Dy prokurorë dhe tre oficerë të policisë gjyqësore do të verifikojnë të gjithë personat që preken nga ligji i Dekriminalizimit.

Dy javë nga miratimi i akteve nënligjore të dekriminalizimit prokurori i përgjithshëm ka urdhëruar ngritjen e kësaj strukture e cila në totalet do të përbëhet nga 5 persona, dy prokurorë e tre oficer policie gjyqësore.

Sipas urdhrit të Llallës kjo strukturë do të kujdeset për “- Krijimin e regjistrit për regjistrimin e kërkesave për verifikim dhe krijimin e regjistrit për regjistrimin e formularëve të vetëdeklarimit; si edhe, krijimin e një sistemi elektronik për regjistrimin, ruajtjen dhe dokumentimin e kërkesave për verifikim, të dhënave, akteve apo fakteve të administruara, rezultatet e verifikimit dhe të dhënave të grumbulluara”.

ReportTv ka mësuar nga burime pranë akuzës se kjo strukturë prej 2 prokurorësh e 3 OPGj do të jetë e pajisur me certifikatë sigurie të nivelit maksimal dhe zyrat e tyre do të jenë në prokurorinë e përgjithshme.

Deri në këto momente kreu i akuzës Adriatik Llalla ende nuk ka një emër se kush do të drejtojë këtë strukturë por pritet që kreu i kësaj strukture të zgjidhet dhe me pëlqimin e partnerëve ndërkombëtar thanë burimet për ReportTv.

Ligji për dekriminalizimin u miratuar më 27 dhjetor të 2015 dhe katër muaj pas miratimit të ligjit hynë në fuqi aktet nënligjore dhe institucioni i parë që konkretizon aplikim e tij është prokuroria e përgjithshme.


Ja njoftimi i prokurorisë
Prokuroria e Përgjithshme krijon strukturën për zbatimin e ligjit “Për dekriminalizimin”
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka firmosur Urdhërin për krijimin e strukturës së posaçme për verifikimin e integritetit të zyrtarëve publikë, në zbatim të ligjit të njohur ndryshe edhe si ligji ”Për dekriminalizimin...”.
Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Kreu VII i Vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr.17 datë 04.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015...”, përcakton organin e Prokurorisë si institucioni përgjegjës për verifikimin e integritetit të zyrtarëve në të gjithë administratën publike.
Bazuar në aktet ligjore të mësipërme, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron krijimin e Sektorit të Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, i cili do të përbëhet nga 2 prokurorë, 3 oficerë të Policisë Gjyqësore dhe një specialist i Teknologjisë së Informacionit.
Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron edhe;
- Krijimin e regjistrit për regjistrimin e kërkesave për verifikim dhe krijimin e regjistrit për regjistrimin e formularëve të vetëdeklarimit; si edhe,   
- Krijimin e një sistemi elektronik për regjistrimin, ruajtjen dhe dokumentimin e kërkesave për verifikim, të dhënave, akteve apo fakteve të administruara, rezultatet e verifikimit dhe  të dhënave të grumbulluara.
Në Urdhërin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohen edhe detyrimet e punonjësve që do të jenë pjesë e Sektorit të Verifikimit. Sipas këtij akti, të dhënat dhe informacionet e grumbulluara në këtë proces trajtohen në përputhje me ligjin nr.138/2015, me Vendimin e Kuvendit nr. 17 datë 04.03.2016, si edhe me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Po ashtu, çdo person që hyn, transmeton, përdor ose përpunon të dhënat e sistemit elektronik në kundërshtim me rregullat teknike dhe legjislacionin në fuqi, ngarkohet sipas rastit me përgjegjësi administrative ose penale.
 
Redaksia online
(L.Q/Shqiptarja.com)