Dekretet e Nolit për gjyqet politike
shtetrrethimin dhe propagandën

Dekretet e Nolit për gjyqet politike<br />shtetrrethimin dhe propagandën
Programi liberal dhe sjellja joliberale e qeverisë
 

Në kabinetin e Nolit bënin pjesë dy kategori politikanësh: ata liberal dhe civilë (Gurakuqi, Vinjau, Delvina), si dhe ata ushtarakë (Shala, Qafëzezi). Një numër tjetër zyrtarësh të lartë të qeverisë erdhën nga shtesa e prijësve lokalë. Në thelb ky formatim qeveritar reflekton meritat e kryengritjes sesa programin qeverisës. Shumica e ministrave nuk ishin figura të njohura në sektorët përkatës, nuk kishin përvojë drejtimi dhe administrimi politik, si dhe ndanin pikëpamje të ndryshme për qeverisjen, pavarësisht programit politik. Kryeministri Noli në kujtimet e tij pranon se brenda qeverisë shumica ishin ose u bënë kundër tij.

Me 16 qershor Noli shpalli programin politik, I cili u publikua në media tri ditë më vonë. Sipas programit , regjimi i kaluar fajësohej për vëllavrasje, korrupsion, corganizim shtetëror, “krijim të fuqive personale përmbi shtetin”, atentate ndaj shtetasve dhe të huajve (Rustemi dhe amerikanët A.K), dëmtim të imazhit të vendit. Në program prioritet mbeten çarmatimi i përgjithshëm, dënimin e fajtorëve për gjendjen, rikthimi i qetësisë publike, vendosja e shtetit mbi cdo pushtet personal, crrënjosja e feudalizmit, vendosjen e demokracisë, reforma radikale në cdo degë, zgjedhje të nëpunësve sipas aftësisë, ligj për nëpunësit publikë, barazimin e buxhetit me kursime radikale, sistem të ri taksash, lehtësi për kapitalin e huaj, gjyqësor të pavarur, investime publike, arsim mbi baza kombëtare, marrëdhënie të mira me shtetet e tjera. Sic shihet, programi i qeverisë është më i shkurtri në 100 vjet, por ndofta edhe më moderni në koncepte dhe vullnete politike, dicka që dëshmon vizionin personal në atë periudhë të vetë Nolit dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt për sfidat e qeverisjes në Shqipëri. Në cdo botim historic dhe politik, kur flitet për meritat e Nolit dhe revolucionit të vitit 1924 citohet pikërisht ky program dhe nocionet modern të tij, sidomos pjesa e angazhimit për demokraci dhe ndarjen nga modelet feudale.

Fan Noli kishte një formim perëndimor, dhe këtë e dëshmon me veprat e tij, me fjalimet në parlament (ligjërata mbi tri anarkitë më 1923), me vetë programin e qeverisë së tij më 1924. Por në kontekstin e ushtrimit të politikës, Noli, ashtu si shumica e politikanëve shqiptarë përgjatë shekullit, bëjnë dallim. Prirja dhe rendja e pushtetit shpesh zhvendos ligjërimin perëndimor dhe krijon një sistem të përshtatshëm nga nevojat politike të ditës, një sistem vendor që në thelb ka pak element të ngjashëm me praktikat perëndimore. Kështu, psh, vetë Nolin në fund të programit, qeveria angazhohej se “pasi të kthehet gjendja normale në shtet, me zgjedhje të reja e me vota të fshehta dhe direkte, do të pyetet populli mbi veprën tonë të kryer dhe ne do të jemi gati t'i përkulemi verdiktit të tij”.

Me kalimin e muajve të qeverisjes, koncepti dhe angazhimi për zgjedhje u zbeh, duke ndikuar dukshëm edhe në besueshmërinë dhe legjitimitetin e vetë qeverisë. Kur fuqitë e kohës sugjeruan zgjedhje dhe legjitimitet të qeverisë përmes zgjedhjeve, Noli nga podiumi i Lidhjes së Kombeve në Gjenevë dha një përgjigje dramatike : “por a e dini c’është parlamenti? Sigurisht që e dini. Por cështja do të bëhet më e qartë, kur tju them atë që mendoj unë për të. Një parlament është një sallë, ku politikanët e pashpirt mblidhen të bëjnë copë copë racën e vet, një sallë e mbushur me gaz helmues, me gaz mbytës, me gaz lotsjellës, me gaz që shkakton qeshje dhe me të gjitha gazet me të cilat u luftua në luftën e fundit, për tu dhënë fund të gjitha luftrave dhe për të vendosur paqen, paqen për të cilën ne po flasim. Por meqë ju këmbëngulni, ne duam të bëjmë zgjedhje të reja dhe të therrasim atë murtajë, atë fatkeqësi, atë besytni të përbuzur, parlamentin, pas, të themi, dy apo tre vjet qeverie paternaliste…”.

Pak dy muaj më vonë, Noli pranoi të zhvillojë zgjedhje vetëm pas presionit të madh brenda e jashtë vendit, dhe në përgjigje të detyrimit nga KLSH për plotësimin e vendeve vakante. Në nëntor Noli pranoi zhvillimin e zgjedhjeve të para në 20 dhjetor dhe të dytat me 20 janar, por në dhjetor, për shkak të gjendjes së nderë në veri (ndërhyrja serbe), në bashkëpunim me Këshillin e Lartë datat e zgjedhjeve u shtynë me 30 ditë, përkatësisht raundi i parë me 20 janar dhe i dyti me 20 shkurt 1925 . Për shkak se modeli i tij politik ra me 24 dhjetor ai nuk arriti të jetësojë zgjedhjet dhe kështu, humbi shansin historic të legalizimit të qeverisjes së tij përmes zgjedhjeve. Një qeveri që nuk votohet në parlament, nuk votohet nga qytetarët, merr vetëm një nga katër votat e KLSH-së, reflekton mungesë të dukshme besimi dhe legjitimiteti, dhe ky është rasti i vitit 1924.
Më tej, Noli premtoi liri politike dhe sistem demokratik, por disa vendime të qeverisë krijojnë kontrast të thellë me këto deklarime. Për shembull, qeveria mori disa vendime për ndalimin e botimit të disa revistave dhe gazetave kritike të kohës. Kjo shkresë dëshmon një prej rasteve të ndalimit, konkretisht për revistën “Tirana”, e cila, sipas vendimit të datës 11.8.1924 “asht rreptesisht i ndaluem. Prandaj porositeni qi te respektoni vendimin ne fjale tue mos e botuem ma ate fletore”.

Në listën e vendimeve të motivuara politike ai për krijimin e gjykatës speciale politike për gjykimin dhe dënimin e kundershtarëve politikë përbën një zhvillim invers. Fjala është për gjykayën politike. Menjëherë pas ardhjes në pushtet qeveria e re krijoi gjykatat politike “për të gjykuar të gjithë autorët moralë dhe material të vëllavrasjes së fundit dhe shkaktarëve të saj, si dhe të ndihmuesve principialë të tyre, në bazë të ligjeve në fuqi ”. VKM e datës 2.7.1924, sqaronte se gjykata politike do ketë një kryetar dhe katër anëtarë të emëruar nga KLSH sipas propozimit të qeverisë. Neni 4 i vendimit mbetet i paprecedentë: “kur ligjet në fuqi dënojnë me vdekje si dhe me burg të përjetshëm ose me kufizim në kala të përjetshëm, gjyqi ka të drejtë të dënojë me eksplusion të përjetshëm së bashku me konfiskimin e tërë pasurisë. Për ata që dënohen në mungesë, lloji i dytë i dënimit, asht i detyrueshëm për gjykatën”. Gjithashtu vendimi parasheh dënimin nga kjo gjykatë “pa përjashtim të huej ose nënshtetas, ministër, regjent, asamblista, ose ish të tillë, zyrtarë civil e ushtarakë, si dhe cdo tjetër privat qi janë fajtor për faktet e nalt-përmendura”, - një atribut që përbën shkejlje të dukshme të dokumentit kushtetues të vitit 1922 dhe konventave ndërkombëtare ku bënte pjesë Shqipëria. Ky vendim mori kritika të ashpra edhe nga shtetet demokratike të kohës, si psh, qeveria britanike, sipas të cilës “nuk mund ta kuptonin nevojën e krijimit të një gjyqi politik…për të dënuar kundërshtarët, se një qeveri që i kishte deklaruar botës shpalljen e demokracisë e të liberalizmit nuk duhej të vepronte kundër këtyre parimeve” .

Në listën e personave të kërkuar për gjykim qeveria përfshiu 196 emra, të gjithë politikanë e shtatarë të lartë të periudhës 1920-1924, përfshirë ish kryeministrat Ahmet Zogu, Iljaz Vrioni, Shefqet Vërlaci dhe Xhafer Ypi. Gjyqi formal vijoi për disa javë derisa me 10 nëntor gjykata dënoi me vdekje numrin më të madh të zyrtarëve, përfshirë Ahmet Zogun. Motivimi i vendimit përfshinte edhe akuza thellësisht politike, si psh, “kishte keqpërdorur partinë”, “pas ardhjes në pushtet me ndihmën e partisë parlamentare kishte harruar detyrën e tij dhe kishte krijuar një ndikim vetjak në pjesën më të madhe të vendit”. Bashkë me ta u dënuan me burgim të përjetshëm, konfiskim të pasurisë apo dënime 10-20 vjet rreth 30 politikanë të tjerë të lartë, ish-kryeministra, dy anëtarë të Këshillit të Lartë, ish deputetë dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm.

Më tej, po paraqes dy prej dokumentevetë tjera ilustruese: dekretin për vendisjen e shtatrrethimit, si dhe ligjin për dënimin e atyre që bëjnë propagandë, - të cilat vënë në pikëpyetje angazhimin për demokraci liberale dhe shtet të së drejtës. Në vendimin për gjendjen e shtatrrethimit marrë me 30 qershor 1924, pika 4 parasheh dënim me vdekje për cilido qytetar që ndihmon me armë, minicion, por edhe bukë, opinga ose strehë kundërshtarët e regjimit ose kritikët e tij. Pika 5 parasheh 5 vjet burg dhe internim për individët që bëjnë propagandë në dëm të shtetit dhe në favor të kritikëve të tij (qeverisë). Më tej, jepen 3 vjet burg për ata që nuk lajmërojnë qeverinë nëse ka informacione për kryengritje, si dhe 6 muaj burg për ata që mund të refuzojnë shërbimin ushtarak të detyrueshëm .

Qeveria Noli premtoi administratë publike të aftë dhe sipas aftësisë, apo gjyqësor të pavarur, por në praktikë, vendimet e tij janë të kundërta. Për shembull, në rastin e gjykatës, kemi një vendim të paprecedentë për një vend demokratik: qeveria krijon një strukturë administrative për të dënuar individët për të cilët nuk ka prova dhe as dënim nga gjykata. Konkretisht, ky vendim lidhet me dekret-ligjin e datës 9 gusht 1924 “për internimin e autorëve që bajnë propagandë të rrezikshme dhe që nuk u provohet nga ana e gjykatoreve”. Neni 1 konsideron krim të rëndë jo vetëm atë kundër pavarësisë, por edhe propagandën “kundër regjimit demokratik të vendosur prej lëvizjes kombëtare”. Personat që bëjnë propagandë dhe nuk ka provë dhe as dënim nga gjykata, mund të internohen nga një komision zyrtar i përbërë nga prefekti, prokurori, komandanti i qarkut ose policisë. Neni 4 i një të drejtën qeverisë, Këshillit të Ministrave, të vendosë për ndryshimin e masës së internimit pa pasur as kërkesë formale nga ana e personave nën gjykim.

Të njëjtat arsyetime gjejmë edhe në rastin e sjelljes ndaj administratës publike. Me 23 qershor qeveria dha urdhër pushimi kolektiv të zyrtarëve të lartë të administratës dhe punonjësve të sigurisë, si dhe krijoi një komision special për seleksionimin e atyre që do të merren në punë . Një tjetër vendim unik mbetet ai i dhënë me 13 shtator 1924, sipas të cilit urdhërohen të gjithë të arratisurit politikë të qëndronin jo më afër se 150 kilometra nga kufiri zyrtar i Shqipërisë. Në rast mosrespektimi të kësaj distance, atëherë qeveria paralajmëronte të drejtën e saj për të internetuar familjaret e tyre në vend, pa përjashtim.

Qeveria Noli theksoi prioritet të saj dënimin e autorëve të vëllavrasjes, por sapo erdhi në pushtet ndër aktet e para të saj ishte lirimi nga burgu i atentatorit të krueministrit Zog, Beqir Valteri. Ndaj këtij akti pati reagim zyrtar britanik, duke hedhur aludime për politike reprezaljesh. Interesant është fakti se gjykata e shfajësoi Valterin kur me 25 gusht dha vendimin, sipas të cilit ai ishte fajtor relevant, pasi kishte kryer një krim ndaj personave që ishin përgjegjës për vëllavrasjen . Pra, krijimi konsiderohej meritë, duke gjetur krahasim midis aktit të tij ndaj kryeministrit Zog me atë të Avni Rustemit kundër Esat Toptanit në Paris.
 
Bilanci historik dhe bilanci i pushtetit
 
Një qeverisje në gjashtë muaj, nga të cilat dy muaj janë marrje dhe lënie detyre, e ka të vështirë të bëjë balance. Aq më tepër kjo në kohë përmbysjesh të mëdha, sic ishin ngjarjet e vitit 1924 në Shqipëri. Premtimet e mëdha që u dhanë, kishin pritshmëri po kaq të mëdha, por kapacitetet financiare, njerëzore, si dhe vullneti e vizioni politik për jetësimin e tyre ishin minimale. Qeveria shënoi disa suksese, psh, në rrafshin kombëtar vlejnë suksesi ekonomik i arritur nga Gurakuqi për balancimin e buxhetit apo politika e jashtme produktive në mbrotje të interesave kombëtare. Qeveria nisi punën për një bazë ligjore moderne civile e penale, por nuk arriti ta përfundojë dhe ashtu si cdo vendim tjetër, nuk arriti t’i shndërrojë në ligje funksionale. Një pjesë e akteve, sidomos ato me vlerë nënligjore, rregullore dhe praktika, patën vlerë dhe u përdorën për referim edhe më vonë, pavarësisht ndyrhsimit të regjimeve. Pjesë e bilancit qeverisës mbeti edhe një leksion pozitiv në rrafshin social, të pranimit të tjetrit pavarësisht bindjeve fetare dhe origjinës, të largimit nga imazhi ndërkombëtar të tezës së “Turqisë së vogël” dhe krijimit të një imazhi më pozitiv, edhe pse skeptik në aftësitë e funksionimit, ndaj një kombi të ri evropian në Ballkan. Për më tej, ashtu si në cdo rast kryengritjeje dhe qeverie që vjen pas saj, zgjedhja e ekipit të ri drejtues të shtetit u bazua mbi emocionet dhe pragmatizmin e atmosferës, jo mbi nevojat e vendit, meritat dhe konkurrencën.

Noli nuk arriti dot të kontrollonte gjithë territorin dhe ushtronte qeverisjen, sipas u premtua dhe u prit gjatë pranverës së vitit 1924. Edhe qëndrimi i tij rreth një muaj e gjysmë jashtë Shqipërisë nuk rezultoi i suksesshëm. Përkundrazi, largimi i tij “kishte thelluar përcarjet brenda qeverisë, kishte penguar fillimin e reformave të premtuara, kishte rritur pakënaqësinë në popull dhe kishte krijuar rrethana për të inkurajuar kundërshtarët e tij në qeveri e jashtë saj për të komplotuar për rrëzimin e saj” . Duke cituar vetë Nolin “shumica e oficerëve të ushtrisë ishin ose kundër ose në rastin më të mirë, indiferentë ndaj këtyre reformave, megjithëse më parë ishin deklaruar në favor të tyre. Zoti Sotir Peçi, regjenti, iu kundërvu atyre haptazi dhe ashpërsisht. Zoti Ajris, arriti ti binde të gjithë ata që ishin përreth meje se reformat agrare ishin një risi e rrezikshme bolshevike” . Kontrasti brenda Nolit politikan të vitit 1924 dhe Nolit vizionar përpara dhe pas kësaj ngjarje, vërtetohet jo vetëm në këto kujtime të tij, por edhe në vlerësimet profesionale që I janë bërë. Bernd Fisher shkruan për të se “Noli ishte i vetmi republikan në qeverinë e tij, por politika e tij ishte shumë radikale; dëshmoi mungesë përvoje në qeverisje dhe menaxhimin e saj, si dhe në kontrast me situatën harxhoi shumë kohë me dashuritë e tij të para, librat dhe muzikën.

A ishte një eksperiment i dështuar? A mund të jetë demokratik një regjim që nuk votohet, që nuk bazohet në institucionale funksionale dhe që nuk ka pjesëmarrje aktive qytetare? A mund të kishte zgjidhje dhe sjellje më të mirë nga vetë protagonistët? Për këtë të fundit ka përgjigje. Nëse kabineti i Nolit do të kishte qënë më professional, nëse ai vetë do të kishte qënë më realist në parashikime dhe më demokrat në vendimmarrje, nëse vendin e gjyqeve politike do ta kishte zënë amnistia dhe pajtimi kombëtar, nëse rolin dominues dhe imponues të ushtrisë politike do ta kishte zënë reforma profesionale në forcat e sigurisë, nëse balanca e angazhimeve do të kishte anuar më shumë nga axhenda e brendshme sesa ajo e jashtme, si dhe nëse disa prej reformave thelbësore të qeverisë do të kishin marrë jetë, - me siguri, periudha 6 mujore e vitit 1924 do të kishte pasur rëndësinë e një rilindje të re vlerash për Shqipërinë.

Bazuar edhe në këtë lexim studimor, studiuesi R.Qosja sugjeron evitimin e vlerësimit të figurës së Nolit dhe produkteve të qeverisë së tij, duke thënë me të drejtë se “atij do ti ngjajë ajo që shpesh u ka ngjarë idealistëve të mendimit; nuk do të arrijë të pajtojë mendimin me aksionin, bukurinë e ëndërrimeve dhe vrazhdësinë e jetës, profetizimin e diagnozave dhe mjeshtërinë e zbatimit të tyre. Për këtë arsye, në fund, ai do të dështojë në politikën, por do të ngadhënjejë në historinë”. Vetë Noli, në dëshminë e tij thotë se me premtimin për reformën agrare „unë ngjalla zemërimin e aristokracisë së kohës, duke mos arritur ti realizoja ato, humba edhe mbështetjen e masave fshatare” , një paradoks që shoqëroi të gjithë sjelljet politike dhe mandatin e tij.
 
Konkluzione
 
Nuk ka dyshim se Fan Noli mbetet një nga emrat më të respektuar dhe me më kontribute në mendimin politik shqiptar. Aktiviteti i tij jetësor nuk mund të kufizohet vetëm në gjashtë muajt e qëndrimit në krye të qeverisë. Roli dhe figura e tij janë më komplekse, ndaj ngjarjet e vitit 1924 përbëjnë një moment të qartë vlerësimi të vetëm një periudhe, të një mentaliteti dhe sistemi qeverisës, të një eksperimenti politik në historinë 100 vjecare të shtetit shqiptar.

Sic studimi sjell prova të akteve zyrtare, vendimet më të rëndësishme politike dhe zyrtare të periudhës qershor – dhjetor 1924 krijojnë imazhin e një sistemi që ecën paralelisht: demokratik në ide e premtime, antidemokratik në sjellje dhe platformë zyrtare. Gjithsesi “revolucioni i qershorit” më shumë sesa një arritje historike mbetet një zhvillim kompleks dhe moment reflektimi në memorien politike e shtetërore, një test i dështuar i aftësisë së elitës politike të viteve 20 për të zgjidhur mosmarrëveshjet në rrugë institucionale. Ato përbëjnë rastin më të dukshëm të ndeshjes in extremis të elitave politike, të krijimit të strukturave paralele, të natyrës konfliktuale të politikës tej limiteve të lejuara, si dhe në fushën e ideve, - të përballjes midis tyre të koncepteve tradicionale dhe kombëtare të politikës, demokracisë dhe shtetit.

A do kishte qenë fati ynë i ndryshëm nëse ato ngjarje do të kishin sjellë rrjedhë tjetër politike? A përbëjnë ato pikën tonë të takimit me Evropën në konceptet e shtetit, lirisë dhe demokracisë liberale? A përbën retorika politike burimin e vetëm të besimit apo politikanët, sidomos shtetarët, do të duhet të gjykohen mbi veprat e tyre konkrete? Me siguri ka shumë përgjigje për secilën pyetje. Unë kam bindjen se ngjarjet e vitit 1924 nuk do të kishin pasur ndikim tjetër në historinë tonë politike, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Vetë ai sistem nuk mbijetoi sa prej kërcënimeve të jashtme aq edhe prej problemeve të mëdha brenda vetes, pra nuk përbën një trupe organike mendimi e veprimi mbi një platformë të qartë afatgjatë, sa përbën një mozaik interesash që u bashkuan në një moment historik. Së fundi, takimi ynë me demokracinë dhe sistemet liberale evropiane nuk mund të ndodhë përmes ndjesive personale apo kulturës individuale të politikanit të radhës në qeveri, por ndodh vetëm kur shoqëria bën të vetat konceptet, i jetëson ato në praktikë, beson në ato dhe identifikohet me to, duke i ruajtur, edhe kur ato cenohen ose injorohen nga politikat e rastit.

faksimile

Shkrimi u publikua në "Shqiptarja.com" (Print) 27.06.2014

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit