Një ditë pas urdhrit të Ilir Metës për të krijuar strukturën e posaçme në Kuvend që do të administrojë formularët e dekriminalizimit nga zyrtarët, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka dhënë shembullin e tij.

Ai ka qenë i pari në listën e 109 zyrtarëve të thirrur nga Kuvendi për të deklaruar të shkuarën penale që ka plotësuar formularin e dekriminalizimit.

Në këtë mënyrë, Prokurori i Përgjithshëm ka dhënë shembullin e tij për dekriminalizimin, edhe pse, nga burime pranë këtij institucioni, mësohet se në plotësimin e formularit, kryeprokurori ka bërë një gabim teknik.

Ky gabim ka të bëjë me mungesën e një vize në një hapësirë boshe, e cila duhet hequr me vizë nga plotësuesi, në mënyrë që më pas, të mos jepet mundësia manipuluesve që të plotësojnë hapësirën boshe me shënime të tjera spekulative.

Sipas procedurës, do të duhet që Llalla ta rregullojë këtë mangësi në formularin e rrëfimit të tij, dhe ky proces për të, të quhet i përfunduar. Tre ditë më parë, Kuvendi njoftoi se Meta kishte hartuar 3 urdhra për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Përmes 3 urdhrave, Kuvendi ka ngritur strukturën e posaçme që do të jetë përgjegjëse për këtë proces. Do të jetë drejtoria e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, ajo që do të menaxhojë këtë proces për llogari të Kuvendit.

Pas kësaj, Meta ka thirrur plot 109 zyrtarë, staf politik i Kuvendit dhe drejtues të institucioneve të pavarura, të plotësojnë formularin e dekriminalizimit, listë të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Shqiptarja.com”.

Zyra e shtypit e Kuvendit, bën me dije Kryetari i Kuvendit te Shqipërisë në vijim të detyrimeve që burojnë nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ka nxjerrë urdhrin për caktimin strukturës së posaçme, pranë të cilës do të dorëzohen dhe administrohen formularët e vetëdeklarimit, për subjektet të cilët në zbatim të akteve të sipërcituara e paraqesin atë pranë tij.

Gjithashtu, Kryetari Kuvendit dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit priti në një takim dje Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla për të biseduar mbi vijimin e procesit të zbatimit të këtij ligji, përgjegjësitë që ai ka si organ përgjegjës për administrimin e vetëdeklarimeve, si dhe bashkëpunimin me këtë institucion në zbatim të parashikimeve ligjore.

Kryetari i Kuvendit inkurajon të gjithë titullarët apo anëtarët e organeve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit, si subjekte të këtij ligji por edhe për nëpunësit civil të institucioneve të tyre”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Redaksia Online
Shqiptarja.com