Dekomunistizimi, Braho në Report Tv: Berisha në një karrige me Enverin! Rama, antienverist i tërbuar! Meta mund të vrasë veten

TIRANË- Ish-kryetari i komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare referuar kërkesës për dekomunistizim, nuk është kundër por e vlerëson si marrje me imazhe të leckosura për konsum politik. Në një intervistë për Report Tv Spartak Braho kalon në skaner drejtuesit kryesorë të politikës, duke thënë se e djathta ka më shumë enveristë se e majta.

30 vjet nga rënia e komunizmit dhe 36 vjet nga vdekja e diktatorit Enver Hoxha ka ende debat për komunistët dhe antikomunistët. Nga njëra anë incidente me fotografitë e Enver Hoxhës,  për çdo 28-29 nëntor, apo foto të Sali Berishës në krah të Hoxhës, nga ana tjetër demokratë që zgjohen dhe kërkojnë dekomunistizimin. Ish deputeti Spartak Braho ka një shpjegim për këtë

Për Spartak Brahon në PS nuk ka eneverist, kurse në PD nuk dinë çfarë flasin. I njohur me valixhen e zezë kohën kur ishte në krah të Metës, sot Braho ka parashikim të frikshëm për ish mikun. 

Intervista e plotë
Ta nisim me ngjarjen që ka ngjallur kaq shumë polemika ditët e fundit. Një mesazh i deputetit Bujar Çela duke uruar 28 nëntorin me fotografinë e Enver Hoxhës e më pas edhe Enver Hoxhën me në krah Sali Berishën. Si e shikoni ju këtë lëvizje të deputetit Socialist?

-Nuk është lëvizje, është një gjendje jo normale psikologjikisht. Kush e njeh Bujarin nga afër e justifikon. S’ka asnjë gjë të keqe për mua. Kot fryhet. U ka dhënë një shkas mbeturinave të Ballit Kombëtar, pasardhësve të tyre. Nuk ishte normal as reagimi i Taulant Ballës. Taulant Balla ka kënduar për Enver Hoxhën me çifteli kur ka qenë pionier. Ça të themi tani? Të dënojmë Taulantin e të tjerë? Ka qenë një periudhë që ndahet në 2 epoka për figurën e Hoxhës. Për periudhën e luftës, që është historia me e lavdishme e popullit shqiptar. Ne nuk kemi fituar luftë përveç luftës partizane çlirimtare. Është e vetmja luftë që ka fituar në mijëra vjet populli shqiptar. Është krenari. Është krenari. Atë luftë e organizoi e komandoi Enver Hoxha me shokët e tij, babë Myslimin, pezakun e famshëm. Pastaj është edhe periudha e diktaturës, s’kemi ardhur për të folur për këtë.

Tentohet të ngacmohet kjo çështje herë pas here sepse këta ish pinjollët e pasardhësit e ballistëve, e krerëve, e  kanë me merak të madh këtë se janë mundur, janë mundur në atë luftë. Kanë bashkëpunuar me fashizmin me pushtuesit italian, gjerman dhe ikën me brekë nëpër këmbë në 44. Një pjesë u shpallën kriminelë të luftës në tërë botën. Fati i madh është se komunistët patën zgjuarsi se u bashkuan me krahun e shëndoshë, krahun progresist, u bashkuan me aleancën e madhe anti - fashiste. Amerikën Anglinë Francën Bashkimin Sovjetik kundër hordhive hitleriane dhe italianëve. Çka solli çlirimin e këtij vendi. Por duhet ditur diçka. Komunist në Luftën e Dytë Botërore, në UNÇ ishin vetëm 3%. Ça komunizmit, ku u mësua komunizmi. Enver Hoxha nuk ishte ideolog. Kurse dëshmorë të vrarë në luftën çlirimtare zënë më pak se 0.3%. kjo tregon një luftë popullore. Luftë e popullit jo e komunistëve. Komunistët ishin një bërthamë që ishin ndër më aktivët. Luftuan për pushtet e morën pushtetin dhe 45 vjet bënë gabime serioze.

Kur folët për deputetin Çela thatë që ka qenë në gjendje jo të mirë psikologjike. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
-Po Bujari... unë e kam mik dhe nuk e shes kollaj. Bujari është njeri emocional, ato që ndjen i thotë, ashtu siç duhet. Por nuk duhet gjykuar Bujari për një gjë që thotë në gjendje  emocionale.

Pse PS, konkretisht Taulant Balla, kanë marrë iniciativën për t’i dhënë një masë Bujar Çelës? Ju thatë që Balla ka luajtur instrumente për E. Hoxhën. Ka qenë i imponuar nga aktorët e jashtëm dhe reagimi publik dhe i PD apo kështu operon PS në bazën e saj?
-Nuk e di. Kjo gjë do një analizë. Nuk është fjala që Bujar Çela dashuron teorinë komuniste,l ideologjinë komuniste apo figurat. Është një familje që rrjedh nga lufta dhe për këtë shkak simpatizon një nga figurat e luftës, që është Enver Hoxha. e ka shprehur. Nuk e di se si i ka ndodhur por ska pse merret PS të merren masa, e t’i bëjë qejfin kujt?! Sali Berishës. Sali Berisha ka qenë në një karrige me Enver Hoxhën. E patë. Një spiun i 7 zbulimeve ndërkombëtare rri dhe ulet në oborrin e Perandorit.  Në portën e Enver Hoxhës.

 Berisha e ka mohuar diçka të tillë.
Fotografinë e... jo se ka mohuar. Është hera e parë që kemi një fotografi të Enver Hoxhës me Sali Berishën megjithatë, duket që Berisha është mjaft i tërhequr, është në sfond. Ka pranuar gjithmonë që është mik i ngushtë me nusen e djalit të Hoxhës, dhe ka thënë se nuk është  ftuar asnjëherë nga Enver Hoxha. Ka hyrë, kaq thuhet, që është i pranishëm që ishte i pranishëm në një ceremoni ku ajo kishte ditëlindjen dhe e ka ftuar Berishën.

A e bën kjo Sali Berishën komunist apo pro Enverist?
Ka qenë komunist Sali Berisha. Madje ka qenë edhe sekretar i celulës komuniste të spitalit. Dhe këto i kishte qejf ai, të rrinte pranë Hysni Kapos,  pranë Simon Stefanit, pranë Enver Hoxhës, ka bërë dhe tentativa për t’u bërë mjek i Enverit. Por nuk e lanë. Rol vendimtar ka luajtur Nexhmija, e cila pasi studioi dhe u konsultua me Sulo Gradecin gjykuan që ky njeri ka një biografi jo shumë të pasur sepse gruan e ka malazeze, njerëzit e së cilës ishin pranë dhe punonin për Shërbimet e Zbulimit Jugosllav. Por ai ka këmbëngulur vazhdimisht të ishte pranë. Pse ishte pranë? Nuk është ndonjë gjë e madhe dhe s’kemi pse merremi ne se pse Saliu ka fotografi me Enver Hoxhën. Enver Hoxha mund të ketë dalë në fotografi me mijëra njerëz. Ishte drejtues, ishte udhëheqës, ishte diktator, të cilën e kishte deklaruar hapur që pushteti politik në Shqipëri i përkiste diktaturës së proletariatit e cila shoqërohej dhe frymëzohej nga lufta e klasave.

Të merresh sot me këtë është një sebep. E kapën këta pinjollët e Ballit Kombëtar. Ky nipi i Kadri Cakranit. Kadri Cakrani, edhe sot dridhen fëmijët në barkun e nënës, kriminel, kriminel lufte. Komandant i Ballit Kombëtar, i ushtrisë së Ballit Kombëtar. I dekoruar nga Hitleri. Me dokument! Pse s’ndenji në Shqipëri? Iku u arratis. Kurse një pinjoll i tij, një Kujtim a Shpëtim, se ka 2 emra, Shpëtim Cakrani e pashë një ditë në televizor,  është hedhur tani në sulm për të evokuar figurën e Kadri Cakranit. Ky Kujtimi, ky është një mostër, avokat që ka bërë 8 vjet burg në Itali, që s duhet të punojë edhe si avokat. Që s’ka as arsim përkatës sepse i ka të falsifikuara të tëra, këta janë, kujtimëra. Mos meremi me emra se unë jam içik e egër në këtë mes edhe nuk më shkon shumë edhe për moshën. Por këta duhen kujtuar se kush janë e nga vijnë.

 Ka PS anti - Enverist?
Ps nuk ka Enverist. Anti - Eneverist ka. Anti - Enveristi kryesor është Edi Rama, madje anti komunist, i tërbuar. Këta ballistët kanë marrë içik spunto, hov tani që kur Edi Rama bëri ceremoni për Mit’hat Frashërin. Kreun e Ballit Kombëtar. I cili ka vlera si studiues, si shkencëtar i albanologjisë, por në fushën politke ai radhitet në bashkëpunëtorët kryesorë të fashizmit. Kaq! Nuk është e udhës që Mit’hat Frashëri... të vijë në Shqipëri po jo të varroset atje bashkë me.... politikisht është i dënueshëm, asgjë pozitive e të dobishme për shtetin Shqiptar nuk ka Mit’ hat Frashëri. Qëndirmi i Kryeministrit në këtë mes qe një pakujdesi do të thoja unë, megjithëse ai këmbëngul në të tijën, krijoi një pështjellim në vlerësimin e luftës nacional çlirimtare,. Dhe ky pështjellim shpeshherë reflektohet edhe te disa persona që janë atje që secili përpiqet të dali sa më anti – enverist, se po të jesh anti – enverist tani je në modë. Enverizmi ka mbaruar, siç ka mbaruar komunizmi, jo Marksi, sepse Marksi studiohet.

Megjithatë zoti Braho marksizmi dhe komunizmi shqiptar nuk kanë fort lidhje me njëri tjetrin.. Marksizmi është ideologji utopike dhe komunizmi e ka deformuar totalisht atë çka mbart ideologjia marksiste në vetvete. Por me deklaratën tuaj për kryeministrin Edi Rama, a mund të themi se ai rreshtohet krah Sali Berishës, Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe demokratëve..
Jo jo jo jo , Sali Berisha është kriminel, nuk rreshtohet Edi Rama në reshtin e tyre. Është anti - komunist por e vlerëson luftën. Nuk e njeh mirë historinë e Ballit Kombëtar, dhe nuk i di motivet, por ashtu është formimi i tij i hershëm. Hyn  në formimin e disa të rinjëve 80 90, të cilët u rreshtuan si anti - komunistë, mirë bënë ilegalisht por nuk krahasohet rruga e tij politike me Sali Berishën apo me të tjerë. Sali Berisha ndoshta hiqet si antikomunist e anti - enverist por ai është zbatuesi më i zellshëm i komunizmit. Është i kamufluar. Nuk është demokrat në kuptimin e plotë të fjalës. Natyrisht ai hyn në kategorinë e ekstremistëve të djathtë.

Sa i takon demokratëve të tjerë që kanë reaguar ashpër për fotografinë e publikuar nga zoti Çela, Lulzim Basha apo Enkelejd Alibeaj.
Ka dallime. Lulzim Basha është budalla. Mos i vini faj. Ska lidhje. I tërë rrethi familjar i Lulzim Bashës rrjedh nga përfaqësues që kanë punuar në organet e diktaturës. Nuk e di ku fillon anti - komunizmi i Lulzim Bashës. Kurse Enkelejdi ka ngut se është nipi i Kadri Cakranit, pjesë e një dinastie feudalësh në Mallakastër që ka vetëm një vlerë, që nuk lejoi të dorëzoheshin çifutët. Mirëpo mendoj, ky bashkëpunëtor i gjermanëve nuk lejoi të dorëzoheshin çifutët, po di që në atë kohë çifutët kishin flori, shumë. Kanë qenë të pasur, feudal por kulturalisht kanë qenë zero, të pa edukuar, të pa ngritur, të pa formuar. Nga këta bejlerët e fshatrave që dominonin krahinën, dominonin fukarenjtë, i shfrytëzonin fshatarësinë e varfër. Feudal edhe luftën e kanë bërë vetëm për të ruajtur e zgjeruar pronat e tyre. Pasurinë e tyre.

20:46 Do të ngrihet një grup i posaçëm nga Alibeaj dhe Dhurata Çupi dhe zotin Çika për të hartuar një projektligj për t’i kërkuar parlamentit shqiptar të votojë një ligj ku do të  ndalohet çdo simbol që mbart karaktere të komunizmit. Si e shikoni ju këtë nismë?
Është e përsëritur disa herë kjo. Janë bërë tentativa që në vitet 90, 2000 edhe një projekt ligj në 2017 u tentua, kishte edhe lustracion, u rrëzua nga Gj. K. Kjo quhet lufta e simboleve. Pyes me vete cilat janë simbolet komuniste që përdoren sot. Ylli u hoq, nuk gjen yll të verdhë me konotacion politik, nuk ka se yje ka edhe flamuri amerikan. Do merren prap me 29 nëntorin këta? Janë rrëzuar disa herë me tentativat për të ndryshuar datën e çlirimit. Nuk e njohin, të mos e njohin. Nuk e kanë çliruar Ballistët Shqipërinë, e kanë çliruar Partizanët. Populli. Ka pasur një nderim kështu (nge grushtin) ky nuk është nderim komunist. Ky është nderim i luftëtarëve të Spanjës, u fut ca kohë këtu, dhe kemi nderuar edhe amerikanët edhe gjermanët në këtë mënyrë. Pastaj u fut kjo nga Mehmet Shehu, se ai kishte luftuar me brigadat internacionaliste në Spanjë, ta heqim. Cilat janë simbolet? Rrugët? Cilët do heqin? Qemal Stafën? Festojnë 5 Majin, Qemal Stafa ishte komunist. U  vra nga italianët si militant komunist. Por 5 maji është i pandryshueshëm, është ditë që përkujton dëshmorët e atdheut. Edhe kur kanë drejtuar pushtetin lokal, kanë bërë katrahurë me emrat. Kanë vënë emra të bashkëpunëtorëve të fashizmit.  Rruga Xhafer Dema. Xhafer Dema është organizatori i masakrës së 4 shkurtit. Kryetari i bashkisë Erion Veliaj, e hoqi dhe vuri emrin rruga 4 Shkurti. Personalitete të shquara, le të kenë qenë edhe ballistë, por të kenë qenë emra të shquara, le të vihen, nuk kemi pse merremi me simbolet dhe emrat.

Por ku do të dalë opozita? Çfarë do të fitojë nëse një projektligj i tillë votohet në seancë plenare?
 Nuk e besoj që votohet, e ka pjesë të rigjallërimit të imazhit të saj të leckosur. Është psikologjikisht është fenomen që vetëm Kafka e shpjegon. Asgjë nuk fiton, është pjesë e politikës së tyre, hajt se i kapëm këta gafil. Megjithëse PD asnjë herë ska qenë parti. Ka qenë një lëvizje anarkiste pa rregulla pa motive të qarta,  kërcente herë majtas herë djathtas. Qëllimi kryesor me sa duket ka qenë ndarja e plaçkës.  Ata grabitën e bënë Shqipërinë NAA!

Si e shikoni PD sot? Kemi Kuvend Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha dhe nga Sali Berisha
Komedi! Komedi! Për mua do ndahen ata, njëri parti më vete, tjetri parti më vete!

Kush do e fitojë partinë?
Jam i opsionit që mund të krijohen dy formacione më vete. Saliu do thotë ti vëmë një shtesë PD e vërtetë.

Pra ju thoni që PD do e mbajë Basha?
Ligjërisht ai është. I miratuar nga Ministria e Drejtësisë, se hallin e vulës kanë ata. Me grup parlamentar, me deputetë.

Edhe pse një numër i mirë i deputetëve e kanë braktisur për Sali Berishën?
Numër i mirë... po s' janë mo jo, nja 10 deputetë ka Saliu... tjerët i ka Basha,. Karagjozllëk. Vetëm në Shqipëri bëjnë vaki këto. Pse? Sepse ajo asnjëherë s’ka qenë parti serioze. Edhe PS ka bërë gabime të mëdha por jo në këtë shkallë. Tentativa të tilla bëri edhe Nano për ta përçarë PS-në në 2001. Por nuk u ça PS. U shkëput një fragment në 2004, Ilir Meta por nuk pati ndonjë..

Pra ju thoni se Lulzim Basha do të jetë një variant në PD i Edi Ramës në PS për të arritur ta mbajë partinë fort dhe për ta ringritur atë edhe pse babi politik ka tentuar ta vrasë kryetarin e ri?
Po Edi Ramën pse e fut në këtë mes? Edi Rama e ka fituar partinë me zgjedhje, në mënyrë korrekte. Pati kundërshtarë, pretendentë  brenda stadit të PS, por jo në këtë formë. Duhet të bëhet copëzimi i PD-së.

GJ.K dha vendim për ligjshmërinë e zgjedhjeve të vitit 2019. Çfarë po pret Presidneti Meta për të dekretuar zgjedhjet?
 Llogari po bën. Me këtë situatë ku është e djathta, dekretimi i zgjedhjeve në mjaft rrethe është e paralajmëruar humbja e PD-së. Pret të marrin veten këta thotë edhe...

 Por duket sikur nuk i ka mirë punët as me PD-në.
Me një pjesë... me Saliun i ka mirë ai.

Jemi një muaj larg nga vendimi që do të marrë Gj.K për Presidnetin Ilir Meta. Mendoni se do të  shkarkohet?
PO! Do të shkarkohet. Është e sigurt

Rrugëtimi i tij politk pastaj? Do t’i rikthehet LSI-së?
S’e di! Dikush nga shokët e tij më tha që pas kësaj ai do të vrasë veten. E mirë do bëjë

Pse?
 Aventurier. Koha tregoi që një njeri që e filloi politikën me një ideal të madh, të pastër, përfundoi në krahët e Sali Berishës dhe e bëri Shqipërinë copë këto 2 vjet.

Dhe krah Edi Ramës ka qëndruar...
Kur filloi aleancën me PS ishte normal ai. Po u shit ke Sali Berisha. Kam qenë afër tij unë, i di mirë këto gjëra.

Si u shit?
U shit politikisht!

Sipas jush e vetmja forcë e vërtetë politike është Partia Socialiste?
Serioze. Por ka defekte edhe PS

Ku qëndrojnë defektet e PS?
Këtu do na duhen edhe 2 orë të tjera, e lemë për një herë tjetër.

Si e shikoni ju opozitën që po bën Erion Braçe?
Erion Braçe në thelb ka të drejtë!

Ka qenë zëvendës kryeministër...ka firmosur...
Kush e pyet Erion Braçen. Nuk e ka pyet njeri, ka firmosur se e kërkon ana burokratike e detyrës se duhet të firmosë. Në thelb ka të drejtë... unë e përkrah Erion Braçen. Nuk është rebel, është djalë i zgjuar, racional në ato që thotë, shumë gjëra duhet t’i kishte thënë në forumet e partisë kur i ka rënë rasti! Dhe jo t’i zbrazë rrugëve por ka të drejtë

Nëse ka të drejtë, pse nuk ka reaguar më herët? Pse nuk ka dhënë dorëheqjen nga vendi i zv km, apo i pëlqente karrigia?
Po ça karrige

Pse u kujtua tani? Pse e bën opozitën në facebook?
Kshu ka qenë ai edhe më përpara, ne kemi qenë prezentë. S’ta përtonte Erioni. Diskutimet që bënte grupi parlamentar, shpeshherë ka qenë kundër. Edhe kur ka qenë kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë ishte racional në ato që thoshte. Rama shpeshherë e ka parë si të padurueshëm. (haha)

Rrezikon Braçe siç rrezikoi Ditmir Bushati?
Unë s’e di ça ka pësuar Ditmir Bushati... Ditmir Bushati është deputet.

Jo!
Epo mirë...

Nuk e ndiqni më politikën?
E ndjek mo po seç kisha një ide që ishte deputet. Tani kanë ardhur ca fytyra të reja që nuk arrij dot ti fiksoj të tërë

Si i shikoni fytyrat e reja?
Do kohë... vlerësoj kontaktet që do të marrin me bazën... do të bëjmë një analizë të plotë. Por dua të theksoj se Edi Rama është defektoz në lidhje me deputetët e vjetër.

Pse? Të rinjtë i krijon vetë?
Po deputetët e vjetër kanë biografi politike. Një pjesë e tyre kanë qenë themelues të PS. Nuk mund t’i lesh e të mos i kujtosh në fatkeqësi apo raste gëzimi. Ka patur deputetë që kanë patur të tilla gjëra edhe sikur s’ekzistojnë më. Historia e PS nuk është historia e pushtetit dhe drejtimit të ekzekutivit nga Edi Rama. Është histori shumë më e thellë sepse fillon nga 91. Deri në 97 ka qenë shumë e egër dhe duhen vlerësuar deputetët e vjetër. Jo me propagandë, jo me demagogjira por realisht. Duhen vlerësuar. Është komplekse historia e PS, në këtë aspekt Edi Rama nuk është i kujdesshëm.

Edi Rama si KM si është?
Gjatë këtyre 30 vjetëve kryeministri më punëtor. Njeri që rri 24 orë zgjuar. Merr shumë gjëra përsipër, kërkon t’i zgjidhë vetë të gjitha, këtë duhet ta korrigjoi. Por e vlerësoj si kryeministër pozitiv.

Akuzat për korrupsion ?
Ka vend.. ka vend të vlerësohen, fakti që ambasadorja amerikane iku nga mbledhja ishte një shenjë që shiko ore mbaj njerlz të saktë me integritet moral, mos mbaj afër Vangjush Dakon. Dako është cilësuar Non Grata nga DASH.

Njerëz të PS në poste publike, ka të korruptuar dhe të korruptueshëm?
Rovena unë jam jurist, nuk mund të flas pa fakte të plota se nuk shkon, s’merrem unë me llafe. Por fenomeni ekziston. Ti do emra? S’jam unë i emrave. Jam i çantës por jo i emrave.

Ju keni dijeni për të gjitha dosjet që ka secili politikan në Shqipëri...
 Kam dijeni, kam, është zanati

 Kështu që më mirë sesa ju askush nuk mund të i dijë emrat..
Jo! Më mirë se sa unë ka edhe SPAK emra plot që gradualisht do i vendosë në vëmendje... Për shkak të profesionit nuk flas dot. Kjo është shkolla ime

 

Intervista e plotë

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Papagalli: 07/12/2021 18:06

    Me vjen shume rende kur degjoj fjalen dekomunistizim kur shumica e komunisteve dhe enveristeve jane ne Partine Demokratike duke nisur nga kryekomunisti dhe kryeenveristi Sali Berisha i cili ka pozuar me familjen e diktatorit Enver Hoxha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë, Zhupa: Milva Ekonomi ka munguar në 2 mbledhje pas akuzave tona për konflikt interesi, e pres si dëshmitare

Komisioni Hetimor për Shëndetësinë, Zhupa: Milva Ekonomi ka munguar në 2 mbledhje pas akuzave tona për konflikt interesi, e pres si dëshmitare