qytetarëve.

Do të ristrukturojmë në mënyrë të plotë dhe të thellë godinën apo organikën e kryeministrisë. Do të ketë shkurtim të ndjeshëm të kësaj organike. Do të vendoset një raport i ri i drejtë dhe efikas mes kabinetit të Kryeministrit dhe gjithë piramidës, që sot rezulton në këndvështrimin tonë shumë e mbingarkuar dhe në një pjesë të konsiderueshme parazitare.

Do të ketë shkurtim drastik të komiteteve ndërministrore dhe reduktim të numrit të tyre, në funksion të rritjes së fuqisë koordinatave të këtyre komiteteve. Në të njëjtën kohë, do të ketë një sërë prioritetesh të qeverisjes që do të jenë në fokus të punës së të gjithë kryeministrisë. Do të ketë një zëvendës kryeministër, pa portofol tjetër, që do të fokusohet në çështjet specifike për të çuar përpara prioritetet.  Më tutje;

Ministria e Financave nuk ndryshon, por do të ketë një reformë të thellë strukturore të brendshme.
Ministria e Brendshme, nuk ndryshon. Kur them nuk ndryshon, flas në kompetencat ekzistuese, por edhe aty do të ketë një reformë të thellë strukturore të brendshme.
Ministria e Mbrojtjes po ashtu. Nuk ndryshon në kompetencat ekzistuese, por edhe aty do të ketë një reformë të thellë strukturore të brendshme.
Ministria e Jashtme, nuk ndryshon në kompetencat ekzistuese, por reforma strukturore e brendshme do të jetë e thellë.
Ministria e Integrimit Europian, që do të marrë një rol të ri dhe një fuqi të re në kushtet kur bëhet e domosdoshme që t’i japim fund një periudhe të stërgjatë kaosi dhe moskoordinimi mes ministrive dhe agjencive të tjera në funksion të kryerjes të të gjithë atyre detyrave që shkojnë duke u shtuar në axhendën tonë të integrimit.
Ministria e Drejtësisë nuk ndryshon në kompetenca, por reforma e thellë dhe strukturore po ashtu do të përfshijë edhe këtë ministri.
Do të kemi një ndarje të Ministrisë së Ekonomisë e cila praktikisht është një strukturë shumë e rëndë me një gamë shumë të gjerë për të mbuluar çështjesh dhe rezulton nga analiza jonë me disefiçenca të mëdha. Prandaj, kjo superministri kështu siç është sot nuk do të ekzistojë më.
Do të kemi nga njëra anë Ministri të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila do të mbulojë sektorët e zhvillimit, do të mbulojë zhvillimin rajonal, do të mbulojë problematikën e klimës së biznesit, do të mbulojë gjithë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit, dhe mbi të gjitha do të mbulojë marrëdhënien me sipërmarrjen që do të ndryshojë rrënjësisht, në qasje dhe në sjellje.
Nga ana tjetër Ministria e Energjisë dhe Industrisë, që do të mbulojë me përparësi dhe me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë.

Gjithashtu do të ndahet në dy, ministria aktuale e nuk e di se sa punëve, publike, transporti, telekomunikacioni dhe nuk e di sa të tjera me radhë, në një strukturë që do të mbulojë posaçërisht Transportin dhe zhvillimin e Infrastrukturës, me fokus politikat e transportit, telekomunikacionit dhe infrastrukturën. E, nga ana tjetër një strukturë e re që do të mbulojë gjithë boshllëkun e madh të krijuar nga mungesa e politikave të zhvillimit urban dhe turizmit. Do të jetë një Ministri e Zhvillimit Urban dhe Turizmit që do të ketë rolin e planifikimit, kontrollit të territorit dhe aspektet që lidhen me zhvillimin urban dhe turistik të vendit dhe një Ministri e Transportit dhe e Infrastrukturës.

Më tutje do të kemi një strukturë më të plotë të asaj që sot është Ministria e Bujqësisë etj, etj, do të kthehet në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Kemi një prioritet të posaçëm në modelin tonë të zhvillimit, përfshirjen edhe të detit në ekonomi. Sigurisht, kemi sot një konflikt permanent kompetencash dhe interesash mes asaj që është ministria që, aktualisht, duhet të mbulojë çështjet e fshatit, dhe të zhvillimit rural, që sot nuk ekziston fare as si nocion dhe as si mekanizëm i ndërtuar për të çuar përpara zhvillimin rural, dhe asaj që është aktualisht sot Ministria e Mjedisit që ka një konglomerat kompetencash në konflikt interesi brenda përbrenda strukturës. Pra, krijohet Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Ministria e Shëndetësisë mbetet me kompetencat ekzistuese dhe merr edhe mbrojtjen e konsumatorit, sipas fushës përkatëse.

Bashkojmë arsimin me sportin në një Ministri të Arsimit dhe të Sportit. Kalojmë nga një ministri fantazmë që ka ngrënë boll pa kthyer asgjë nga paratë e popullit shqiptar e quajtur e punës dhe e çështjeve sociale në një Ministri të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, që bashkohen bashkë. Një ministri që do të ketë një objektiv të posaçëm për të çuar përpara projektin tonë transformues të arsimit profesional për të rinjtë.

Dhe vijmë tek Ministria e Kulturës, pa turizëm, sport, rini e të tjera me radhë që, praktikisht, e kishin kthyer këtë strukturë në një përzierje elementësh shumë të rëndësishëm, por të kthyer në parazitë, dhe kemi një Ministri të Kulturës që do të fokusohet tërësisht tek kultura dhe tek trashëgimia kulturore.

Ministria e Mjedisit me kompetenca ekskluzive të mbrojtjes së mjedisit dhe të oponencës ndaj gjithë projekteve të zhvillimit për të garantuar përmasën e gjelbër të zhvillimit që duam.

Plus, do të kemi jo ministri, por një ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike. Administrata publike nga një xhep fallco në ministrinë e brendshme rikthehet në kryeministri dhe hyn në kompetencën e një ministri që të mbulojë inovacionin dhe administratën publike në funksion të një projekti madhor që është ai i bazës kombëtare të burimeve njerëzore të këtij kombi.

Një ministër për Çështjet Vendore, që do të mbulojë gjithë fushën e mbetur bosh pa koordinim mes pushtetit vendor dhe qeverisë, por edhe çështje të komuniteteve të ndryshme në raport me vetë pushtetin vendor. Jemi të vetëdijshëm që ka një tension që shfaqet në pjesë të ndryshme, në kohë të ndryshme për arsye të mungesës së një kulture demokratike të qeverisjes vendore. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin në kuadrin e një marrëdhënieje të re mes ekzekutivit dhe legjislativit, kur ministrat nuk kanë mandatin e deputetit.

E fundit, unë e quaj të rëndësishme; Komitetet që do të drejtohen nga kryeministri, e thashë edhe më parë, do të shkurtohen në mënyrë drastike, sepse sot janë një tufë e tërë parazitësh dhe do të jenë komitete të mirëfillta pune për prioritetet dhe për koordinimin e të gjitha energjive qeverisëse të vendit.

Kjo është struktura e re e qeverisë së Shqipërisë. Siç e kemi premtuar në fund të muajit, fillim të muajit të ardhshëm do të paraqesim edhe përbërjen nominale të qeverisë së re.
Ju falënderoj dhe qëndrojmë në kontakt. 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë