Ish-kreu i SHIU-t Ylli Zyla, ish-ministri Gjergj Koja, ish-kreu i SHISH-it Fatos Klosi dhe analisti Ilir Kalemaj kanë diskutuar këtë të premte në emisionin Repolitix për vendimin e marrë të presidentit Ilir Meta për të dekretuar në orët e mbrëmjes së sotme gjeneralin Sandër Lleshaj në krye të Ministrisë së Brendshme. E cilësuar si një "telenovelë" dy javore, analistët ndanë sot mendimin se e gjithë cështja e dekretimit të Lleshajt ka qenë e zvarritur më kot.
Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi e cilësoi sagën dhe përballjen Meta-Rama si një "furtunë në një gotë me ujë".
Shyqyr që ishte një general dhe jo një njeri i marrë nga rruga, është një parametër plus. E megjithatë, kjo punë duhej zgjidhur midis tyre dhe pastaj ta merrnim vesh ne.
Fatos Klosi, Ish-kreu i SHISH-it
Ish-ministri Gjergj Koja u shpreh për këtë cështje se i është dhënë më tepër rëndësi nga sa vërtetë meriton. Sipas tij, edhe në rast se Sandër Lleshaj nuk do të dekretohej, përgjegjësia do të binte mbi institucionet ndërkombëtare.
Përfundoi ashtu sic u parashikonte të ndodhte, Meta nuk e kishte të lehtë të ndryshonte qëndrimin e tij. Duhet të kuptojmë që nuk kemi luksin të bëjmë si grindavecë sikurse bëhej dikur. Sot, Shqipëria është në një stad tjetër, nën mbikqyrjen ndërkombëtare synohet që shumica drejtuese të përballet me probleme të mëdha.
Gjergj Koja, Ish-ministër
Ndërsa analisti Ilir Kalemaj e shtriu cështjen e dekretimit të gjeneralit Sandër Lleshaj në një spektër pak më të gjerë, ku dy personazhët kryesorë janë Meta dhe Rama. Kalemaj e cilësoi zvarritjen e dekretimit si një lojë ku synimi kryesor është donimimi.
Konflikti i cili ishte si një sagë apo telenovelë e krijuar nga politika, nuk është një konflikt institucional por personal midis dyshes taktike që kanë luajtur për dominimin e të majtës shqiptare, që ka pasur luhatjet e saj. Natyrisht që ky cift ka pasur momente të bashkëpunimit, me plot ulje ngritje, plot pabesira, është një marrëdhënie shumë e komplikuar midis tyre. Nuk ka të bëjë me rastin e individit.
Ilir Kalemaj, Analist
Dilemës nëse ministri i ri i Brendshëm do të gëzojë autonomi në vendimmarrjet e tij, apo do të jetë thjesht një figurë e cila do t'i hapë rrugë ndikimit të Ramës edhe në këtë dikaster, Fatos Klosi i dha këtë përgjigje: "Ai ka për detyrë të përcojë politikën dhe programin e qeverisë, them se duhet ta shohim nëse do ta bëjë dicka të tillë". Klosi vijoi më tej, duke thënë se ai sapo ka filluar dhe se nuk duhet paragjykuar. Edhe ish-ministri Gjergj Koja ndau të njëjtin mendim me Klosin, duke thënë se edhe në vendet perëndimore ministri i Brendshëm me Kryeministrin ndjekin një linjë komunikimi.
Sulmet e opozitës Koja i cilësoi si të drejta, pasi sipas tij, "opozita në cdo lloj kohe ka të drejtë të sulmojë ekzekutivin." "Mund të bëjmë politikën e djallit kurdoherë, por problemi nuk është këtu. Padyshim që opozita do ta observojë Lleshajn dhe do ta godasë", u shpreh ai.
Ish-kreu i SHIU-t, Ylli Zyla e cilësoi gjeneralin Sandër Lleshajn si një figurë më të dobët sesa dy ministrat paraardhës, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj. Ai argumentoi se "forca" e kandidaturës së Lleshajt barazpeshohet me faktin se ishte një zgjedhje personale e kryeministrit Edi Rama, e jo një anëtar i ardhur nga Partia Socialiste. Ndërsa analisti Ilir Kalemaj, ndryshe nga Klosi dhe Koja, u shpreh se Sandër Lleshaj në krye të Ministrisë së Brendshme nuk do ta ushtrojë realisht detyrën e ministrit, por sipas tij, ai do të qëndrojë në petkun e zv/ministrit. "Ministër Rendi dhe i Brendshëm besoj se do të jetë Rama, Lleshaj do të jetë zv/ministër dhe këtë e them duke u bazuar në njohjen e trajektores së politikës shqiptare", tha Kalemaj.
Sot, tre orë para mbarimit të afatit Meta dekretoi Sandër Lleshajn në postin e ministrit të Brendshëm. Meta shpjegoi sonte se herën e parë e refuzoi për shkak të problemit me statusin e ushtarakut aktiv të Lleshajt. Pas heqjes së statusit paraditen e sotme, në mbrëmje Meta firmosi propozimin e kryeministrit Edi Rama.