Tradita më e bukur e Pashkës është lyerja e vezeve të kuqe dhe shpërndarja e tyre tek miqtë dhe të afërmit. Teksa flet për këtë simbolikë, Jozefina Delia, tha për Report TV se dekorimi i vezëve po ndryshon drejt komercializimit.
Festa e Pashkës nuk mund të konceptohet pa vezët e kuqe, një simbol i rëndësishëm që lidhet me besimin, ringjalljen dhe shpresën. Lyerja, shpërndarja dhe urimi me vezë mbeten një rit i trashëguar brez pas brezi, që vazhdon të ruhet me përkushtim në shume familje.
“Lidhja e vezës me Pashkën është fiks ideja e Ringjalljes. Njësoj si zogu i vogël që theu vezën dhe filloi jeten, e njëjta gjë edhe Jezu Krishti u Ringjall pragoi atë gurin dhe u Ringjall. Ndaj vezët bëhen tradicionalisht të kuqe si gjaku i Jezu Krishtit”.
Jozefina Delia është një artiste shkodrane që e ka mbajtur gjallë këtë traditë që në fëmijëri. Ajo tregon rëndësinë simbolike të vezës së Pashkës, duke theksuar se kjo është një nga shenjat më domethënëse të festës për besimtarët katolikë.
“Piknisja ime me vezën filloi në fëmijën time, me nënën time. Kam përjetime dhe nostalgji sepse atehere gjithçka ishte e thjeshtë, jeta ne vetvete ishte e thjeshtë. Kujtoj gjithashtu kur dilnin me vëllane nëpër lagje, trokisnim derë në derë, merrnim vezët dhe ishte ai momenti I thyerjes se veze. Shume I bukur! Domethënë kishte shumë energji të mire”.
Megjithatë, sipas saj, vitet e fundit ky rit po pëson ndryshime, duke u kthyer shpesh edhe në një lloj gare për mënyrën më të veçantë të dekorimit të vezëve. Delia shprehet se në disa raste theksi po zhvendoset drejt komercializimit, duke rrezikuar të zbehë kuptimin e vërtetë shpirtëror të kësaj tradite.
“Me vonë gjithçka ndryshoi, evuluoi, u fut kjo ideja e teknologjisë, ideja e dukjes (shfaqjes) edhe veza u kthye në një konkurs se kush bën vezen më të bukur “miss veza”. Pra kjo na ka largu pothuajse krejtësisht nga tradicionalja dhe gjithmonë kur largohesh nga tradicionalja normalisht kthehesh në komercializëm, në shfaqje, në inteligjencë artificiale”.
Në prag të festës së Pashkës, ajo përcjell një mesazh për të gjithë besimtarët që të ruajnë thelbin e kësaj dite të shenjtë, duke vendosur në qendër besimin, familjen dhe vlerat shpirtërore që kjo festë përfaqëson.
“Mesazhi është ky: Bashkohuni, duajeni njëri-tjetrin, larg teknologjisë. Mos dërgoni vetëm emoji në celular por përqafime reale, falni dashni. Bota duhet te jete me e thjeshtë se duket se tani bëhet gjithçka për t’u dukur”.
Jozefina Delia është specialiste e edukimit shëndetësor e apasionuar pas artit, ku spikat piktura. Ajo njihet në Shkodër si artistja qe ka sjellë risi në rrugën e Gjuhadolit duke transformuar dyert e vjetra në copëza arti. Po keshtu ka marrë pjesë në disa projekte kinematografike dhe podcaste.
Komente










