Deklaratat e Kurtit dhe Osmanit për Borrell, Zeka: Skizofeni! Janë injorantë në politikën e jashtme, mund të humbasim 17% të veriut të Kosovës

Analisti Milaim Zeka është shprehur ashpër ndaj deklaratave të bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani, pas dështimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Në një lidhje skype për emisionin “Studio Live" me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV, Zeka i konsideroi deklaratat e dy udhëheqësve të Kosovës si “skizofreni”. Ndërsa tha se çështja e reciprocitetit të targave ishte ‘banale’ përballë rëndësisë që ka arritja e një marrëveshje finale për njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Budallallëqet e këtyre dy udhëheqësve të shtetit nuk kanë fund. Shpërthimi i tyre ndaj Borrell-it dhe Lajçakut, ndaj Escobar dhe të tjerëve është një skizofreni për të cilën vështirë të gjendet ndonjë shpjegim. Edhe sekretari i shtetit, Blinken, ambasadori amerikan në Prishtinë e kanë lutur Albin Kurtin prej 10 muajsh që të shtyjë çështjen e targave, që në thelb është një çështje super banale fare e parëndësishme për ardhmërinë e Kosovës. Albin Kurti duke qenë komplet një idiot dhe injorant i të njëjtës kategori me Vjosa Osmanin në politikën e jashtme po merren me targa në vend që të merren me arritjen e një marrëveshje finale. E kanë zbritur dialogun në një marrëveshje teknike që ka të bëjë me regjistrimin e makinave”- u shpreh Zeka.

I pyetur mbi skenarin më negativ që mund të shkaktohej nga tensionet e krijuara në veri të Kosovës, analisti tha se ekzistonte rreziku i humbjes së 17% të territorit të veriut të Kosovës. Gjithashtu e konsideroi si një shans të humbur mundësinë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, ku Kosova do të rifitonte zonat si Presheva dhe Medvegja të banuara nga shqiptarët.

"Loja e buburrecit të quajtur Albin Kurti është e frikshme që të kujton vetëm lojën e tmerrshme që dikur e bënte Enver Hoxha.  Skenari më negativ është humbja komplet e 17% e veriut të Kosovës së bashku me liqenin e Ujmanit dhe gjithashtu do humbnim rezerva pafund të minierës së Trepçës. Ne e kishim një shans të jashtëzakonshëm për t’i kthyer Serbisë disa territore të saj dhe të merrnim territoret tona si Preshevën, Medvegjën. Por e humbëm këtë për shkak të Albin Kurtit. Ai njeri që e ka kundërshtuar këtë tezë ka zero njohuri të politikës ndërkombëtare.

Kështu do zgjidhej përfundimisht drama e përgjakshme e Serbisë. Këta patriota facebook-u seë bashku me ata që e kanë shkatërruar Shqipërinë, të cilët as nuk pendohen as nuk skuqen sepse shqiptarët e kanë një sëmundje kolektive, 3 ditë të shpallin hero mbi Skënderbeun dhe tre ditë të shpallin tradhëtar. Cila është arsyeja që Shqipëria që dikur ishte aq e madhe tani është tkurrur në 28 mijë kilometra katrorë dhe 11 mijë kilometra katrorë Kosova. Ku janë trojet në Malin e Zi, apo Çamëria që e përdorin vetëm për politikë”- u shpreh Zeka.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Zeka tha se një prej ambasadorëve të BE-së, i kishte rrëfyer se një vendim i tillë planifikohej të merrej me rastin e Krishtlindjeve të këtij viti, por shtoi se për shkak të kryeneçësisë së Albin Kurtit liberalizimi i vizave u shty edhe për një vit.

“Njëri prej ambasadorëve të BE-së, më tegoi se Albin Kurti defacto e kishte pranuar marrëveshjen e targave por më pas Vucic i kishte kërkuar edhe çështjen e Zajevnicës. Ky ambasador më tha që vendimi i BE ka qenë që liberalizimi i vizave të shpallej me rastin e Krishtlindjeve këtë vit dhe qytetarët e Kosovës do kishin mundësi të lëviznin në mars të vitit të ardhshëm. Por për shkak të kryeneçësisë së Albin Kurtit, liberalizimi i vizave u shty edhe për një vit”-shtoi analisti.

Ditën e djeshme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha për mediat se takimi me Vuçiç në Bruksel nuk kishte sjellë asgjë të re. Ndërsa përfaqësuesi i BE, Josep Borrell në përgjigjie të deklaratave të Kurtit, tha se Kosova nuk kishte lëshuar pe gjatë bisedimeve. Kjo solli edhe reagimin e presidentes Vjosa Osmani e cila i konsideroi deklaratat e Borrell si të njëanshme duke e akuzuar këtë të fundit se po favorizonte Serbinë.

B.V/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Media: Armëpushimi në  Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00

Media: Armëpushimi në Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00