Ndërsa opinioni publik, të gjithë shqiptarët, presin që maxhoranca të bëjë transparencën përsa i përket “Aferës CEZ”, Kryeministri, me batutat e tij, anashkalon faktet, shmang përgjegjësitë dhe nuk i jep përgjigje asnjërës prej çështjeve të ngritura nga opozita përsa i perket “Aferes CEZ”.
 
Në fakt, faktet e kësaj afere dëshmojnë qartë se:
 
Qeveria shqiptare ka fshehur të vërtetën dhe ka falsifikuar faktet përsa i përket marrëveshjes me kompaninë CEZ as; 

Raportet e kompanive të specializuara ndërkombëtare vlerësojnë se ka qenë pikërisht CEZ as që është përgjegjësi kryesor i situatës se krijuar në SEL. Këto raporte vlerësojnë se CEZ i ka borxh të pranuar kompanive shtetërore shqiptare rreth 500 mln euro dhe se Shqipëria do të mund të kërkonte deri në 3 miliardë USD dëmshpërblim për situatën e krijuar në SEL nga CEZ as; 

Qeveria shqiptare, në vend të përgatitej për arbitrazhin ndërkombëtar, dhe ta kërkonte këtë dëmshpërblim, i paguan edhe 95 milion euro të tjera kësaj kompanie e cila me papërgjegjshmërinë e saj desh e çoi në kolaps sistemin tonë energjetik; 
 
Avokati ynë ndërkombëtar, Hamid Gharavi, u përjashtua pa asnjë shpjegim nga negociatat me CEZ as. Për vetë natyrën e këtyre negociatave, është e paimagjinueshme që ato të zhvillohen pa praninë e një konsulenti të specializuar; 

Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, askush, e veçanërisht Avokati Ndërkombëtar, nuk e ka këshilluar Qeverinë Shqiptare të pranojë një marrëveshje me terma të tilla të vjedhjes dhe përdhosjes së interesave të shtetit shqiptar; 

Me miratimin nga maxhoranca të kësaj marrëveshjeje, janë shkelur në mënyrën më flagrante interesat e shtetit shqiptar dhe janë grabitur, ditën për diell, paratë e taksapaguesve shqiptarë; 

Kjo marreveshje i hap rrugën rritjes së çmimit të energjisë elektrike, rritje për të cilën shqiptarët e kanë paguar tashmë CEZ, dhe për të cilën nuk mund dhe nuk duhet të paguajnë përsëri; 


Disa pyetje për kryeministrin Rama:
 
Pse u mbajtën të fshehta raportet e kompanive ndërkombëtare? 

Këto raporte kanë qenë në dispozicion të qeverisë tuaj z. Rama në shkurt 2014: si është e mundur që vlerësimet e tyre nuk u morën parasysh gjatë negociatave? 

Si është e mundur, që kur ekspertët ndërkombëtarë vlerësonin se përgjegjësia për gjendjen e krijuar ishte e tëra mbi kompaninë CEZ, ju si Kryeministër vazhdonit të fajësonit qeverinë e mëparshme? 

Pse, edhe kur ekspertët ndërkombëtarë çertifikuan me shkrim se sjellja e qeverisë shqiptare kundrejt CEZ ishte konform detyrimeve kontraktuale, ju vazhdonit ti thoshit shqiptarëve se fajin për këtë e kishte qeveria e mëparshme? Mos vallë sepse po përgatisnit terrenin për të arritur këtë marrëveshje të megavjedhjes? 

Si është e mundur të bihet dakord, të paguhet 95 mln euro nga paratë e shqiptarëve për CEZ as, kur CEZ i ka borxh 500 mln kompanive shqiptare dhe është qeveria shqiptare që duhet të kërkojë deri në 3 miliardë usd dëmshperblim?; 

Pse u përjashtua nga negociatat avokati ynë ndërkombëtar? Pse nuk u ndoqën këshillat e tij për të bërë padi në arbitrazh kundër CEZ, por u negociua fshehtazi dhe në mungesë të plotë trasparence? 
Shqiptarët presin përgjigjen tuaj z.Kryeminister, dhe jo batutën tuaj të rradhës në Twitter, që nuk thotë asgjë!