Shtetet e Bashkuara (SHBA) nuk kanë parë ndonjë shenjë se Rusia është duke u përgatitur për ta përdorur ndonjë armë bërthamore dhe do të vazhdojnë ta vëzhgojnë atë me kujdes, tha të enjten vonë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Miller i bëri këto komente pasi më herët gjatë ditës, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, paralajmëroi se Moska ka armë për t’i goditur caqet në Perëndim.
“Kjo nuk është hera e parë që dëgjojmë retorikë të papërgjegjshme nga Vladimir Putin. Kjo nuk është mënyra se si duhet të flasë lideri i një shteti të armatosur me armë bërthamore”, tha Miller.
Duke folur mëngjesin e së enjten gjatë një fjalimi para kombit në Moskë, Putini tha se vendet e Perëndimit rrezikojnë nxitjen e një lufte bërthamore, nëse dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë.
“Ne gjithashtu kemi armë me të cilat mund t’i godasin caqet në territorin e tyre”, tha Putin. “A nuk e kuptojnë këtë ata?”
Perëndimi duhet “patjetër, në fund, ta kuptojë se e gjithë kjo rrezikon nxitjen e një konflikti me përdorimin e armëve bërthamore, dhe si përfundim shkatërrimin e qytetërimit”, tha ai.
“Ne e mbajmë mend fatin e atyre të cilët dikur dërguan kontingjentet e tyre në territorin e vendit tonë. Por, pasojat e ndërhyrjeve të mundshme do të jenë shumë më tragjike tani”, shtoi ai.
Në fillim të kësaj jave, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të Evropës të mbajtur në Paris, tha se pavarësisht se tani për tani nuk ka konsensus, nuk duhet të përjashtohet asnjë mundësi për ta ndihmuar Ukrainën, përfshirë edhe dërgimin e trupave perëndimore për të luftuar përkrah Kievit, në mënyrë që të parandalohet një fitore e Rusisë.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kyçë evropianë thanë gjatë kësaj jave se nuk kanë plane që të dërgojnë trupa tokësore në Ukrainë.
Fjalimi i Putinit u mbajt para zgjedhjeve presidenciale ruse të parapara më 15-17 mars, të cilat Kremlini shpreson t’i përdorë për të treguar unitetin e kombit në mbështetje të Putinit dhe pushtimit të Ukrainës, të cilin Moska e nisi në shkurt 2022.
Zgjedhjet ruse kontrollohen ashpër nga Kremlini dhe as nuk janë të lira, e as të drejta, por shihen nga Qeveria si nevojë për të përçuar një ndjenjë të legjitimitetit. REL