Vicente Del Boske ka folur për humbjen 3-0 të Spanjës në finalen e Kupës së Konfederatave nga Brazili, duke thënë se vendasit kishin fat në dy prej golave të shënuar.

“Ata ndoshta ishin me shumë fat me golat e tyre në fillim të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë. Kishim mundësi të barazonim 1-1, por pësuam 2-0 në fund të pjesës së parë duke e bërë gjithcka më të vështirë.

Por unë nuk do të nxjerr arsyetime për disfatën. Brazili meritoi të jetë fitues dhe ne duhet t’i urojmë ata. Mendoj se ne kemi bërë një Kupë Konfederatash shumë të mirë. Brazili ishte thjesht më i mirë, asgjë më shumë”, ka përfunduar trajneri i ekipit të Spanjës.

Ndërsa Skolari pas fitores nuk ka humbur shumë kohë edhe ka filluar të mendojë për botërorin, pasi ka deklaruar se vitin tjetër do të jetë ndryshe. 

“Ne nuk e parashikuam këtë fitore kaq të thellë, por sigurisht që kjo ndeshje është shumë larg atyre që do të jetë vitin tjetër.

Do të jetë shumë më vështirë, por kjo fitore do të krijojë një situatë më të mirë dhe një ambient më të mirë, pa harruar mbështetjen që kemi marrë nga publiku brenda dhe jashtë fushe.

Puna për kampionatin botëror duhet të fillojë që tani me hapa gjigantë, pasi  nuk kemi kohë për të humbur. Konkurrenca do të jetë shumë e fortë dhe larg asaj që pamë në këtë kompeticion paraprak të eventit të ardhshëm” përfundon ai.
 

d.b/shqiptarja.com