Letra është dërguar presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama, kreut të Kuvendit Ilir Meta, ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu, ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt si dhe kreut të zyrës së KiE-s në Tiranë, Claus Neukirch.
“Duke vlerësuar gatishmërinë dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ju personalisht dhe institucionet që ju drejtoni i keni dhënë KQZ-së në punën e saj, në funksion të përmirësimit të standardeve zgjedhore të kërkuara, nisur nga disa pretendime të ngritura së fundmi nga Prokuroria e Përgjithshme, po Ju dërgojmë bashkëlidhur informacionin e detajuar rreth procesit të verifikimit nga KQZ, të formularëve të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike’.
Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju siguron se, e gjithë veprimtaria jonë për zbatimin e ligjit të “dekriminalizimit” është kryer dhe do të vijojë të kryhet me përgjegjshmëri të lartë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e legjislacionit në fuqi”,-thuhet në letër. Më 16 shkurt 2017, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal ndaj KQZ-së, duke e akuzuar për shkelje ligjore si për rastin e deputetit socialist Armando Prenga, ashtu dhe për dy kryetarë bashkie.
KQZ u akuzua nga Prokuroria për shkelje të ligjit, duke pranuar deklarime jashtë afateve dhe për mosbashkëpunim. Oficerë të policisë gjyqësore nga Prokuroria e Tiranës sekuestruan pranë KQZ-së të gjithë dokumentacionin. Sipas prokurorisë, KQZ ka shkelur ligjin duke lejuar të zgjedhurit të dorëzojnë një formular të dytë një muaj përtej afatit ligjor.
Llalla: Do ketë emra të tjerë deputetësh për dekriminalizimin
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla thotë se do të ketë deputetë të tjerë që do të preken nga ligji i dekriminalizimit. “Procesi i dekriminalizimit është proces në vazhdimësi. Ka një dyndje denoncimesh nga ana e qytetarëve.
Për momentin nuk mund të përmendin emra. Në përfundim të hetimit do të bëhen publike edhe emrat”,- u shpreh Prokurori i Përgjithshëm. Deklarata është bërë në analizën e prokurorisë së Fierit, ku Llalla paralajmëroi nisjen e hetimeve për tërmetet në Zharrëz.
Prej më shumë se dy javësh banorët e zonës janë në grevë urie për dëmet që i janë shkaktuar nga shpimet e naftës. Kultivimi i drogës në Fier ishte një nga shqetësimet e evidentuara nga prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla gjatë analizës vjetore të prokurorisë së rrethit. Numri një i akuzës tha se vërehen referime të larta të dosjeve për kultivim droge, por nga ana tjetër numri i të hetuarve dhe të arrestuarve për këtë vepër është i ulët.
Duke iu referuar statistikave, prokurori i përgjithshëm Llalla përmendi se në Fier bien në sy referimet e ulëta prej vetëm katër të tilla për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe të “korrupsionit”. Gjatë kohës që po zhvillohej analiza vjetore, jashtë ndërtesës së prokurorisë banorët e zonës së Patos Marinëz, që kanë hyrë në ditën e 18 të grevës, protestuan duke kërkuar hetime për dëmet e shkaktuara.
“Siç e shikoni, sot një përfaqësi banorësh më kërkuan hetime për dëmshpërblimin. Prokuroria ka filluar hetimet për këto raste dhe po shqyrton mundësinë edhe për të shfuqizuar vendimet për rastet kur janë mbyllur”, deklaroi Llalla.
dy.b/shqiptarja.com