Kancelari gjerman Friedrich Merz, në një fjalim të mbajtur në Kongresin e Unionit Kristano-Social (CSU), paralajmëroi fundin e “Pax Americana”, asaj që cilësohet si mbrojtja e SHBA-ve ndaj Evropës, duke i kërkuar kombeve evropiane të përgatiten për ndryshimin e lidhjeve transatlantike dhe të forcojnë mbrojtjen në mënyrë të pavarur.

“Dekadat e Pax Americana për Evropën dhe Gjermaninë në masë të madhe kanë mbaruar për ne. Ajo nuk ekziston më ashtu siç e kemi njohur. Nostalgjia nuk do të na ndihmojë, dhe pse do të isha i fundit që do t’i dorëzohesha kësaj nostalgjie. Ky është një realitet! Amerikanët tani po mbrojnë në mënyrë shumë të ashpër interesat e tyre. Dhe kjo është arsyeja pse tani duhet të mbrojmë interesat tona”, tha Merz.

Merz u tha evropianëve se prioritetet strategjike të Washingtonit kanë ndryshuar prej vitesh.

“Trump nuk u shfaq brenda natës dhe as politika amerikane nuk do të ndryshojë brenda natës. ‘Pax Americana’, që nënkupton paqen afatgjatë, është rendi i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara garantonin sigurinë evropiane.”

Merz u shpreh gjithashtu kundër lëshimeve të tepërta ndaj Moskës në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, duke argumentuar se kjo vetëm do të forconte ambiciet e Kremlinit.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të ndalet në Ukrainë, duke paralajmëruar për përpjekjet për të rivizatuar kufijtë e Evropës dhe për të rivendosur kontrollin mbi ish-territoret sovjetike, duke paraqitur kërcënime afatgjata për sigurinë evropiane.