Kryeministri Rama nga Brukseli ka sqaruar deklaratën e tij për bashkim me Kosovën gjatë intervistës me rrjetin televiziv  “Al Jazeera”  ku është pyetur se çfarë ka dashur të thotë konkretisht kur ka folur për këtë çështje
 
“Unë mendoj se idetë e mia në lidhje me këtë janë nxjerrë nga konteksti, edhe pse unë jam shprehur qartë dhe në mënyrë të hapur dhe të sinqertë, që do të thotë se për ne shqiptarët është një moment fantastik i historisë tonë.”- u përgjigj Rama ndërsa ka shtuar se procesin e integrimit duhet ta kuptojmë si një instrument unik për të modernizuar realitetet tona.

Gjithashtu Rama vlerëson se është nevojshme që Evropa të arrijë të ndalojë që strategjitë nacionaliste të prevalojnë mbi ëndrrën për të qenë pjesë e një familje e madhe

"Europa të arrijë të ndalojë që strategjitë nacionaliste të prevalojnë mbi ëndrrën tonë të sinqertë dhe të ligjshme për të qenë pjesë e një familje e madhe, në mënyrë që kjo ëndërr të mos orientohet nga fryma nacionaliste."- tha Rama.

Gjatë intervistës Rama ka folur edhe për takimin e zhvilluar sot në Bruksel mes vendeve të Ballkanit në kuadër të projektit të nisur në procesin e Berlinit. 
 
Sipas Ramës arritjet e procesit të Berlinit, ku shtetet e Ballkanit Perëndimor të mund të ndërvepronin me njëri-tjetrin nuk mund të imagjinoheshin më parë
“Sot, ne mund të themi se kemi pothuajse dizenjuar dhe aprovuar bazat e këtij rrjeti infrastrukturor, që do t’i lejojë vendeve tona bashkë edhe me Bashkimin Europian, të investojnë në ndërlidhje. Kjo është një arritje, pasi është diçka e cila as mund të imagjinohej disa vite me parë.”- tha Rama.
 
Hapja e negociatave me BE, Rama:Ne nuk insistojmë, por jemi gati
Duke u ndalur te procesi i integrimit Rama gjatë intervistës theksoi se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave. Gjithashtu Rama nënvizoi se Europa është në një moment tepër të veçantë, pasi nuk kemi të bëjmë thjesht me një vendim teknik, por më shumë me një vendim politik.

“Ne nuk insistojmë, por ne besojmë fort se jemi gati për hapjen e tyre. Nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm se Europa është në një moment tepër të veçantë, pavarësisht se çfarë themi ne dhe çfarë thonë ata nuk kemi të bëjmë thjesht me një vendim teknik, por më shumë me një vendim politik, që lidhet me egon e shumë shteteve, interesa personale apo këndvështrime egocentrike. Gjëja e rëndësishme është se ne jemi gati për çeljen e këtyre negociatave.”- u përgjigj Rama pyetjes për integrimin e vendit në BE nga gazetari i “Al Jazeera”  

 
 rama al jazera
(Intervista e Kryeministrit Rama për rrjetin televiziv  “Al Jazeera”)
 

Intervista e plotë e Kryeministrit Rama dhënë për “Al Jazeera”
 
Për çfarë keni rënë dakord në takimet e zhvilluara në Brukselit dhe çfarë shpresoni të bini dakord në projekte infrastrukturore që Shqipëria ka ndërmend?

Ishte një takim shumë i rëndësishëm pasi na çoi një hap përpara në procesin e Berlinit. Kështu që, sot, ne mund të themi se kemi pothuajse dizenjuar dhe aprovuar bazat e këtij rrjeti infrastrukturor, që do t’i lejojë vendeve tona bashkë edhe me Bashkimin Europian, të investojnë në ndërlidhje. Kjo është një arritje, pasi është diçka e cila as mund të imagjinohej disa vite me parë.
 
A mund të na flisni për projektet më konkrete infrastrukturore që ka Shqipëria?
Po sigurisht ne jemi pjesë. E bukura e këtij procesi është që nuk ka asnjë pjesë të infrastrukturës që është për një vend të vetëm,  por ka të bëjë me ndërlidhjen mes vendeve, që do duhet të punojnë së bashku dhe do të ndërtojnë së bashku këtë rrjet të përbashkët infrastrukturor për të ardhmen.
 
Siç vumë re Shqipëria insiston për një datë konkrete të hapjes së negociatave për anëtarësim, me Bashkimin Europian. Sa nga reformat që Brukseli kërkon prej jush i keni realizuar?
Ne nuk insistojmë, por ne besojmë fort se jemi gati për hapjen e tyre. Nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm se Europa është në një moment tepër të veçantë, pavarësisht se çfarë themi ne dhe çfarë thonë ata nuk kemi të bëjmë thjesht me një vendim teknik, por më shumë me një vendim politik, që lidhet me egon e shumë shteteve, interesa personale apo këndvështrime egocentrike. Gjëja e rëndësishme është se ne jemi gati për çeljen e këtyre negociatave.
 
Javët dhe ditët e fundit deklaratat tuaj lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë kanë tërhequr vëmendjen duke shkaktuar edhe kritika. A do të thotë kjo se Ju jeni keqinterpretuar ose çfarë Ju keni dashur të thoni konkretisht kur keni folur për këtë çështje?
Unë mendoj se idetë e mia në lidhje me këtë janë nxjerrë nga konteksti, edhe pse unë jam shprehur qartë dhe në mënyrë të hapur dhe të sinqertë, që do të thotë se për ne shqiptarët është një moment fantastik i historisë tonë. Nuk kemi qenë kurrë më mirë se sot jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe më gjerë. Procesin e integrimit duhet ta kuptojmë si një instrument unik për të modernizuar realitetet tona dhe në të njëjtën kohë për të na bashkuar me njëri tjetrin, në familjen e madhe të bashkuar europiane.

Njëkohësisht, unë kam thënë, dhe pse mos ta përsëris prapë, se kjo është mënyra jonë se si ne e shohim këtë situatë, por që varet edhe nga Europa se si ajo e shikon dhe se si e kupton dhe sa ajo ka nevojë për Ballkanin, ashtu sikurse Ballkani ka pasur gjithmonë nevojë për Europën,  por edhe mënyra se si Europa do të arrijë të ndalojë që strategjitë nacionaliste të prevalojnë mbi ëndrrën tonë të sinqertë dhe të ligjshme për të qenë pjesë e një familje e madhe, në mënyrë që kjo ëndërr të mos orientohet nga fryma nacionaliste. Në fakt kemi të bëjmë me një konflikt mes së vjetrës dhe së resë, dhe beteja nuk ka mbaruar. Ne jemi në anën e së resë, por asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar qëndrimet e vjetra, mendimet e së kaluarës sepse Ballkani ka vërtetuar gjithmonë që është vendi ku e vjetra rikthehet.


 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)