Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, natyrisht edhe si deputet, por edhe si qytetar dal në këtë deklaratë për shtyp duke theksuar këto çështje: Vjedhja në Bankën e Shtetit në përmasa të denoncuara deri tani në shumën 7 milionë dollarëve në institucionin ekonomiko-financiar më të rëndësishëm të vendit, është ngjarja më e rëndë që ka tronditur thellë me të drejtë jo vetëm opinionin, por ky fakt reflekton direkt edhe në sigurinë kombëtare financiare të Shqipërisë.
 
Përballë këtij skandali, deri tani nga hetimi i prokurorisë ajo është cilësuar si vjedhje dhe shpërdorim në detyrë të një grupi punonjësish të Bankës së Shtetit dhe të shoqëruar edhe me arrestime. Ndaj kësaj ngjarje ka pasur edhe disa reagime me intesitete dhe kahe të ndryshme.
 
Ka reaguar, por pamjaftueshmërisht vetë institucioni i Bankës së Shtetit, ka reaguar pas kësaj Prokuroria e Shtetit e cila ka filluar çështjen penale, kanë reaguar nën nxitje disa segmente të shoqërisë civile, të cilët me mini protesta dhe peticione ndonëse të drejta, por të diskutueshme institucionalisht, kërkojnë përgjegjësinë dhe shkarkimin e drejtuesve kryesorë të Bankës së Shtetit. Kanë reaguar disa anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës por  në mënyrë anemike, si dhe disa politikanë, deputetë, vetë qeveria, Kuvendi i Shqipërisë si dhe disa përfaqësues të opozitës. Theksoj dhe veçoj reagimin e Sali Berishës, reagimi i të cilit për mendimin tim ka qënë problematik, pasi indirekt ka marrë në mbrojtje skandalin bankar të ngjashëm me reagimin e vitit 1996 për mega vjedhjen nga firmat piramidale.
 
Kjo me pak fjalë e në mënyrë të përgjithshme është panorama e kësaj ngjarje të rëndë e tronditëse e cila po hetohet në vazhdimësi.
 
Dua të theksoj, se në thelbin e saj, kjo ngjarje dhe ky problem nuk është vetëm moral, nuk është vetëm politik, por kryesisht ligjor, institucional dhe mjaft kompleks e nuk zgjidhet me thirrje për shkarkime, qoftë edhe të një personi siç është  Guvernatori.
 
Duke ballafaquar problemin dhe ngjarjen me vetë ligjin e Bankës dhe aktet, rregulloret që shoqërojnë dhe duhet të shoqërojnë atë, rezulton se krahas mungesës së tyre, moszbatueshmërisë me korrektesë, vetë ato janë të paqarta, të paplota në pjesë të veçanta dhe kanë nevojë të reformohen, riformulohen ashtu si tërë sistemi financiar bankar.
 
Po ashtu nga ky ballafaqimi rezulton se ndër përgjegjësitë kryesore dhe kjo në mënyrë kolektive, por edhe individuale është ajo që ngarkon Këshillin Mbikqyrës të Bankës, shtatë nga nëntë anëtarët e tij, pasi rezulton se Këshilli Mbikqyrës është me dy mungesa të paplotësuara ashtu siç mungojnë edhe Zv/ Guvernatorët, ku përveç zotit Fullani, anëtarët e tij janë edhe z. Petraq Milo, z.Adrian Civici, znj. Elizabeta Gjoni, z.Dhori Kule, znj.Ela Golemi dhe znj. Ermelinda Meksi.
 
Evidentohet fakti se kjo strukturë kryesore drejtuese dhe menaxhuese e Bankës së Shtetit e ngarkuar për këtë qëllim me ligj, ndonëse e kompozuar me personalitete të nderuara të  fushës financiare, çuditërisht duket se ka vegjetuar, nuk ka qënë kërkuese, kontrolluese,efiçente, përveçse siç thamë ka qenë edhe e paplotësuar.
 
Duke iu referuar ligjit për Bankën e Shqipërisë, dua të nënvizojë se 9 anëtarët e Këshillit Mbikqyrës nuk emërohen apo shkarkohen me mitingjet apo peticionet e firmosura, por sipas ligjit emërohen nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili ka të drejtë vetë ai të propozojë 5 anëtarë, Këshilli i Ministrave 3 anëtarë dhe vetë Këshilli Mbikqyrës 1 anëtar.
 
Guvernatori me propozim të Presidentit, zgjidhet nga Kuvendi.
 
Po ashtu çdo anëtar i Këshillit Mbikqyrës duke përfshirë Guvernatorin dhe zëvendësit, pezullohen nga detyra nga vetë Këshilli i Ministrave dhe po me propozim të tij shkarkohen nga Kuvendi.
 
Ky i fundit, pra Kuvendi i Shqipërisë, mund të shkarkojë Guvernatorin dhe zëvendësit e tij edhe me propozim të shumicës së anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, për disa raste ku më evidente është shkelja e rëndë e etikës së punës, cënimi i thellë i interesave të Bankës së Shqipërisë etj.
Me këtë rast duke patur parasysh përbërjen e Këshillit Mbikqyrës si qytetar, por edhe si deputet, do t’u bëja thirrje personalisht profesorit të nderuar Adrian Civici, të nderuarit Rektor Dhori Kule si dhe profesoreshës Meksi që në vite ka qenë dhe e kemi patur model të një morali qelibar, të kryejnë apo të bëjnë aktin moral qytetar më të dobishëm për vetë ata, por edhe më të justifikuar institucionalisht, që të parët vetë apo në grup si anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të japin dorëheqjen vetëm për një arsye tashmë të provuar, se vjedhja, shpërdorimet dhe keqmenaxhimi i Bankës së Shtetit është evident.
Ndërsa Prokuroria e Shtetit, që padyshim ka problematikën e saj duhet lënë e qetë të kryejë hetimin pa presione e të presim me vëmendje që krahas zbulimit të një skeme tashmë të denoncuar disa muaj  më parë të një mashtrimi në sistemin e tatim-taksave të llogaritura në disa qindra milionë euro dhe të denoncuara pra muaj më parë, të zbulojë, të zbardhë dhe të godasë edhe skemën e vjedhjes, vetë vjedhësit dhe shpërdoruesit financiarë të Bankës  së Shtetit.
 
Prononcimi i z. Braho ndaj pyetjeve të gazetarëve:
 
A duhet të largohet z. Fullani pas skandalit të publikimit të fotove të të birit me shpenzime marramendëse?
Për mua jo. Rastet si pezullohet Fullani, si shkarkohet Fullani unë qëllimisht jua theksova, jua bëra të ditura. Nëse ai  vetë propozihet apo vetë merr nismën për t’u larguar është çështje e tij. Por ligji e ka të parashikuar kur pezullohet dhe kur shkarkohet. Djali i tij apo djem të tjerë kemi parë plot që bëjnë jetë sheikësh, ato janë çështje të tyre. Të merremi me baballarët, djemtë t’i lëmë për më vonë.

A duhet ta ndërmarrë këtë iniciativë Këshilli i Ministrave sipas ligjit për shkarkimin e z. Fullani për ta çuar në Kuvend që ta miratojë këtë shkarkim dhe cili do të jetë qëndrimi i LSI-së?
Unë jam përfaqësues i mazhorancës, përfaqësoj natyrisht jo Këshillin e Ministrave, por mazhorancën politike PS-LSI. Dal në këtë konferëncë shtypi duke parashtruar qëndrimin tim për këtë çështje.
 
Z. Braho duke parë se një pjesë e deputetëvë, por edhe zyrtarë të lartë të qeverisë kanë dalë në mbrojtje të Fullanit. Mos është kjo një mbrojtje politike që po i jepet Guvernatorit Fullani, duke theksuar dhe publikisht, dhe duke mos kërkuar dorëheqjen e tij? 
Unë jua thashë që dorëheqja është çështje personale e Fullanit. Pezullimi dhe shkarkimi kanë procedurat e tyre. Unë kam vënë në dukje që Këshilli i Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë kanë reaguar në mënyrë të qetë, institucionale për këtë ngjarje të rëndë. Çështja është në hetim. Theksoj, ashtu siç përmenda dhe në deklaratën time, se nuk është çështja vetëm tek Fullani, këtu çështja është tek Këshilli Mbikëqyrës të cilëve u bëra thirrje personalisht duke i patur miq e shokë, edhe duke i vlerësuar personalisht ata që të japin dorëheqjen përpara kësaj ngjarjeje. Përgjegjësia kryesore për mua është tek Këshilli Mbikëqyrës. Deri tani përgjegjësitë morale, politike, institucionale. Nëse ka përgjegjësi penale këtë e di tjetër kush. Po ashtu për Fullanin deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë deklaratë të Prokurorisë  lidhur me përgjegjësinë penale të tij. Natyrisht që unë bashkohem dhe jam pjesë e opinionit dhe evidentoj se përgjegjësia morale të tij krahas tërë anëtarëve të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës është evidente. Edhe ai është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.
 
Pse kërkoni vetëm të tre anëtarëve për të dhënë dorëheqjen?
 
Unë këta vlerësoj si më të mençurit...
 
A mendoni se në këtë mënyrë po mbrohet z. Fullani?
Jo s’ka. Fullani sot është para një gjëme të madhe që ka ndodhur në institucionin e tij. Nuk e di se nga e nxirrni këtë. Përveç Sali Berishës nuk e ka mbrojtur kurrkush Fullanin.

Me vjedhjen e 7 milionë dollarëve, a është cënuar siguria kombëtare? Ju jeni një jurist me një eksperiencë të gjatë. Me Ardian Fullanin në krye të Bankës së Shqipërisë, sa të lehtë apo të vështirë e ka Prokuroria e Përgjithshme të hetojë në mënyrë të thellë këtë skandal ? A përbën Fullani pengesë për hetimet e Prokurorisë duke qëndruar në këtë pozicion ku është? 
Unë nuk jam në dijeni dhe nuk marr përsipër të kërkoj prova apo njoftime lidhur me thellësinë e veprimeve që ka Prokuroria deri më sot. Zyrtarisht deri më sot ndaj Fullanit nuk ka ndonjë akuzë penale direkte. Në momentin që do të formulohen akuza penale direkte ndaj tij, ai duhet të largohet dhe të japë dorëheqjen, apo duhet të shkarkohet. Kështu e parashikon edhe ligji. Këto raste largohet apo shkarkohet?! Moralisht është tjetër gjë a duhet ta bëjë? Unë ju drejtohem të 7 anëtarëve të Bordit Drejtues të Këshillit Drejtues të japin dorëheqjen. Në këta 7 është pjesë edhe Fullani, por unë nuk mund të merrem me emra të veçantë.
Sa i përket qëndrimit në krye të Bankës gjatë kësaj periudhe që Prokuroria kryen hetime, për mua s’është ndonjë problem, madje duhet të qëndrojë atje.

A është cenuar siguria kombëtare? 
Padyshim, unë e theksova që në fillim. Elementi i rëndësishëm i sigurisë kombëtare është edhe siguria financiare e vendit. Për mua gjatë këtij viti, 2013-2014 në dy raste siguria kombëtare financiare është e cenuar dhe e prekur rëndë. Vjedhjet me anë të skemave mashtruese në sistemin e tatim-taksave përllogaritet në rreth 200 milionë euro dhe vjedhja në Bankën e Shtetit. Është cenuar rëndë siguria kombëtare financiare e vendit dhe për këtë duhet të shqetësohemi, veçanërisht institucionet e shtetit.

Pse e diskutoni të diskutueshëm institucionalisht peticionin që po bëhet në të gjithë Shqipërinë? 
Moralisht e mbështes, por institucionalisht nuk të çon asgjëkundi.