Deklarata e plotë e Kryeministrit Rama në konferëncën për shtyp:

Keni vënë re besoj që ka një përpjekje të madhe nga ana e Partisë Demokratike, për të treguar një përrallë ​nga frika e Reformës në Drejtësi, por edhe nga mungesa e plotë e dëshirës dhe vullnetit për ta prishur vëllazërinë me prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar. Të cilët, janë të kapur për fyti prej pushtetit të vjetër të Partisë Demokratike që sot është i plotfuqishëm, në sistemin e kësaj drejtësie të kalbur që kemi.

Përsërisin papushim “ Venecia, Venecia”, tani iu ka mbetur të marrin dhe një gondol ku të dalin në televizor, një kapele nga ato tipike të marinarëve të Venecias dhe të vazhdojnë të përpiqen të hedhin sa më shumë ujë për ta holluar substancën e reformës.

Sigurisht, që falë presionit të madh të publikut, falë pozicionimit të qartë dhe të hapur të SHBA dhe BE, u tërhoqën nga thuajse gjithçka, por nuk u tërhoqën ende nga kryesorja që është mosfutja e duarve të partive në procesin e vetingut, të radiografimit etiko-profesional të çdo prokurori dhe gjykatësi që në sistemin e ri do të vazhdojë të paguhet nga taksat e shqiptarëve, pasi të ketë dalë pa njollë në radiografi, lidhur me legjitimitetin e pasurisë, me cilësinë e vendimmarrjeve në karrierë, në raport me ligjin dhe sigurisht me aftësitë profesionale.
 
Ne, çfarë kemi kërkuar qysh në fillim apo më saktë çfarë kemi pranuar qysh në fillim; është se kemi pranuar një princip shumë të thjeshtë, që shumica e thjeshtë nuk mundet më të vazhdojë të emërojë gjykatësit dhe të përcaktojë përbërjen e trupave vendimmarrëse në këtë vend.

Dëgjoni dy shifra interesante;

Nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të nëntë i ka zgjedhur qeveria e PD, madje ka edhe ndonjë nga ata të 9-të që është zgjedhur me më pak se 71 vota, 60 e ca vota.

Nga 17 anëtarë të gjykatës së lartë, 16 i ka zgjedhur qeveria e PD dhe thuajse gjysma e tyre janë zgjedhur me 71, 72, 73, pra me një shumicë të thjeshtë.

Çfarë është ky sistem sipas PD?! Është i kapur apo është i pakapur?!

Unë e di përgjigjen, përgjigjen e dini edhe ju. Më mirë se unë dhe se ju, përgjigjën e di populli shqiptar. Përgjigjen e di familja e Aleks Nikës, familja e Ziver Veizit, familja e Faik Myrtajt, familja e Hekuran Dedës. Përgjigjen e dinë të katërta familjet që në dyert e kësaj drejtësie kanë parë të rivrarë djemtë, burrat, baballarët e tyre.

Çfarë është ky sistem, i kapur apo i pakapur?!

Me një shumicë të thjeshtë të një partie që ka emëruar një nga një, në trupat më të rëndësishme vendimmarrëse, gjykatësit e këtij vendi.

Më mirë se unë, më mirë se ju, përgjigjen e di çdo familje në Gërdec. Përgjigjen e di ajo nëna që nuk do t’i heqi kurrë të zezat nga trupi për fëmijën që humbi, pasi e nxori nga shtëpia me një biçikletë të vogël dhe iu desh ta çonte në varr shkrumb e hi, bashkë me të gjithë familjet e tjera. 26 viktima.

Çfarë është ky sistem, i kapur apo i pakapur?!

Me trupat kryesore vendimmarrëse të vendit të vëna me dorë nga një parti, me shumicë të thjeshtë, as me 3/5, e lëre pastaj me 2/3. Me shumicë të thjeshtë.

E dinë përgjigjen më mirë se unë, më mirë se ju, të gjithë ata që shkojnë në dyert e këtyre gjykatave, si pronarë të ligjshëm dhe dalin të zhveshur nga çdo pronë pasi aty ku kanë lënë kockat stërgjyshërit e tyre ndërtojnë vilat dhe pallatet pronarët e rinj me vendim gjykate. Pronarët e paligjshëm, por të ligjëruar nga ky sistem i kalbur që nuk është një sistem drejtësie, por është një pazar i madh ku drejtësia shitet dhe ku drejtësia blihet.

Kujt ja tregojnë këta, kapjen me 2/3, ne?!

Ndërkohë që ne, pse i pranuam 3/5?! Jo sepse i kishim, por sepse fiks të njëjtin qëndrim kemi pasur kur ishim në opozitë. Hapini arkivat. Ne i kemi. Çfarë kemi propozuar ne në një dokument ku i kemi bërë me kohë e me vakt apel Sali Berishës dhe qeverisë së tij për të bërë një pakt për shtetin për një Reformë reale në Drejtësi. Kemi propozuar 3/5. Hapini arkivat, dëgjojini çfarë kanë thënë për 3/5-t, personalisht ish kryeministri që sot bilbilon e bilbilon, duke u prezantuar si njeriu që nuk do të lejojë kapjen e sistemin e drejtësisë dhe që nga ana tjetër pretendojnë se sot ne paskemi influencë në sistem. Po të kishim influencë në sistem shumë këngë bilbilash sot do dëgjoheshin, por jo në parlament, as nëpër foltore, por para trupave gjykues sepse janë disa plagë që nuk mbyllen.

Por besoj, se çfarë është ky sistem dhe se pse ky sistem nuk duhet lëshuar, qoftë edhe me koston që Shqipërisë t’i përplaset në fytyrë, - jo këtyre, Shqipërisë, popullit shqiptar, - dera që është thuajse e hapur e negociatave për të hyrë në BE, e di kryetari aktual i PD.

Sot e gjithë ditën ka një raport mjekësor në xhep, me të cilin i ka ikur gjykimit për një çështje që është e pagjykuar, që është mbyllur për procedure, sepse i akuzuari ishte i sëmurë.

Çfarë sistemi është ky?! Sistem, ku ata të cilët duhet të jenë diku tjetër, shkojnë edhe marrin shpërblime?!

Megjithatë, ne pranuam 2/3 pa probleme, për një arsye shumë të thjeshtë sepse ne nuk duam të fusim duart në sistem dhe sepse ne nuk mendojmë që duke futur duart për të përcaktuar brenda kufijve të parcelave partiake, ata të cilët janë në fakt pararoja e reformës që do të bëjnë ndarjen e shapit nga sheqeri të të ndershmëve dhe të profesionistëve nga të korruptuarit dhe injorantët e plepave. Ashtu sikundër, nga ana tjetër si mund ta pranojmë ne që ne të mos kemi asnjë influencë me votë dhe këtë ta ketë PD. Pse? Në emër të kujt? Në emër të mbrojtjes së opozitës nga kush? Nga ne?! Po ne nuk duam të kemi përfshirje.
 
I kam propozuar kryetarit të PD në tavolinë ta heqim fare as 3/5, as 2/3, të mos kalojë fare në parlament, përzgjedhja e këtyre njerëzve, të bëhet me mekanizmat e parashikuar si mekanizma zhbllokues, që në rast se nuk bëhen 2/3, ka mekanizma të përcaktuar zhbllokues.

Të mos vijë fare në parlament.

Ne jemi të që të gjithë të vetëdijshëm se sot kjo reformë kërkon këtë. Nesër një gjeneratë tjetër mund të mblidhet dhe ta ndryshojë, por sot është momenti i ndarjes së shapit nga sheqeri. Është momenti i ndarjes së të shkuarës nga e ardhmja. Që do të thotë kush nuk justifikon dot pasurinë e vet, kush nuk është i justifikuar për vendimmarrje si ato që i keni dëgjuar - dhe nuk janë një, nuk janë dy, nuk janë tre, nuk janë katër, nuk janë 7, nuk janë 17, nuk janë 37, nuk janë 87, - Janë mbi 100 gjykatës që kanë dhënë vendime të tmerrshme, të pajustifikueshme. Por sidoqoftë, si mund të pranojmë ne që qoftë dhe një i vetëm nga grupi i gjykatësve që kanë liruar përdhunues, që kanë liruar vrasës, që kanë liruar grabitës me armë dhe që kanë liruar kriminelë të cilët kanë ribërë krime, duke rivrarë, duke rigrabitur, duke ripërdhunuar, ta kalojnë testin e radiografisë sepse partia x apo partia y ka një mendim pozitiv për ta?! Pse çfarë do të bëjmë ne KQZ-në e vitit 2011?! Do nxjerrim diagnozën e duhur nga pacienti i gabuar?

Ne jemi të vendosur në këtë pikë sepse ne duam që vëllazëria në krim, mes gjyqësorit dhe politikës të prishet. Por një gjë duhet ta kenë shumë të qartë. Do të isha më i menduar edhe pse zor se do të ndryshoja mendim, nëse këtë pozicion do ta mbaja vetëm unë, nëse vija e kuqe për të cilën kam folur, do të ishte vija e penelit tim, por ky është pozicioni i SHBA-ve, ky është pozicioni i BE-së, ky është pozicioni i këtyre partnerëve strategjikë, në një proces ku përveçse do t’i shërbejë familjeve shqiptare, reforma do t’i shërbejë drejtpërdrejtë afrimit me BE.

Pra, ne, mund të bëjmë teorikisht një reformë që e tradhton popullin shqiptar se janë bërë shumë reforma, që i janë thënë popullit shqiptar që janë reforma dhe kanë qenë tradhti të interesave kombëtare e publike. Por ne nuk mund të bëjmë dot një reformë e t’ia hedhim Bashkimit Europian. Nuk ka ardhur Bashkimi Europian t’i bjeri derës dhe të thotë duam të futemi në Shqipëri. Është Shqipëria që i bie derës e thotë duam të futemi në Bashkimin Europian. Atëherë, për të hyrë në atë derë ka një radiografim të vendit, të shtetit, të institucioneve, njësoj si radiografimi që ne duam për gjyqtarët e prokurorët dhe atë radiografim nuk e bëjnë partitë atje, por e bën një sistem i tërë. Të njëjtën gjë duam ne.

Për çfarë na e përsërisin 88-ën? Çfarë rëndësie ka në fund të ditës, sesi e lexon 88-n Lulzimi, apo si e lexoj unë? Nuk ka asnjë rëndësi. Në fund fare, reforma që po bëjmë është një reformë që duhet me patjetër të marrë vulën e miratimit të Bashkimit Europian dhe nuk e merr këtë vulë, duke i çuar në tavolinë Brukselit, të shkruar 88-n në shqupisht apo socialisht. 88-ën e lexojnë vetë ata, anglisht-anglisht dhe nuk ka nevojë për përkthyer as nga SHQUP-i, as nga qeveria. Nëse ata do ta lexon 88-ën siç e lexon SHQUP-i, do të ishim të gjithë në rregull.

Kjo nuk është reformë e Partisë Socialiste për Partinë Socialiste. Kjo është reformë ku Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Partia Demokratike e gjithë të tjerët kanë pasur mundësinë të japin kontributin e tyre. Dikush e ka dhënë, dikush jo. Koalicioni ynë e ka dhënë, opozita s’e ka dhënë, ose e ka dhënë sipas saj. Në fund të ditës, kjo nuk është një supë që po e gatuajmë në kazanin e parlamentit tonë dhe pastaj do t’ua japim ta hanë, ata të cilët për shumë vite me radhë këtu janë abuzuar, njerëzit e zakonshëm, me gjithfarë gënjeshtrash e pseudoreformash.

Jo! Është një reformë që duhet ta miratojë Bashkimi Europian. Pikë! Nuk është më diskutim i brendshëm ky. Nuk është më një debat midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ky është një debat midis një qëndrimi strategjik dhe një qëndrimi puro partiak. Qëndrimi strategjik është qëndrimi ynë. Ne duam ta shembin sistemin aktual të drejtësisë. Drafti e shemb, por drafti pa vetingun e pavarur ndërton një shtëpi të re, ku futen përsëri xhagaidurët e vjetër, që e kanë treguar se çfarë i bëjnë shtëpisë së drejtësisë. Këtë ne nuk e pranojmë dot. Dhe, nuk jemi ne që nuk e pranojmë, se është shumë e qartë kjo, janë partnerët tanë që nuk mund të mbyllin sytë e nuk mundet dot t’u hedhim hi syve.

Konsensusi është i mundur, sepse nuk jemi në pozicionin që ne po marrim diçka si shumicë dhe opozita nuk po merr asgjë. Jemi në pozicionin ku ne kemi hequr duar nga sistemi dhe po i themi opozitës, hiqi edhe ti duart e lërë sistemin të funksionojë.

Faktikisht, ne kemi pranuar me vetëdije të plotë, si zemrën e sistemit, vetingun, duke pranuar që nuk do ta kurdisim ne, Partia Socialiste apo koalicioni ynë, atë zemër. Duke bërë kështu, një hap kolosal përpara, të ndarjes së llogarive të partive me llogaritë e qytetarëve në gjykatë, që nesër gjykatat t’i bëjnë llogaritë si duhet, jo 1+1 bëjnë 2 kur ti paguan dhe 1+1 bëjnë çdo gjë tjetër përveç 2-shit, kur tjetri paguan më shumë se ti.

Faleminderit dhe uroj që sot Kombëtarja të ngrejë peshë gjithë kombin shqiptar, duke qenë në lartësinë e sfidës, pavarësisht rezultatit dhe duke vazhduar të emocionojë dhe frymëzojë, siç bëri edhe në ndeshjen fatkeqe me Zvicrën.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet zgjedhore, debate te ‘Ligjet’! Alibeaj: Pazar, i dhuroni Ramës mandatin e 4 në tavolinë! ‘Të vegjlit’ duan lista 100% të hapura, Gjiknuri: Ligji uniform për të gjithë