Që prej 10 ditësh, në të gjithë vendin, siç e di mbarë opinioni publik, ka nisur një aksion i gjerë kundër hajdutëve dhe abuzuesve të energjisë elektrike. Që prej 10 ditësh ata që për shumë vite janë mësuar të mos paguajnë energjinë elektrike dhe të vjedhin lirisht, do të përballen me forcën e ligjit.
Aksioni 10 ditor i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit ka arritur sukses. Arkat e OSHEE janë përballur me një fluks të madh pune dhe veprimesh. Vetëm nga pagesat e bëra, pas datës 27 tetor, kemi një rritje të arkëtimeve prej 540 milionë lekë ose 52% më shumë se sa një javë më parë. Kjo është reflektuar tek segmentet private në masën e 281 milion lekëve ose 61% më shumë dhe ato familjare me 258 milionë lekë ose 44% më shumë se një javë më parë.
I garantojmë të gjithë qytetarët e ndershëm se nuk do të kenë më komshinj që i vjedhin, duke i lënë në kurriz fatura të fryra, apo biznese që paguajnë sa një familje me të ardhura minimale.
Që prej 10 ditësh edhe avokatët politikë të hajdutëve të energjisë, të cilët sollën vendin në prag të kolapsit energjetik, janë shqetësuar dhe u është fikur drita e arsyes.
Ky aksion masiv i OSHEE-së mbështetur nga Policia e Shtetit do të hyjë në një fazë edhe më intensive se më parë. Përmes një plani të detajuar që është përfunduar këto ditë nga Operatori i Shpërndarjes me Policinë e Shtetit, do të hyhet në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo zonë të Shqipërisë, do të ketë verifikime dhe kontrolle të njëpasnjëshme, për të identifikuar të gjithë abuzuesit e lidhjeve të paligjshme dhe vjedhësit e energjisë elektrike.
Madje, do të ketë edhe kontrolle verifikuese për vetë punën e kryer nga strukturat e OSHEE-së. Ju e keni parë, gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar dhe kallëzuar në organet e prokurorisë me qindra persona, të gjithë vjedhës të energjisë elektrike, kryesisht biznese. Po kështu, 31 punonjës të OSHEE në mbarë vendin janë kapur me shkelje dhe abuzime të rënda me detyrën dhe do të përballen njëlloj me ligjin. Theksojmë që kjo do të jetë tehu i vazhdueshëm i punës.
Por dua ti bëj një thirrje të gjithë qytetarëve që përveç bizneseve, faza e kontrollit, e verifikimit, tashmë do të fillojë për çdo konsumator të energjisë elektrike. Çdo konsumator i energjisë elektrike, edhe familjar, do ti nënshtrohet këtij procesi dhe të gjithë abuzuesit e energjisë elektrike, përfshirë edhe ata familjarë do të kenë ndëshkimin e merituar. Bëhet fjalë për vjedhësit e energjisë elektrike dhe unë dua me këtë rast të falënderoj gjithë qytetarët që i kanë dhënë një mbështetje shumë të madhe këtij operacioni. Kanë mbështetur Policinë e Shtetit dhe OSHEE-në, qoftë me kallëzimet e tyre, qoftë me denoncimet e tyre për njerëz që kanë bërë lidhje të paligjshme dhe aksioni ka gjetur një popullaritet të gjerë.
Fatkeqësisht dje dëgjuam sërish nga ana e opozitës, nga Sali Berisha, thirrje për protesta dhe opozitë ndaj këtij aksioni. Në fakt ky është konfirmimi i suksesit të këtij aksioni. Duke bërë thirrje për amnisti apo mospagime gjoja fatura abuzive, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse të pengojnë këtë aksion aq të rëndësishëm për rimëkëmbjen e sektorit energjetik.
Pa asnjë argument apo alternativë, opozita e sotme vazhdon të sulmojë reformën dhe aksionin e nisur, i cili siç dihet ka dhënë rezultate të suksesshme që në nisje. Objektivi është shumë i qartë: Pengimi i reformës në sektorin energjetik.
Opozita e sotme vazhdon të rreshtohet në vendin e gabuar, duke humbur edhe këtë herë shansin për të qenë kontribuuese në progresin dhe tjetërsimin e Shqipërisë.
Por ne nuk do të ndalemi. Ata njerëz që janë përgjegjës pse e sollën situatën energjetike në një katastrofë të vërtetë, madje në një emergjencë kombëtare, siç e thanë edhe dje vetë, janë njerëzit që duhet të heshtin dhe duhet të përkrahin këtë aksion kaq të rëndësishëm.
Ne nuk do të ndalemi përballë çdo dhunuesi të ligjit, çdo konsumatori abuziv, në kurriz të qytetarëve të ndershëm. E kemi thënë, kjo është beteja e qytetarëve të ndershëm, të cilët duan shtet, duan të paguajnë faturat në rregull, duan që sistemi energjetik të ringrihet, dhe në kurriz të abuzuesve të energjisë, shkelësve të ligjit.
Unë doja ta përçoja këtë mesazh, që kemi hyrë në një fazë shumë të intensifikuar, të pandërprerë. Kjo nuk është thjesht një fushatë, kjo do të jetë një veprimtari e përhershme e shtetit, që njëherë e mirë vjedhja e energjisë elektrike të zhduket nga shoqëria shqiptare dhe sektori energjetik të rimëkëmbet, duke u kthyer në një progres për ekonominë shqiptare.