Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar ndaj akuzave që kreu i Rithemelimit Sali Berisha ka bërë ndaj gjyqtares Irena Gjoka e cila në 30 dhjetor i caktoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ nën akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. 

Ndërsa gjyqtarja është vënë nën shënjestrën edhe të disa portaleve greke, një ditë para vendimit të gjykatës së posaçme ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Nga dritarja e ballkonit të shtëpisë ku mbahet në arrest Berisha akuzoi edhe sot gjyqtaren se ka ndërruar mbiemrin nga Shpata në Gjoka, sipas tij për shkak se është dëbuar nga Greqia për 12 vite nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. 

Mediat pranë Berishës kanë shpërndarë artikullin e një portali grek që akuzon gjyqtaren Irena Gjokën e cila ka në dorë edhe çështjen e Fredi Belerit, se është dëbuar më herët nga Greqia për 12 vite nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. 

Sulmi i medias greke ndaj gjyqtares vjen një ditë para seancës që pritet të mbahet nesër në 5 mars, ku do të merret vendimi për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i arrestuar në 12 maj për korrupsion aktiv në zgjedhje lokale pasi u kap duke ofruar 40 mijë lekë për blerjen e 8 votave. 

Në reagimin e bërë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i cilëson akuza të tilla nga Berisha dhe mediat e lidhura me të si përpjekje për të ndikuar politikisht në vendimet e gjyqtares Irena Gjoka. Më tej theksohet se deklarata dhe akuza të Berishës ndikojnë negativisht në besimin që publiku ka tek pushteti gjyqësor. 

Reagimi i plotë i KLGJ:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave publike në media nga persona publik dhe mbrojtësve të tyre në procesin penal, të cilat në përmbajtjen e tyre cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.

Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se avokatët në bazë të ligjit dhe kodit etik profesional, duhet të sillen me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës, në funksion të përfaqësimit të interesave të klientëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private. Në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, sjellim në vëmendje se mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:53
Një ditë para seancës në GJKKO për Belerin, mediat greke sulmojnë gjyqtaren Irena Gjoka

1655190595_IRENAGJOKA.jpg

Një ditë para seancës gjyqësore që pritet të mbahet nesër (5 mars) në GJKKO ku do të jepet vendimi për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri mediat greke kanë sulmuar gjyqtaren e çështjes Irena Gjoka, e njëjta e cila caktoi masën ‘arrest shtëpie’ për Sali Berishën nën akuzën e korrupsionit për privatizimin e ish-kompleksit ‘Partizani’.

Në një artikull të publikuar ditën e sotme në portalet greke, shkruhet se gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë dikur në Greqi me letra të parregullta dhe se është dëbuar nga vendi për falsifikim dokumentesh.

Të njëjtat akuza i bëri ditë më parë nga ballkoni i shtëpisë ku po mbahet në arrest, ish-kryeministri Sali Berisha i cili tha se gjyqtarja madje ka ndërruar mbiemrin nga Spata në Gjoka.

Çështja ‘Beleri’, prej muajsh është kthyer në një lojë diplomatike mes Athinës e Tiranës, deri në nivelin ku Greqia edhe paralajmëroi se do të pengonte përparimin e vendit drejt procesit të anëtarësimit në BE nëse nuk lirohej Beleri.